MËKATET E PANDËSHKUESHMËRISË

redaktor
Mbeshtetes te PD, duke prishur bunkerin prane Ministrise se Brendshme, gjate nje proteste te organizuar nga Partia Demokratike, me rastin e 8 Dhjetorit Dites Kombetare te Rinise. /r/n/r/nAlbanian opposition protesters gather around a bunker installed as a artwork near the Interior ministry and set it on fire after destroying a fence in Tirana, Albania, 08 December 2015. A demonstration organized by the Albanian opposition turned violent with people trying to enter Government building and throwing stones and balls with colored paints at police and at the building.

Njerëzit janë të lodhur. Gjendje zhgënjimi dhe mosbesimi e paparë ndaj politikanëve, që Partia Demokratike po mundohet ta zhvatë në favor të saj, me metoda që ajo vetë i denonconte më 21 janar  2011 kur ishte në pushtet. I njëjti avaz vazhdon. Opozita harron kur ishte në pushtet dhe qëllonte mbi njerëz që protestonin. Pushteti harron sesi vepronte në opozitë kur kërkonte orë e çast zgjedhje të parakohshme, kërkesë që e shokon sot kur e dëgjon nga goja e opozitës. Bëni si them unë por mos më bëni si bëj unë, ky ka qenë, është dhe do të jetë emëruesi i përbashkët i klasës sonë politike.

Në Francë, politikanët dhe ata të shokuar këto ditë, po fillojnë më në fund ta kuptojnë se fajin nuk e ka populli që po sjell Marina Le Pen në pushtet. Fajin e kanë ata vetë që nuk u kanë sjellë francezëve që prej më shumë se 30 vjet një alternancë reale. E majtë, e djathtë, të njëjta premtime, të njëjta zhgënjime.

Në Shqipëri, populli nuk ka një forcë të tretë politike edhe më keqbërëse, me të cilën të ndëshkojë dy të parat. Nuk është e lehtë të bësh insinuata te tilla. Si mund të vihet në të njëjtin nivel Partia socialiste dhe ajo Demokratike? Fatkeqësisht kjo ndjenjë mbizotëron dhe ajo po përfshin një numër e më të madh shqiptarësh. Si ata shqiptarë që kanë urryer dhe urrejnë pa mëdyshje metodat e PD-së, ashtu edhe ata të tjerë po aq të shumtë që po zhgënjehen nga fjalët e bukura të Rilindjes. Dhe këtu nuk është fjala te zhgënjimi ekonomik, pasi te ky lloj zhgënjimi nuk ka asgjë të veçantë midis popujve. Të gjithë pa përjashtim në Evropë dhe në botë presin më shumë në lëmin ekonomik nga partitë që vijnë në pushtet. Në Shqipëri, zhgënjimi është i një lloji tjetër që pak e has në demokracitë evropiane. Ai mban emrin “pandëshkueshmëri”.

 Një tallje skandaloze prej dy dekadash

Nga viti 1997 deri më 2005 e majta drejtoi Shqipërinë. Me një premtim madhor: të bëhej drejtësi për katrahurën e piramidave financiare, ku humbjet qenë kolosale në para dhe në jetë njerëzish. Partia Socialiste premtonte po ashtu se merrte pushtetin në emër të atyre 81 qyqarëve që u mbytën më 28 mars 1997 në kanalin e Otrantos me anijen Kater i Radës, teksa iknin të panikuar nga situata e një kaosi total të krijuar në vend nga drejtimi i vendit prej Partisë Demokratike. Fatos Nano dhe të tijtë, premtonin t’i jepnin fund një herë e përgjithmonë pandëshkueshmërisë së pushtetit të Sali Berishes që i kishte hyrë në dru opozitës një vit më parë.

Aq shumë u zhgënjyen shqiptaret për këtë premtim që s’u mbajt kurrë (as për kthimin e parave të humbura) megjithëse Partia e Nanos kaloi 8 vjet të rehatshme në pushtet, aq shumë u erdhi në majë të hundës shqiptarëve për talljet e pafundme dhe kllouneritë e Fatos Nanos, saqë vendosën dhe ata të talleshin me socialistët në pushtet. Në zgjedhjet e 2005, shqiptarët risollën me cinizëm të pashoq në “fron” pikërisht atë që e konsideronin si përgjegjësin kryesor të piramidave financiare.

Si e arriti Sali Berisha këtë performancë të paparë në Europë të rivinte në pushtet kur shumë shqiptarë e prisnin ta shihnin me pranga në një sallë gjyqi? Ai ende s’kishte dhënë llogari sesi vendi ra në “ground zero” më ‘96-’97, kur sërish i besoheshin çelësat e pushtetit!

Përgjigja nuk është e vështirë. Popujt janë të zgjuar, por nuk kanë shumë memorje. Berisha, ashtu si dhe Nano u bëri shqiptarëve një premtim joshës. Rruspa e famshme! Për ata të rinj që e kanë harruar, rruspa është ai çengeli i vinçit që Berisha premtonte në çdo miting t’ia ngulte në grykë Fatos Nanos dhe ta merrte zvarrë për  korrupsionin më të madh që s’ishte parë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Kush i harron çirrjet e Berishës se do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë për milionat e arkës se Shtetit që Nano lozte ne kazinotë e Greqisë e të Austrisë? Apo 800 milionë dollarët e evazionit fiskal ? Pa harruar, kulmi i ironisë, premtimi i Berishës se do të dënonte gjakatarin Nano, për shpirtrat e atyre 36 të ndjerëve që humbën jetën me gomone duke kaluar dhe ata Otranton me 9 janar 2004, ndërkohë që kryeministri shplodhej në Greqi dhe nuk interesohej fare? Kush i harron mitingjet e Berishës “Nano ik!” që më në fund e risollën në pushtet si nuse të virgjër më 2005?

Më të rinjtë do pyesin, po më pas çfarë ndodhi? I dha fund pandëshkueshmërisë ky trim Sali Berisha që kishte premtuar ta kalbte Nanon burgjeve?  Mali me mal s’puqen, por Berisha, jo vetëm që nuk i preku një qime floku Nanos, por u puq me Fatos Nanon per t’i bërë gropën të riut që sa po merrte në dorë PS-në, një Edi Rama… Kjo është e vërteta që nuk i dallon shumë liderët shqiptarë nga homologët e tyre në Afrikën Subsahariane. Më 2009, shqiptarët, të zhgënjyer e ndëshkuan sërish PD-në, por votat e tyre u manipuluan. Skenën politike dhe mediatike filluan ta pushtonin dy metrat e Edi Ramës. Me të do të ishte ndryshe. Me të Shqipëria mbante Robespierrin e saj. Me pallën e tij gjigande, do t’i jepte shqelm një herë e përgjithmonë alternancave mashtronjëse Berisha-Nano dhe e Nano-Berisha. Me Edi Ramën do të ishte terrori kundër të korruptuarve. Do të ishte me saktë fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë. Ky tërmet demokratik që po përgatitej, mbante megjithatë një emër romantik, Rilindje. Po, po, Rilindje nga një “nightmare”. “Familja”, apo kupola mafioze e klikës berishiste i kishte ditët e numëruara. Rilindja kishte dhe dy zëdhënës sa të palodhur aq dhe kafshonjës:Taulant Balla dhe Erjon Braçe, të cilët, nga mëngjesi deri në darkë, tundnin e shkundnin para ekraneve të televizorëve dosjet plot e përplot që i kishin kundër “Familjes”. Do të mjaftonte që shqiptarët të votonin masivisht per Rilindjen dhe hop, si me shkop magjik, ëndrra dhe era e keqe e berishizmit do të avullonin një herë e mirë me burgosjen e gjithë protagonistëve famëkeqë të “Familjes”.

Në qershor 2013, shqiptarët nuk ua kursyen mandatin  këtyre kalorësve të bardhë të kryqëzatave që do të mbronin të venë dhe jetimin nga poshtërsitë dhe korrupsioni i Saliut. Plot 1 milion vota dhuruan shqiptarët për Rilindjen dhe aleaten e saj. Dhe gjak t’u ishte kërkuar, me siguri do e kishin dhënë, por të paktën një herë, ne historinë e tokës së shqipeve të bëhej drejtësi se bastardia kishte arritur kulmin.

Epilog

8 Dhjetor 2015. Dy vjet e gjysëm më vonë pas lindjes së Rilindjes. Shqiptarë që kishin kaluar Otranton, pasi kishin humbur shtëpi e katandi tek piramidat e PD-së, rikthehen në atdhe pas një mërgimi të gjatë. Disa syresh, kërkojnë të vizitojnë Sali Berishën në qeli. Janë kuriozë ta shohin me uniformën prej zebre atë dhe gjithë “Familjen”, siç kishte premtuar t’i syrgjynoste një farë Rilindje. Një betim që ishte bërë unanimisht nga të gjithë socialistët post-Nanoistë, në emër të viktimave të skemave piramidale, të viktimave të Otrantos, të viktimave të Gërdecit, të viktimave të 21 Janarit. Në emër të bregdetit të masakruar. Në emër të katrahurës nga ndërtimet pa leje. Në emër të kaosit nëpër hipoteka që edhe Iraku në luftë civile i ka më të rregullta. Në emër thjesht të Rilindjes shpirtërore dhe kombëtare. Çfarë surprize teksa këta të ardhur nga një planet tjetër panë të njëjtin Sali Berisha, jo në birucë, por në zemër të Tiranës, duke sfiduar me dy gishta përpjetë kryeministrin e rradhës, Edi Rama. Siç po e bën që prej një çerek shekulli.

Po, njerëzit janë shumë të zhgënjyer. Ata nuk i durojnë më këngët e sirenave politikane shqiptare, më të poshtra dhe shumë më të shëmtuara se ato të Homerit. Kur do i jepet fund pandëshkueshmërisë, e kujtdo bordi politik qoftë ajo? Njerëzit nuk ju besojnë më. Ky është ground-i zero i politikës. Mbrapa vjen ekstremizmi…

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *