Mëmë Shqipëri, e gjorë deri në vuajtje

Ornela

Nga Bedri Islami

Mëmë Shqipëri, e gjorë deri në vuajtje

megjithëse më e mira je dhe më e hijshmja,
me trupin në diell dhe floririn në rrënjët e tua,
e bukur, si shtojzovalle dhe fisnike,
me lumejtë e harlisur bjeshkëve si kuaj të hazdisur
shkumëbardhë, zhytur në të jeshiltën e pyjeve,
e mënçur si Zotat e dikurshëm të Tomorrit,
me tempullin e madhërishëm të fjalëve,
me dashurinë në trupin tënd të sfilitur nga etja,
tash njëmijë vjet nën tehun e thikës,
me detrat, si shigjeta kaltërsie dhe rrënjët e tokës,
pasionante, sy qiellore dhe e verbër njëkohësisht,

Për fajin e heshtjes tënde tani qeverisin mëkatarët,
ata që e shqyen gjoksin tënd në katërqind pjesë,
të lanë të zhuritur nga etja…
si qentë ulërijnë se të duan , kur të zhveshin,
të mbeten vetëm legjendat, erërat dhe vdekja!

Shkodra dhe ti….

..po sikur të kishte,diku, mijra vite drite larg,
një galaktikë tjetër,
me qiell, me ujra, me frymë,me tokë si mëndafsh,
me zëra, me ëndrra, dallëndyshe, manjola dhe mjegull,

Me një qytet të çuditshëm mbretërish, si Shkodra,
me kumbanore, minare, në të njëjtën rrugë e shesh,
me një legjendë ku gurët qumështojnë,të vjetër sa bota,
pa vdekje, me makthe njerëzore, ngulitur në kujtesë,

perëndeshë e tre lumejve, detit, vargmaleve ku qielli përflaket,
me një shtëpi të gurtë të një fisi zëmadh ,e të brishtë si ëndërr,
ku shkallët zbret një poet që nuk dëshiron të plaket,
i zhytur në një pafajësi të herëshme dhe të ëmbël,

Sikur në galaktikë të kishte një qytet të dytë si Shkodra,
i mistershëm në kohra, në truallin e lashtë të të parëve të tij,
ku mbyllim sytë dhe shohim zogjtë të fluturojnë mbi kodra,
Ku e dimë se Zoti ekziston dhe trëndafili i bardhë çel përsëri:

Ku do të ishe ti?!!!!

Shkodër, mëngjes heret, 25 tetor 2020

 

Asgjë nuk më çmend më shumë

se mungesa jote,

në regjistrin e Dritës
ndodhet emri yt,

Bota ekziston me përligjë
Qënien tënde!

Atë që nuk e gjetën
tek të parët,
është tek ti…

Të gjithë gjërat në botë,
veç teje,
janë artificiale,
natyra – dhunti e Zotit,

Ti ke fuqi mbi ajrin
dhe mbi ujin,
mbi zjarrin dhe
jetën,
faljen dhe përdëllimin,

Tek ti e di
më mirë nga të gjithë,
se kush jam
pse erdha në këtë botë…

Nëna ime!

LUTJE E PARAKOHSHME

Nuk është tani koha ime,
për të ikur kam një kohë tjetër,
të tjera ligje jete njoh dhe përjashtime,
të fshehura në një mister të vjetër.

Në jetë kam bërë marrëzira pa fund,
kam qeshur, luajtur, çmendurisht kam dashur,
kur era e natës gjithë degët lëkund,
verë kam pirë me zemrën e plasur.

Kam kohë për të ikur, kam kohë,
me vete të marr atë çka arrita,
Edhe pse kaq e bukur,një jetë është një lojë,
me huqe,dallgë,mirësi,magji dhe prita.

Kam kohë për të ikur,nuk është koha ime,
ama, kur të ik,mos bëni zhurmë e poterë,
mos bëni sikur qani me lot e psherëtime,
-hapni qilarin tim e dehuni me verë!

Dhe ku ta dish, të vetmen lutje, oh Zot,
në atë vend pa kthim, bujë e zhurmë,
Ndihmona , të lutem, të piqemi tok,
Migjeni, im atë – Zeneli dhe unë.

SHTËPIA E MADHE E GJYLBEGAJVE!

Si erdhën në oborrin e Shtëpisë së Madhe,
si dhimbje të dikurshme,
këto trëndafilë të bardhë,
në format e brishta që i dua deri në vuajtje,
në netët e një hëne që bie mbi gonxhen e parë?

E dua marrëzisht këtë vend,
rruginat e shkallët e rritës sime,
ku dashurova çmendurisht e me besë…
ku i pasur jam me pak gjëra,
ku dua të endem lirisht, të bëj sherr e të qesh,

ku flë nderi i burrave të mëdhenj
dhe reliktet nga kohë e shkuar
janë në heshtje,
ku koha lëviz me tjetër ritëm,
ku gjërat më duken se janë të përjetshme…

Shtëpia e Madhe e një fisi të madh,
në një perëndim të argjendtë,
në kohën e paqes së rreme zgjodhi luftën,
dhe bëri pastaj luftë për paqen e vet…

Do të jepja gjithçka për rikthimin e një dite të rinisë sime,

të oborrit të vjetër nën hijen e blirëve që nuk janë më,
të bibliotekës së vjetër ku i mbyllur mbeta,
të hapave të shpejtë të nënës sime në shkallët e drujta
tani ecja e saj është bërë e ngadaltë si një mit i rënduar nga kujtesa.

të portës së madhe ku dashuria më shtyente enigmën e fshehtë,
ku mungesa e një njeriu më rëndonte sa mungesa e botës së tërë
im atë,që ishte e shkuara,por do të bëhej e tashmja dhe e ardhmja,
përmbysur një natë qiell yje, përgjakur nën hënë,

Do të jepja gjithçka për ujrat e liqenit në agsholin e dritës,
për padurimin e pritjes, pafajsisë së hereshme dhe manjolat e bardha,
Bekuar qoftë çasti kur e kuptojmë rininë që erdhi,
nga trishtimi i moshës, përfytyrimet marroqe dhe puthjet e para…

Të gjitha gjërat duan të jenë,ashtu si janë,

trëndafili i bardhë don të jetë trëndafil i bardhë,
muzgu – muzg, kënga e mesnatës,po ashtu,
koralet duan të jenë korale, vala – valë,
murgesha- murgeshë, plaga – plagë gjithashtu.

Gurët duan të jenë gurë,në themele qofshin vënë
a të gdhendur në katër katër brinjët e bujtinës,
një yll që shndrrohet në gjethe,nën hënë,
trëndafili që digjet zhuritur në cakun e fundit të stinës…

Era nuk do asgjë tjetër, veçse të jetë erë,
zërat e natës- zëra nate duan të jenë,
Pranvera domosdo kërkon të jetë pranverë,
Dantja,po ashtu, tek ngrinte mbretërinë e përtejshme në Ravenë..

Edhe hidhërimi, Fjala, çasti i fillesës, gjeneza,nata pa gjumë,
trishtimi që mbetet kaq gjatë në sy,
Unë – nuk dua të jem askush tjetër – veç unë,
Në mos tjetër- të dua gjithë botën si të dua Ty!

 

Peisazh fundvere!

Sonte nuk është e nevojshme
të kemi dritë hëne,
sonte askush nuk guxon të vdesë,
Kuajt e harbuar të dallgëve,
në këtë peisazh ende të skuqur,
do e bartin perëndimin deri në mëngjes,

Gjumi do e humbë udhën e tij,
nata po ashtu,
të mendosh për të nesërmen gjë e kotë,

Buzët e tua
do të sjellin agimin
në një orë të pazakontë..

Nuk i thashë të gjitha

Nëpër mëngjese e buzëmbrëmje pa fund,
besoj që nga dita e Krijimit,
është e pabesueshme,
që nuk t’i thashë të gjitha…

Ndoshta ishte e paarritshme ajo që doja,
– fati im një ligji tjetër t’i nënshtrohej,
ndoshta nga shija dhe aroma e qershive
që më mbeti në buzë,
ndoshta nga që trëndafili i zbehtë
nuk çeli kurrë si duhet,
ndoshta nga që në fushat e kërrusura
zogjtë fluturojnë në të njëjtën kohë me muzgun..

Më zuri mbrëma në rrugë e pastaj nata,
e pabesueshme, një ditë do të vdes,
pa arritur t’i them të gjitha,
Nata gjithçka po lëkund,

më kot e lexova vijën e pëllëmbës,
Koha, si një rrymë uji e zemëruar,
më çoi në Askund…

 

Gjumi i manjolave

Manjolat po flenë,
këmbanat
si dhëmbshuria njerëzore,
kanë heshtur,
u qetësuan dallgët dhe valët,
ëndrrat lëvizin nën pëshpërime gjethesh,
janë bllokuar fjalët…

Manjolat po flenë…
muzgjet e kopështeve ndjellin
tokën e perëndimit të mbrëmjes,
me trajtat magjike të hijeve,
në shpirtin që luan dhe ëndërron
skenën e madhe të shfaqjeve..
Etërve dhe bijëve.

Mos i zgjoni manjolat,
deri në mëngjes,
vesojnë në yje,
lereni të ëndërrojnë,
dritën e kristaltë,
qetësinë e tyre,
në dashuritë e herëshme
ku fjalët mungojnë..

 

Ëndrra ime

Në dy rrugë të ndryshme
Kemi bërë të njëjtën gjë:
Jemi dashur!

I hapëm plagë njëri tjetrit,
Dhe thamë fjalë magjike
Plot dritë përbrënda!

Menduam se drita e mrekullueshme
Përjetësisht vjen nga kreshtat
Dhe nuk do të ketë natë.

Nuk u veshe asnjëherë me të bardha
As unë me kostumin e njohur
Të një dhëndërie ndryshe.

E përsëri ti mbetesh princeshë e bardhë.
Nën një dritë të thellë,
si prej Ëndrre.

 

Zoti ynë,

jepu njerëzve bukën e tyre të përditshme,
sytë e tyre janë mbyllur dhe buzët mërmëritin lutjen tënde,
“Jepmë diçka, Zoti ynë i ndritur”,
nga fëmijëria në moshë të thyer duke pritur një shenjë,
është e pabesueshme sa shumë të kanë pritur.

Trokitje nga një derë në tjetrën që nga Dita e Krijimit,
fate të hallakatura që era e kohës në mjegull lëkund,
lejoji t’i shijojnë ditët,
në një botë që dikur do të marrë fund…

Njerëzit, të fishkur nga hallet e pakuptueshme,
nën shirat e kohës,
të sfilitur,
po presin Shenjën tënde…

Është e pabesueshme që do të vdesin pa e pritur…

Ujrat drithëruese të vjeshtës

Po vijnë përsëri,
ujrat drithëruese të vjeshtës.

Lëmshi i hënës bëhet më i zjarrtë,
fjalët bëhen varka prej letre që nuk të çojnë askund,
në asnjë ishull, në asnjë breg,
veç era, pështjelluese si gjithnjë,
kupolat e larta të çetinave tund…

Trishtimi e ndjen dimrin,
ende pa rënë gjethet e kuqërremta të lisave,
netët vijnë rrëmbyeshëm si përrenj të bardhë,
toka ëndërron pranverën,
si rikthim në takimin e parë…

E përsëri jam i lumtur
Si lundërthyeri që cek në brigje,
ndjen rrërën të lëviz nën këmbët e tij,
si ndjesi e jetës,
ndërsa fijet e muzgut futen në shpirt,
me ujrat drithëruese të vjeshtës…

Shumë gjatë e desha atë

Edhe më gjatë , e di , do ta dua…

Ia desha pasionin në sytë qiellor
furinë e zemërimit në një çast të vetëm,
përkulur mbi mua,

Rrafshinat jetime mes nesh i prishte gjithë gaz,
në çastet e stuhishme magjepse,
në nimfë të bardhë u shndërrua,,

shumë gjatë e desha atë,
edhe më gjatë, e di, do ta dua…

MBYLLJA

Gjithë botën e mbylla sot,
për të lënë të lirë
hapësirën tënde,

Veten nuk e mbylla dot.

Tinëzisht lashë hapur
arkapinë e vjetër.

në hapësirën e ujrave lëviz mjegulla!

Në rrafshirat e kohës
nuk ishte askush tjetër.

Veç ti,
unë
dhe heshtja.

BLASFEMI!

Do të vijë një ditë,
që do të ketë çastin
për të mbyllur llogaritë..

Cili ishte plani yt, për mua
O Zot…

kalimtar i zakonshëm,
përvujtës, iluzor,
moskokëçarës,
dashuronjës i përjetshëm, mllefues i përkohshëm
në këtë botë?

Ditë e natë, Zoti im,
aty isha,
diku mes rradhëve, i fundit jo
e as i pari,
zjarri i vakët,
lutje dhe rebelim njëherësh,
uji i pakët,
I qashter si nje fije bari,
luftë dhe paqe,
udhëtar i gjithë botës,
mëkatari i vobektë në lagje,

njëherësh, ngimje dhe uri,
ajri i të gjithëve dhe fryma e tyre,
pasionues pas dallgëve në stuhi,
i çmendur në pyje…

Cili ishte plani yt për mua ,
o Zot,
një ditë vjen çasti,
për të mbyllur llogaritë,
gjithçka që nuk është afër,është larg,
Në jetë ka terr dhe dritë,

në mijra netë,
mijra mijra vegime,
populluan
hapësirën time,
hije nuk isha,
as rob,
tempujt ranë, në rrugë u flakën mijra statuja,
rrugët u përgjakën më kot.

E di, asnjë qënie njerëzore
nuk është e aftë të dijë.
kush është,nga vjen e ku do të jetë fundi,
në cilin çast e pështjellim,

Ndaj, jepmë, Zot,
një tekst hyjnor,
ku gdhendur është fati im!

U shterr lumi i Kirit,

gurzit e bardhë të zallit
netëve
duken si copra të rëna hëne,
të shqyen gjoksin era e ftohtë e maleve,
si ulërimë nëne…

u shterr lumi i Kirit,
vajtimi i ujrave,
si gjëma e të parëve,
gurzit e bardhë të zallit,
netëve,
ndrijnë si eshtrat e të vrarëve,

Shkelni me kujdes në zallin e bardhë,
gurzit janë njëkohësisht edhe kryqe të heshtur,
poshtë tyre janë fshehur eshtrat e martirëve,
me ëndrrën shekullore tretur…

Shënim: Në zallin e Kirit, pas vitit 1945, shpesh herë pa gjyq, janë ekzekutuar elita e Kishës Katolike Shqiptare!

MBYLLJA

Gjithë botën e mbylla sot,
për të lënë të lirë
hapësirën tënde,

Veten nuk e mbylla dot.

Tinëzisht lashë hapur
arkapinë e vjetër.
në hapësirën e ujrave lëviz mjegulla!

Në rrafshirat e kohës
nuk ishte askush tjetër.
Veç ti,
unë dhe heshtja.

111.

Tash një mijë vjet

Tash
Një mijë vjet
Të desha

E prap
Nuk më mjaftuan
Ditët.

Si një dallgë
Që kthehet
Në brigje,

rikthehem
Në Itakën time,
Velë-përmbysur…

Shpesh here
E besova miturisht
Golgotën,

E po aq shpesh,
Çmendurisht
E besova Ringjalljen

Ka kaq shumë
Vetmi
Nga mungesa jote
Kohës
I mungon
Kupa qiellore…

Si çdo njeri tjetër,

unë e ndjej dhimbjen..
kambanat e saj më shtërngojnë gjoksin,
e përgjakur më duket hëna
nga vuajtja ime dhe e miqve të mi,
nga dhimbja më zhduket bota pamore,
kubeja e qiellit, yjet,
e gjelbëra kthehet në gri…
erërat që kthehen në degë molle…

koha ikën ndryshe dhe me vete merr
tërë të shkuarën, që nuk dihet kur ka filluar,
merr shumën e të djeshmëve tona,
ditënetët që nuk janë harruar,

enigmën e pazbardhur kurrë të së nesërmes,
çastin që përfshin gjithçka,
qytetet, botën, hapësirën mes planeteve,
mungesat e mëdha,

aq e gjërë sa shtrihet dhimbja njerëzore…

Pastaj koha rrjedh mes shushurimës së erës,
dhimbja ka gjithmonë diçka prej ëndrre,
të heshtur, pa zë…
kur zgjohemi prej saj jemi më njerëzorë,
sepse e kemi ndjerë atë…

12 prill 1999
Ata po i dëbojnë prej vatrave të tyre, o Zot,
Ç’po ndodh kështu?

Cili mëkat rëndon mbi supet e tyre,
a nuk është mjaft Golgotha e kaq shumë viteve,
gjithçkaje që u kthye në asgjë?
të vrarët, të zhdukurit, të djegurit,
Çfarë mëkati ka rënë mbi të?

Kjo botë paska rrëshqitur mendsh
u fikën dritat e saj
e po ndriçon gjaku,
jetë të ndërprera në mes…
Besimi po shterret – si u thatuan lumejtë,
as bora nuk është më e bardhë,
as nata nuk ka mëngjes…

Ç’po ndodh , o Zot, në këtë fund shekulli
hejtë e akullt po zbresin në zemër,
gjithçka po ngrin,
e na,
fort të deshëm,
Zoti ynë,

Shiko, fillim pranvere është
nga rrasat e gurta po dalin lule të kuqe,
si gjurmë thike, shtize,
pas drizave dalin gjarpërinjtë e zezë,
mbushur me ciriliqe…

jepi fund, o Zot,
lejona të të besojmë prore,
Ndryshe
do të shkojmë t’i lutemi përsëri,
altarit të diellit, të gurit, të bjeshkës,
orëve dhe zanave,
perëndive mitike…

Mos na e kthe shpindën , Zot,
që të mos kemi ndarje tragjike…

Qershor 1998

Nuk e di nëse do të të shoh më,
luftë i thonë kësaj
dhe lufta është budallaqe dhe mizore…

Nuk e di se në cilin shkëmb
Mund të mbyll sytë,

E di se nënkrejsë do të kem
Etjen time,

Nuk e shova kurrë,
se nuk të pata Ty…

Fjalët kanë ngrirë,

bien si gjethet
nën hënën e vdekur,
i qëmtova
nën rrëzimin e reve,
tash njëqind shekuj…

Vura buzët
në pusin e vjetër të fjalëve,
nga fjalët e vjetra
gëzohesha,trishtohesha e vuaja,
Por kurrë,
nuk i dashurova fjalët,
më shumë se gruan
që më frymëzoi t’i shkruaja…

Jehonë kambane

Një jehonë kambane,
si nga një kohë tjetër,
më solli ndër mend
një ditë të ftohtë marsi,
lulet e para të kumbullës
në oborrin e vjetër
dhe dëborën e pashkrirë
nën hijen e blirëve…

E mbushur ish dita
me pritje dhe paqe,
me puthje të ndrojtura,
kur binin kambanat e fundit,
si të trishtoheshin për ndarjen,
që fshihej pas natës,
me mjegullën e bardhë
që lëvizte bri lumit…

Krahët e erës më mbështollën
në vorbullën e saj,
mund të rrëzohesha
rishtas të ngrihesha,
dhe nuk do e dija kurrë
cakun tim…

a i pa cak do të isha…

Përrallat mbaruan,

nuk ka më përralla,
oxhaku i vjetër është shembur,
gjyshja prej shumë kohe ka ndërruar jetë…
hauri i vjetër është kthyer në gërmadha…

Shirat e përrallave u rrëzuan
si gjethet e vjeshtës,
iku Borëbardha,askush nuk e di se ku
ikën dhe shtatë xhuxhat,
në krah torbën e jetës.

shtrigat me mollët e kuqe
kanë zënë vend diku tjetër,
Aladini e shoi llampën magjike,
rosaku i shëmtuar fluturoi në mjegull…

Princi i kaltër humbi në pikëllimin e qiejve,
Hirushja prej kohe kërkon sandalen e artë,
nata u bë shpirt…
mëngjesi u bë natë…

Përrallat mbaruan,
mëngjesi u shua,
pas pak vjen perëndimi…
një buzëmbrëmje do i rikthehemi Dantes
për të ditur
në cilën nga tri ndarjet
Ferr, Purgator a Parajsë
do të jetë vazhdimi…

ENIGMA

Në çdo dashuri ka një enigmë
mos u mundoni kurrë ta zbuloni,

fshehur ndoshta në magjepsjen e Orientit të fshehtësisë,
në format e brishta që i dashurojmë deri në vuajtje,
në yjet e ndritur, si lot të skuqur nga mundimi i ndarjes,
në iluzionin e agimit kur zhduket një puthje,

në ujrat e puseve që gurgullojnë mes fijeve të barit.
në degët e rënduara të pemëve nga frutat e pjekura,
në kohën e papritur të ardhjes dhe trishtimin e ndarjes,
dhe në çastet e fundit të mbetura,

në çastin magjik ,kur sytë mbyllen të thonë “jo”
e buzët,
si shegë të hapura që kanë enigmën e tyre,
të thonë diçka tjetër,
si pëllumba të bardhë me gugatjen e tyre,
në çatinë e shtëpisë së vjetër…

Mos u mundoni të zbuloni enigmën e një dashurie,
e kyçur me diell,
e larë nën hënë,
pëlhurë mjegullore,
gjysma e zjarrtë,gjysma e akullt,
buzë thepisjes si lule e mbirë,
me dhimbjen e saj të pashpjegueshme kristalore,
si galaktikë e ngrirë…

Mos u mundoni…
është e kotë,
ajo mbetet si një gonxhe e pahapur trëndafili
që kurrë nuk do të bëhet lule e plotë…

4 shtator 2020…

Takimi mbaroi
firmat u hodhën..
pas pak
delegacionet
do të marrin
rrugën e kthimit…
të lodhur, të pasur,
frymëmekur
ulërin era
në dritaret e kohës,
si një zog i vdekur…

Ku ktheheni , o të marrë,
si kuaj të verbuar
nga shkëlqimi,
marrëveshja
nuk është gjë tjetër
veç iluzion agimi….

Dielli ka zënë vend

mbi gjokset e luftëtarëve të vrarë…

Nëse dielli ikën
nga gjokset e tyre
fillon shkretëtira,
zhduket mirazhi i lirisë,
urithi i natës vjen…
retë e nxira…

në përmendoret e tyre zë vend ndryshku..

Mos e lini diellin të ikë,
ndryshe shtriga Harresë,
në fshehtësinë e natës,
mpreh thikën
për të prerë atdheun
pjesë – pjesë…..

Bjeshkët e Namuna…

Nga cilat hapësira të pakufishme,
nga ç’dhimbje,
cili mallkim ra mbi këto bjeshkë..
nga erdhi kjo përhimje?

Mungojnë degët e pemëve,
uji i burimeve prej kohe ka shterr,
myshku i gurëve ndjell erëmirën,
lëvizin fjalët e pathëna në terr.

Ëndërrojnë bjeshkët,
mes plasave të shkëmbijve
të çelin përsëri,
trëndafilë të egër, të bardhë,
ashtu si unë në këtë vjeshtën time,
rikthimin e rinisë sime të parë…

Nga ç’hapësirë e pakufishme
erdhi kjo dhimbje…

Peisazh vjeshte…

Po çelin gonxhet e fundit
të trëndafilave
të kësaj stine,
e gjelbëra ulet në sy qiellorë,
rrallohen puthjet,
shtohen dëshirat marroqe,
klorofilën e zemrës
mund ta mbash në dorë…

Gëmushat e fshehta të shpirtit
po mbyllen,
Kohë e fundit,
për të rënë në dashuri,
trëndafilat e bardhë
si nimfa valltare,
mbetën në ditët
që nuk kthehen përsëri…

Do të kalojë kaq kohë
deri sa pranvera të vijë,
të çelej gjethi
dhe bari shkëmbijve,
nën cilën hënë do e pres,
askush nuk e di,
ikin kaq ngadalë
ditë netët e dimrit,
fshehur në trishtimin e paqtë të ullinjve…

Share This Article
3 Comments
  • *TRE NENDOREVE SHQIPTARE* V A V D I !

    Mbrodhesi ju uroj i nderuar PENE ZJARTE* Beri Islami, prag*TRE NENDORE SHQIPTAR*,
    Sjelle, krijimtari tuajen POETIKE,Ju prifte e mbara. Ju sa ATDHEUT TONE -KRENARI e HISTORI *..
    E historine, Ju sjelle;ne *Pasuesit veterane*
    Mes Torontos,me ZEMER- Ju falenderojme. *Po perseris ; VARGJE zemre DALE::
    *Nendori Yne NENDOR i LIRISE…
    Nje DIELL te RI, Atdheut tone*.risine…
    *29 NENDORI*,76 vjet me PARE,
    Shqiperine tone;NOHUR BOTA MBARE!
    *Bashkeatdhetare nga jeni e nga sjeni..
    Per Atdheun mbareshqiptar MENDONI!
    Me falni, si *Bir i Dangellise NAIMJANE*
    107 vitet e renies Gjyshit si KAPEDAN(1)
    – KRENOHEM
    Lavadi TRE NENDOREVE SHQIPTARE;
    Bejne te KRENOHET cdo SHQIPTAR!
    *I bien BOTES ane embane…
    Po ATDHEUN ne PLAN te PARE!*
    Mbrodhesi pacin
    Gjak ATDHETAR ne DEJE KANE!

    1- Jano P Xhoga-KAPEDAN.Rene me 10 dhjetor 1913te ne mbrojtie te PV.sa shpallur i Madhei Ismail Qemali me shoke, Fqinet jugore sulmuar.. Faleminderit Qarku i Gjirokastres ne 105 vjetorin e RENIES me TITULL *MIRENJOHIE*- nderuar. Ne muzeun e Permetitm nje portret te ketijKapedani,gdhendur ne DRU,mjeshtri Nebi Matia-Tirane. organet e pushtetit dhe Komuniteti Vetran, vendosur ne MUZE te qytetit.
    Ju faleminderit. i nderuar Gazetar ATDHETAR se pari. Bedri Islami,kete KRIJIMTARI kushtuar:
    *MEMES SHQIPERI*ne prag NENDORES SJELE!

    Nga Toronto me shume konsiderate;30 Tetor 2020.
    Pasuesi VETERAN 85 vjecar..Dh.Xm.Xhoga.
    (nipi Kapedan Jano-Zavalanit)

  • Shume bukur, shoku im i femijerise, Bedri
    Sidomos per Shkodren.
    Nostalgji per ne qe jemi rritur ne ate qytet te bukur e te vecante, e per arsye pune,kemi jetuar ne Tirane.
    RESPEKTE

  • Shokun zgjidhe me te mire se veten !
    *Mamanet NENE *

    Poetin-shkrimtar- Bedri Islamin zgjedhur :
    *Pene ZJARTE* ne Nendor e ka quajtuer
    Sjelle ate krijimtari te tij POETIKE,
    Pershendetur une,me Vargje ZEMRE dale .
    Si gjysh ne PENE amator ne jete,
    Me te tillat Pena *TRINITRINA*une,
    Sot, pra 85 viteve kuvendoj,
    Ndiese atyre ,siamator kerkoj.
    **
    Gjej ne DTARI tim * Nderim kret Poetit*
    Dritero Agolli ne *83 vjetorin e TIJ,
    Muajin Shtator 2014,kujtuar Migjenin
    Na mblodhi Dritero Agolli,kete Tetor…
    Dy kollose Poete Atdhetare,
    Pozite Thirrur *Naim- Migjeniane.*
    Mes Tiranes mbledhur plot shoqata,
    Perfaqesues derguar; pasionate Pena.
    *Citohen krijimet *Dritero Agolli*
    Binjake ato , me *Poezise Mogjeniane*
    Dy data lindie ne nje muaj distance,
    Per MIGJEN e AGOLLI N Ligjerojme.
    Kryevargje Migjeniane *Vargjet e lira*
    Agolli me *Nene Shqiperi* binjak,
    Amanetin e Tij sjelle ne cdo prag
    *Lula te vocerr* akoma egzistojne…
    ** Mbledhur sot,ajka e *Fjales Artistike*
    Krye tyre ,te mirenjohurit pene arte,
    Reshat Arban, * Migjeniani CICERON*
    Fjale AKADEMIKUT -furishem- ushton..
    Gjemon kenga e Agustin Cekes,
    SA ZERI PERLE I kLODIANA LEKES,
    Me tej Poeti, Osman nga Kosova,
    Algena kelmendi,ardhur nga Italia.
    Kushtrim jep:
    Mos na harroni
    Ne atdheun tone..
    Do kthehemi
    ***Ore te terra me POETIN kuvendojne,
    Poete e dashamires kete dite,
    Te Madhin- Poet- Migjenin kujtojne,
    Jete te gjate DRITERO AGOLLIT -UROJNE!

    Tirane 12 Tetor 2014te.. Guri Naimit D.

    VO- Ne nderim e rrespet,nga jeta NDARE
    Gjiganti Devolli plot tre vjjet me pare
    Teksa e madhie Sadie i shkoj PRANE,
    Me dhimbie tej OQEANIt i kujtojme.

    Toronto 05-Janar 2021, Guri Naimit D (Dh Xhoga)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *