Mëkatarë dhe të paudhë

DITA Online

Reforma në gjyqësor si garantuese e të drejtave të njeriut. Cilët janë ata që kanë më shumë frikë nga reforma dhe si po punohet për ta penguar e sabotuar atë. Të paduruarit që po humbasin besimin. Pse Xhejms Medison, në vitin 1788, do të shkruante se grumbullimi i të gjitha pushteteve – ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore në të njëjtat duar, quhet me të drejtë si vetë përkufizimi i tiranisë.

Më 29 dhe 30 mars 2019, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Universitetin “La Sapienza” të Romës si dhe me disa institucione të tjera të huaja shkencore dhe akademike, organizuan në Tiranë, Konferencën e tetë Shkencore Ndërkombëtare për shkencat humanitare, sociale dhe të edukimit. Studiues vendas dhe të huaj mbajtën aty referate dhe mbi 100 kumtesa shkencore. Në seancën inauguruese e morën fjalën Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili çeli edhe punimet e Konferencës. Të tjerë të ftuar në panel ishin: Nada Kakabadase, përfaqësuese e Akademisë Europiane të Shkencave, Nicholas Theodorakoulos, Shef i Departamentit të Psikologjisë organizative dhe Shkollën e Biznesit Aston (Angli), autor i mbi 50 botimeve shkencore në fushën e Sipërmarrjes, Burimeve njerëzore, Zhvillimit të biznesit të vogël dhe të mesëm etj. I pranishëm ishte gjithashtu, Akademiku  Mustafa Aydin, president i EURAS, Prof. Dr. Armend Kadriu nga Universiteti i Strugës në Maqedonine e Veriut  dhe Prof. dr. Ksenofon Krisafi një nga specialistet më të mirë në vendin tonë në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare dhe aktor energjik i politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Zhvillimet ekonomike të viteve të fundit, do të duhet t’i përgjigjen dhe të sigurojnë më mirë kohezionit social dhe territorial të një vendi, në mënyrë të tillë që benefitet e rritjes ekonomike si dhe hapjes së vendeve të reja të punës t’i sigurojnë popullsisë që të jetojnë me dinjitet, duke u bërë pjesë aktive e shoqërisë”, tha në hyrje të komferencës Prof. Dr Anastas Angjeli.

Më poshtë po botojmë një përmbledhje të referatit të Prof. Krisafit, kushtuar reformës në gjyqësor dhe të drejtave të njeriut. / Përgatiti për botim Xh. Shehu 

 

Prof. Ksenofon KRISAFI

Një ndër drejtimet e rëndësishme të studimeve në shkencat humanitare, sociale dhe ato të edukimit, që përfaqësojnë aksin themelor të tematikës së kësaj Konference, është edhe ai i shkencave juridike.

Periudha e tejzgjatur e tranzicionit postkomunist shqiptar dhe zhvillimet që e karakterizuan u shndërruan në një terren fertil edhe për studime në fushën e shkencave juridike.

Fenomenet e vërejtura gjatë saj, që ishin kryesisht produkt i  transformimeve të rëndësishme politike dhe i konvulsioneve komplekse ekonomike e sociale, zgjuan edhe interesin shkencor të juristëve, të cilët përmes studimeve të tyre janë munduar të sjellin kontributet e veta teorike.

Kjo etapë zhvillimesh dinamike, e cila ka hyrë tashmë në fazën kruciale të zbatimit të reformës në gjyqësor, do të gjejë pasqyrimin e vet modest edhe në punimet e kësaj konference.

Unë do të ndalem shkurtimisht te reforma në gjyqësor, e cila është kryefjala e të gjitha zhvillimeve juridike në këto 30 vjetet e fundit në Shqipëri, vështruar në optikën e ndikimeve të saj në garantimin e të drejtave të njeriut.

Çështjet e të drejtave dhe lirive themelore, të sanksionuara fillimisht nga normat dhe parimet e së drejtës natyrore, u bënë objekt studimesh të thelluara nga doktrinat filozofike, sociologjike, politike, ekonomike, juridike etj., veçanërisht në kohët moderne.

Koncepti bashkëkohor i tyre e ka zanafillën kryesisht në Evropë dhe në botën anglo-saksone, por nocionet e lirisë dhe të drejtësisë sociale, si pjesë e kulturës njerëzore, janë përhapur e rrënjosur prej kohësh në të gjitha skajet e rruzullit tokësor.

Përpjekjet për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut u konkretizuan në promulgimin e akteve madhore si Magna Karta Libertatum, Bill of Rights, Kushtetuta amerikane, Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit e Revolucionit Francez, Deklarata Universale e të drejtave të njeriut, e 10 dhjetorit 1948, paktet e OKB të vitit 1966 etj. Ato përfaqësojnë arritje spektakolare, juridiko-institucionale, në betejat e pambarimta të bashkësisë njerëzore, për progres ekonomik e shoqëror, integritet dhe dinjitet njerëzor.

Shqipëria, vend që aspiron fuqimisht për t’u anëtarësuar në BE është përfshirë prej kohësh në një angazhim serioz politik, juridik dhe institucional për të përqasur legjislacionin e vet me standardet më të përparuara komunitare. Dëshmi të këtij përkushtimi janë kushtetuta shqiptare dhe përmirësimet e vazhdueshme në legjislacion për t’iu përshtatur direktivave të Brukselit.

Pjesë e rëndësishme e angazhimit të organeve shqiptare për shndërrimin e të drejtave dhe lirive themelore në realitet konkret, të garantuar nga pikëpamja juridike dhe institucionale, është edhe reforma në sistemin gjyqësor, e cila prezantohet si një prej prioriteteve të transformimeve politike e juridike në vend.

Kjo sipërmarrje e fuqishme legjislative dhe institucionale shpresohet që të sjellë ndryshime të ndjeshme në sistemin e drejtësisë.

Reforma është konceptuar gjithashtu si një prej kushteve dhe premisave të suksesit në transformimin demokratik në Shqipëri, sepse pa drejtësi të vërtetë, pa këtë res communis omnium, nuk mund të ketë progres dhe prosperitet ekonomik e social për shqiptarët.

Periudha e deritanishme e zbatimit të reformës karakterizohet përgjithësisht nga arritje. Por nuk janë të pakta edhe vështirësitë. Në shoqërinë shqiptare, si kudo, ka grupe njerëzish, të cilët të lodhur nga padurimi, kanë filluar ta shohin atë me dyshim. Ka të tjerë që e përmendin thjesht si slogan propagandistik. Individë të caktuar, kryesisht mëkatarë të përlyer në paudhësi, të implikuar në vepra të dënueshme penale, përpiqen ta minojnë dhe ta sabotojnë. Për alibi invokohen vështirësi të karakterit teknik, juridik ose profesional, ndërkohë që është bërë e qartë se shkaqet kanë të bëjnë me faktin që reforma do të cenojë interesat e tyre. Disa prej tyre, përfshirë edhe anëtarë të koorporatës së gjyqtarë-prokurorëve, mund t’i dërgojë para drejtësisë. Prandaj këto kohë përsëritet me të drejtë se nuk mund të ketë reformë pa realizuar edhe dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë. Reforma nuk mund të zbatohet nga delinkuentët, sepse ajo është “vdekja” e tyre.

Reformat në sistemin gjyqësor nuk janë diçka që kanë të bëjnë vetëm me Shqipërinë. Ato kanë nisur dhe kanë përfunduar ose po zhvillohen ende edhe në vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste, si në Bullgari, Hungari, Rumani, Poloni, Lituani, Estoni, Kroaci, Slloveni etj, të cilat në fundin e viteve ’80 të shekullit të kaluar përmbysën regjimet komuniste. Reformat në gjyqësor janë një realitet i zakonshëm i veprimtarive juridike e institucionale edhe në vende të tjera, madje me tradita të shquara në fushën e drejtësisë, si Franca, Italia, Anglia, Gjermania, Belgjika etj, ku kohë pas kohe ndërmerren dhe realizohen ndërhyrje në sistemet e tyre të drejtësisë.

Në Shqipëri reforma në gjyqësor karakterizohet nga disa specifika në raport me vendet e tjera. Kjo sepse gjatë periudhës së tranzicionit, realitetet shqiptare, janë përshkuar nga disa furi shkatërrimtare, që goditën me vrazhdësi ekonominë, infrastrukturën, institucionet sociale, kulturore si dhe funksionimin e legjislativit dhe ekzekutivit.

Ato ndikuan edhe te drejtësia, ku vala rrënimtare u shfaq me pasoja veçanërisht të rënda. Siç dihet, drejtësia është “stacioni terminal”, ku zbrazen e përfundojnë për shqyrtim gjyqësor gjithë shkeljet dhe padrejtësitë që kryhen në sektorët e tjerë. Prandaj, në një mënyrë ose në një tjetër, ajo e ka të pranishëm rrezikun e “infektimit”.

Realizimi i reformës në drejtësi ka kërkuar kohë dhe ka përfshirë një spektër të gjerë ndërhyrjesh, ndër të cilat me rëndësi të veçantë janë tre, aspektet ligjorë, institucionalë dhe ato konceptualë.

Aspektet ligjorë kanë të bëjnë me kërkesën dhe presionin ndaj politikës për një rikonceptim modern dhe një transformim të mentalitetit dhe mënyrës së të sjellurit të saj ndaj drejtësisë, për ta parë atë si pushtet të pavarur në shërbim të të gjithëve.

Nga ana e vet edhe drejtësia, duhet të qëndrojë refraktare përkundrejt ndërhyrjeve dhe presioneve të politikës për t’u përdorur prej saj, me qëllim që të konsolidohet si institucion i pavarur nga pushtetet e tjera. Është detyrë e drejtësisë që të qëndrojë mbi politikën dhe mbi partitë, për të qenë e njëjtë për cilindo pavarësisht nga përkatësia kombëtare, racore, gjuhësore, fetare, politike e partiake, si dhe nga dallimet ekonomike, pasurore, sociale, arsimore, kulturore etj.

Në sistemin monist presionet ndaj drejtësisë vinin zakonisht dhe kryesisht nga politika. Tashmë ato vijnë nga shumë drejtime, nga ekzekutivi, legjislativi (nga deputetët), organet e medias (nëpërmjet intimidimit dhe kërcënimeve për publicitet negativ), biznesi (me dhënien e parave, pronave ose shërbimeve të tjera), nga mafia (me kërcënime) etj. Është kjo arsyeja pse duhet ndërtuar një sistem drejtësie, nëpërmjet vendosjes dhe zbatimit rigoroz të normave të së drejtës, ku të sundojë ligji, të cilin Aristoteli e cilësonte si autoritet suprem, që, sipas tij, qëndronte edhe mbi mbretin.

Kjo arrihet jo vetëm kur miratohen ligje të qarta, por edhe kur ato zbatohen nga njerëzit e ndodhur në pushtet dhe kur në organet e prokurorisë dhe në gjykata zënë vend specialistë të moralshëm dhe të pavarur, të papajtueshëm me korrupsionin, që japin drejtësi në mënyrë të paanshme dhe objektive, përmes një procesi që respekton të drejtat e palëve.

Prandaj në themel të reformës duhet të jetë ndarja e pushteteve dhe posaçërisht pavarësia e gjyqësorit, për të cilën Xhejms Medison, në vitin 1788, do të shkruante se grumbullimi i të gjitha pushteteve – ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore në të njëjtat duar, qofshin këto të një personi, të disa ose të shumë prej tyre, të një personi a organi të trashëguar, të vetemëruar ose të zgjedhur, mund të quhet me të drejtë si vetë përkufizimi i tiranisë.

Pothuajse në të njëjtën linjë, por rreth 2000 vjet më parë, në vitin 350 para Krishtit, Platoni, duke folur për rolin e gjyqtarëve, thoshte se “legjislacioni është një detyrë vigane  dhe, edhe në rast se ke një shtet të ndërtuar mirë, me një kod ligjor të përcaktuar qartë, nëse përgjegjësinë e administrimit të këtij kodi ua ngarkon zyrtarëve të paaftë, i ke çuar dëm ligjet e mira dhe gjithë sistemi do të degjenerojë në farsë. Dhe jo vetëm kaq, por shteti do të arrijë të zbulojë se ligjet e veta janë duke u dëmtuar dhe duke u plagosur në përmasa gjigandeske.”

***

Në fillimet e veprimtarive për reformimin e sistemit të drejtësisë, u pat parasysh se nuk mund të kishte reformë në drejtësi pa rishikuar dhe dezintoksikuar legjislacionin bazë që lidhej me të. Zbatimi real i një vullneti të ri politik nga të gjithë segmentet e politikës shqiptare, nëpërmjet miratimit të një legjislacioni të përshtatshëm, ishte thelbi i reformës.

Ai duhet të shoqërohej, sikurse ndodhi edhe me konstituimin e një sistemi organesh, që secili, sipas kompetencave përkatëse, është ngarkuar dhe kanë filluar të realizojnë funksionet e duhura.

Pjesë përbërëse e këtij aspekti është edhe Vettingu, i cili funksionon prej gati një viti dhe përgjithësisht ka rezultuar i suksesshëm. Ai ka arritur të shmangë nga radhët e gjyqësorit një numër jo të paktë gjyqtarësh e prokurorësh me probleme papërshtatshmërie. Rezultati ishte befasues, sepse nuk mendohej që në drejtësinë shqiptare, madje edhe në majën e kupolës së saj, të kishte kaq shumë njerëz me probleme me ligjin. Por duhet theksuar se nuk do të ishte etike që vlerësimet e Vettingut për disa gjyqtarë e prokurorë, të përgjithësohen, duke baltosur të gjithë apo shumicën e kolegëve të tyre. S’ka asnjë dyshim se trupa gjyqësore ka në gjirin e saj njerëz me personalitet të spikatur si përsa i përket integritetit moral ashtu edhe aftësive profesionale.

Që reforma të jetë e suksesshme ajo duhet të shtrihet edhe në  shërbimet e tjera të drejtësisë ose në funksion të saj, siç janë avokatia, noteria, përmbarimi, administrata e drejtësisë etj. Lypset gjithashtu edhe përmirësimi i arsimit juridik. Arsimi në përgjithësi dhe ai i lartë në veçanti, përfshirë edhe arsimin e lartë juridik, bëjnë pjesë në sektorët më vulnerabël të zhvillimeve aktuale në Shqipëri. Ato kërkojnë një vëmendje veçanërisht të shtuar nga shteti dhe shoqëria në përgjithësi, për të rritur cilësinë dhe formimin moral, intelektual e profesional. Reforma nuk do t’ia arrijë qëllimit, nëse nuk mbështetet mbi një arsimim të përshtatshëm juridik, pa u forcuar cilësia dhe përgjegjshmëria e përgatitjes së juristëve në përgjithësi dhe e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve dhe përmbaruesve në veçanti. Në këtë drejtim fakultetet e drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës kanë një rol të veçantë.

Më së fundi nuk mund të ketë siguri për suksesin e reformës në drejtësi, nëse ajo nuk do të shoqërohet me një sistem zinxhir reformash edhe në sektorët e tjerë.

Për projektimin dhe zbatimin e reformës saj kanë dhënë kontribute të rëndësishme edhe përfaqësues nga institucione të huaja. Ata e kanë njohur nga afër realitetin e drejtësisë shqiptare dhe me të drejtë e  konsiderojnë reformën në drejtësi si më rëndësishmen pas rënies së komunizmit, madje si një themel për demokracinë në Shqipëri dhe për garantimin e zbatimit real të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Si e tillë duhet marrë me seriozitetin e duhur dhe duhet çuar deri në fund me vendosmëri.

 

v.l/ Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *