Nishanet në lëkurë mund të na frikësojnë, por ka një mënyrë për t’i dalluar ata “të rrezikshmit” nga të zakonshmit. Kështu, specialistët e lëkurës rekomandojnë që t’i drejtoheni menjëherë mjekut nëse këto pika janë në trajtën e njollave asimetrike, me konture të çrregullta dhe ngjyrë johomogjene. Gjithashtu, duhet të përbëjnë shqetësim edhe nëse shfaqen në trajtën e një njolle të errët, e cila zhvillohet në mënyrë të shpejtë, brenda disa javëve apo muajve.
Dermatologët thonë se parandalimi është mënyra më e mirë për të luftuar tumoret e lëkurës, si p.sh. melanoma, një sëmundje me incidencë në rritje kohët e fundit.
Karakteristikat që duhet të na bëjnë të dyshojmë
Nëse një nishan shfaq konture të çrregullta, kjo është një arsye për të rritur vëmendjen. Në këtë rast është mirë t’i drejtohemi mjekut dermatolog, sidomos nëse njolla në lëkurë paraqet reliev të ndryshëm në sipërfaqe të saj.
Po cilët janë faktorët e riskut, që duhet të na çojnë më shpesh se zakonisht te dermatologu? Numri i madh i nishaneve në lëkurë, ngjyra e çelët e lëkurës, flokët e kuq dhe qukat apo të pasja e të afërmve që janë prekur nga melanoma.
Për parandalimin e kësaj sëmundjeje, dermatologët rekomandojnë mbrojtjen nga dielli, duke përdorur filtrat mbrojtës dhe duke shmangur qëndrimin jashtë në orët e pikut, në mënyrë të veçantë për fëmijët.
Gjithsesi, nishanet që paraqesin rrezik janë ato të dimensioneve relativisht të mëdha, që kanë tendencën të rriten shpejt, kanë ngjyrë shumë të errët dhe gjenden në zona të trupit ku pësojnë fërkime të shpeshta.
Tumoret e lëkurës
Këto lloj tumoresh klasifikohen në bazë të origjinës së tyre. Tre tipat kryesorë janë: karcinoma basocelulare, karcinoma spinocelulare dhe melanoma.
Të parat e kanë origjinën në qelizat bazë dhe gjenden në shtresën më të thellë të epidermës. Lloji i dytë e ka origjinën në qelizat sipërfaqësore, të cilat formojnë të ashtuquajturën shtresën me reliev.
Karcinoma është më e lehtë të kurohet. Ndërsa melanoma paraqet një formë më të rrezikshme, pasi ka aftësinë të përhapet shpejt në indet përreth, duke kaluar më pas edhe në gjak apo në limfë, çka u hap rrugën metastazave në të gjithë trupin / Përgatiti: Gazmira Sokoli
Dr.Gazmira Sokoli!
Po vetem operacioni I sheron karcinomat?
A ka rrezik qe kacinomatete kthrhrn ne melanoma???/
Faleminderit Bardhi
Favenid
Pershendetje.
Kur nje nishan ka shkeputje nga lekura,por nuk ka gjakderdhje,a ka ndonje problem serioz?
Ju faleminderit.
Ilsida