Grupimi i tifozëve të Flamurtarit, “Flota kuqezi”, është shprehur kundër rikthimit të Migen Memellit në skuadër. Pas lajmeve të dala në shtyp për mundësinë e kthimit të sulmuesit pogradecar, tifozët kanë bërë të ditur se nuk e dëshirojnë më dhe këtë ua kanë komunikuar edhe drejtuesve të klubit. Memelli ka shënuar shumë gola për kuqezinjtë, por tifozët i mbajnë mërí për shkak të largimit në fillim të këtij sezoni. “Migen Memelli, ti nuk ke vend në Vlorë. Fanellën tonë nuk do e veshësh më. I dashur president, shef i klubit, drejtor teknik e trajner, mos bëni plan dhe mos guxoni që ta merrni këtë lojtar që shikon vetëm interesin e tij! Ne po ju bëjmë thirrje, sepse e duam Flamurtarin dhe nuk duam lojtarë të tillë. Ne do të marrim masat tona nëse ai vishet kuqezi”, është paralajmërimi i tifozëve në rrjetin social. Ndërkaq, e interesuar për Memellin është edhe Tirana, por asgjë nuk është e sigurt, sepse në radhë të parë ai duhet të shkëputë marrëdhëniet me Al Faisalin e Arabisë Saudite, ku u transferua verën e shkuar, bashkë me Gilman Likën.
