Një ushtarak me shpirt kombëtar

Ornela

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Figura e Memo Mete Bratajt është një figurë interesante jo vetëm në trevën e Labërisë, por edhe atë shqiptare, pasi në të pleksen koha, tradita, ushtaraku i sprovuar dhe ai bashkëkohor, tradita ku luftëtarëve popullor u shënoheshin lavdi, por edhe të njeriut bashkëkohor, personaliteti, të  cilit u formua në rrethanat më të vështira dhe komplekse të fillimit të shek. XX.

Ushtaraku i njohur krijoi emrin dhe profilin e tij në një hapësirë marrëdhëniesh, konfliktesh, interpretimesh diplomatike, kur Perandoria Otomane ishte në vështirësi të madha jo vetëm ekonomike, por ushtarake dhe diplomatike, kur ndikimi dhe autoriteti i saj po rrënohej, kur në raportet dhe kënd-figurimet ndërkombëtare ishte shfaqur një ballafaqim në mjaft vende që ajo kishte nën zotërim, për t’u pavarësuar dhe për t’u larguar nga sundimi osman me çdo mjet dhe formë të mundshme.

Në këtë kohë luhatjesh të një perandorie, e cila kishte mbajtur nën sundim Ballkanin dhe vendin e tij për gati pesë shekuj, Memo Mete Brati do të krijonte personalitetin e një luftëtari, ushtaraku, atdhetaridhe intelektuali të kohës, dallueshëm i veçantë, i respektuar dhe shembull i shkëlqyer për të gjithë trevën e Labërisë, jo vetëm të Bratit, që me kalimin e kohës, i përfshirë në zhvillimet me karakter të gjerë kombëtar, dhe emri i tij do të merrte një peshë tjetër. Memo Metet Brati nuk kishte “mbirë” në një tokë djerr, përkundrazi, ai kishte trashëgiminë e një vendi dhe një treve me lavdi, me ngjarje, me personazhe të njohur, të cilët vinin herë përmes tregimeve të të moshuarve, herë përmes këngëve dhe formave të tjera të transmetimit të këtyre trashëgimive, siç ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë.

Brataj është një nga fshatrat e njohur dhe të rëndësishëm në historinë e Lumit të Vlorës, me tradita, zakone me bëma luftëtarësh dhe kapedanësh, të cilët kanë dalë në kujtesën popullore të krahinës dhe atë kombëtare në momente të rëndësishme. Brataj shtrihet në shpatet e malit të Stogoit, ndërsa këmbët i shtrin në ujërat e lumit të njohur të Shushicës. Duke pasur një trashëgimì të rëndësishme që nga fisi i lashtë ilir i amantëve, dhe i njohur nga shekulli II para Krishtit mbi gërmadhat e qytetit të Ledhës dhe me një sërë burimesh të tjera toponimike për lashtësinë e tij, Brataj jo vetëm që vjen si një vend i njohur nga dokumentet e shkruara të shekullit VIII, por edhe përmes burimeve të tjera shkrimore të autorëve të tillë si Karalevski, Nilo Borxha, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Kolë Lukaj, i cili mendon se me emrin Vrohoto (1581) identifikohet me emrin Brataj.

Në hapësirën historike Brataj pati një angazhim të rëndësishëm për shkakun e njerëzve të tij, në të cilët gjithë kohët kanë qenë dhe kanë mbetur të angazhuar në zhvillimet historike të vendit. Duke qenë një element i rëndësishëm i qëndresës dhe historisë së Labërisë, Brataj shfaqet në betejat e udhëhequra nga Gjergj Arianiti (1537, 1581),  për të ardhur në ngjarjet e njohura historike të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Emra të dëgjuar luftëtarësh, që nga Matan Haxhiu, Lilo Qendro, bashkëluftëtarë dhe bashkëkohës të Zenel Gjolekës, Cane Miftarit, Haxhi Hoxhës dhe Tafil Buzit (1847- 1848), vijojnë të përbëjnë udhëvazhdimin e Bratajt deri në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, duke e njohur atë si një vatër luftarake për liri dhe pavarësi.

Brataj është vendlindja e Memo Meto Bratit, një figurë  e njohur luftarake jo vetëm në Brataj po në gjithë Labërinë. Familja e tij trashëgonte punën e blegtorisë, si burim jetese, me nënproduktet e të cilës siguronte jetën, duke shfrytëzuar tregun e Janinës dhe të Beratit, çka kishte ndihmuar për të zënë miq dhe të njohur. I ati i Memo Mete Bratit të vogël, Dero Dervishi (në familjen Deraj kishte edhe një Memo Deraj të parë, siç mund të kuptohet, djali i parë i familjes) kishte kryer shërbimin ushtarak në Edrene në vitin 1772, duke marrë pjesë në armatën osmane ne Egjipt, duke sjellë në familjen e tij një përvojë të rëndësishme për të, fëmijët dhe kohën.

Memo Metja u thirr në ushtri, bashkë me 120 djem nga krahina e Mesaplikut dhe e Dukatit në vitin 1876, duke u organizuar në garnizonin e Janinës. Ai ishte një djalë trim, bujar dhe njerëzor. Tregojnë, se kur djemtë e Labërisë, në rastin e grumbullimit në garnizonin e Janinës, po kërcenin valle, dhe një arixhofke që i binte dajres, i shpërndajnë ato pak të holla që kishte mbledhur, Memo Mete Brati nxjerr nga xhepi tri mexhitet që i kishte dhënë familja për t’i pasur më vete dhe ia kishte dhënë, duke marrë prej saj urimin: “Kudo që të shkosh, të shkeltë këmba hizër, u kthefsh me mall e katandi…”.

Jeta në viset e largëta osmane ishte një shkollë e madhe për të. Pasi u vendos në garnizonin ushtarak të Janinës, në Prevezë, me ngjarjet në Bosnjë – Hercegovinë dhe konfliktit në Bullgari qe vendosur që garnizoni i Prevezës të vendosej në fshatin bullgar Boyak. Ngjarjet në Bullgari kishin precipituar, për të kërkuar zgjidhje nga një komision parlamentar i parlamentit osman, në përbërje të cilit ishte dhe Ismail Qemali. Ky qe edhe kontakti  i parë i Memo Mete Bratit me plakun e mençur dhe njeriun më të rëndësishëm të Shqipërisë në të ardhmen. Po ashtu, në këtë rast ai takoi dhe diplomatin e njohur britanik Sër Henri Eliot. Në këtë rast, Veziri i Madh urdhëroi tërheqjen e trupave nga Bullgaria dhe vendosjen e tyre në Bolu.

Memo Mete Brati e ka konsideruar gjithë jetën dhe veprimtarinë  e tij jetësore një shkollë. Ajo ka qenë një burim i përhershëm për të mësuar. Kështu, në vitin 1884 bashkë me Brahim Musain, ai kreu shkollën ushtarake në Bolu dhe me emërimin e Ismail Qemalit Guvernator të Bolus, ai dhe shoku i tij (Brahim Musai) emërohen në xhandarmërinë e qytetit Bolu.

I gjendur në kushtet e vështira të këtij qyteti, i cili vuante nga bandat grabitëse të çerkezëve të zonës së Duzçesë, Memo Metet Brati tregoi trimëri dh e aftësi, çfarë iu shpërblye me gradimin kapiten e më pas nëntoger. Ndërsa Ismail Qemali i kishte dhënë kujtim një jatagan të larë me serm, në dorezën e të cilës kishte një shënim,- “B.(olu), 1886 I.Q.V”

Tashmë si një ushtarak me përvojë dhe me emër, Memo Mete Brati deri në vitin 1901 shërbeu si ushtarak në Galipoli, Jemen, Siri, Stamboll e  gjetkë, shërbim që ndihmoi në formimin e tij profesional, kulturor dhe intelektual. Ai u formua në një kohë me plot ngjarje dhe zhvillime brenda Perandorisë Otomane, por edhe të lëvizjes atdhetare shqiptare, veçmas në Vlorë dhe në Bratajn e tij të dashur. Këto zhvillime i kishin dhënë Meto Metaj Bratajt një intensitet jetësor, një mësim të vazhdueshëm dhe një aftësi për t’u orientuar në gjithë këto morì ngjarjesh, siç edhe ai tregoi gjatë gjithë jetës.

Në vitin 1897 Memo Mete Brati kreu edhe kursin e lartë ushtarak të Artilerisë Bregdetare në Stamboll, duke e bërë atë një ushtarak të kompletuar me të gjithë nivelet e rëndësishme të ushtarakut të kohës. Gjatë gjithë kohës ai nuk u shkëput nga Ismail Qemali, por edhe me shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, të cilët kontribuonin dhe ishin përfshirë në lëvizjen atdhetare shqiptare mu në zemrën e perandorisë si: Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja dhe aktivistë të tjerë të kësaj çështjeje. Ndërkohë ai kishte arritur të kishte një komunikim të rëndësishëm në gjuhën turke, perse, osmanishte dhe pak greqisht. Për kohën kjo pasuri intelektuale komunikimi ishte mjaft e rëndësishme jo vetëm për Memo Mete Bratin, por edhe më elitën politike dhe diplomatike të kohës.

Në fillimshekullin XX, ku ngjarjet e rëndësishme historike të Lidhjes së Prizrenit, me një qartësi të jashtëzakonshme politike kombëtare përbënin një detyrë të rëndësishmeedhe për këtë kohë, deri në Shpalljen e Pavarësisë, Memo Mete Brati ishte me detyra ushtarake të rëndësishme, por i përfshirë edhe në angazhimet politike të kohës. Gjatë viteve 1905-1907 ai shërbeu në Manastir dhe në Janinë si ushtarak, bashkë me Toto Hosin, ushtarakun e njohur Ahmet Lepenica, Ismail Lesko Progonati dhe Brahim Selimin, figura të njohura ushtarake, të cilët do të përfshihen dhe më vonë në ngjarje të rëndësishme të Shpalljes së Pavarësisë dhe mbrojtjes së trojeve shqiptare. Shpallja e revolucionit xhonturk, krijoi një raport dhe një marrëdhënie tjetër të ushtarakëve të perandorisë, por edhe të marrëdhënieve të popujve ballkanas me perandorinë. Memo Mete Brati ishte në qendër të këtyre zhvillimeve, për shkakun e detyrës që kishte si ushtarak i kohës. Në këto rrethana Memo Mete Brati në vitin 1908 (korrik) transferohet në garnizonin ushtarak të Vlorës, ku natyrisht, qyteti i njohur i atdhedashurisë vlonte nga brenda me zhvillime të befasishme dhe të herëpashershme, për shkakun e një brezi intelektualësh dhe patriotësh, të cilët ishin shfaqur në horizontin politik të vendit dhe të kohës.

Memo Mete Brati mbeti në thelb një patriot i madh. Ai ndiqte me një interesim të veçantë veprimtarinë dhe rrugëtimin e vështirë, por të rëndësishëm dhe jetik për popullin të Ismail Qemalit. Në vitin 1908 (shtator) Ismail Qemali vjen në Vlorë. Plaku i mençur kishte një projekt të madh për të ardhmen e Shqipërisë, siç edhe e tregojnë burimet e themelimit të Pavarësisë së Shqipërisë. Atë e priti paria dhe ajka patriotike e Vlorës, që nga Abaz Mezini, Qazim Kokoshi, Ymer Radhima, Elmaz Xahferi,Ibrahim Abdullai, Alem Mehmeti, Memo Mete, Toto Hosi, Jani Minga, Shahin Haruni, Hamza Isai, Rakip Gjoleka, Murat Tërbaçi, Hamit Selmani, Sali Murati, me ç’rast këta patriotë përgatitën terrenin për zgjedhjen e tij deputet në parlamentin turk. Ismail Qemali me këtë rast bëri takime në Vlorë, Dukat, Tragjas, Kaninë, Mesaplik, Vranisht, Mallakastër, Berat, Skrapar dhe krahinat e tjera të Vlorës.

Për arsye të njohura në të cilat gjendej vendi, ardhja, takimet, ballafaqimet, por edhe përplasjet që ndodhën gjatë këtyre ditëve të takimeve të Ismail Qemalit me njerëzit ishin të një rëndësie të madhe. Lëvizja kombëtare shqiptare në këtë rast mori një dimension tjetër të rëndësishëm. Memo Mete Brati e shoqëroi Ismail Qemalin, duke qenë një mbështetje e madhe sigurie për të. Me të drejtë në shënimet që sjellin bashkëkohës të këtyre ngjarjeve shënojnë se Memo Mete Brati, Ahmet Dyrmishi, Hamza Isai, Elmaz Xhaferi  dhe Beqir Velo Kanina ishin pararoja e Ismail Qemalit, kudo ai shkoi, por veçmas në krahinën e Mesaplikut,  i cili ndër të tjera citohet të ketë thënë: “Bratin e kam më vete, e kam pushkë për shtigje të liga, Jam i gëzuar që ju shoh, po kam udhë për të bërë e më presin shumë punë…”. Kjo ishte një mbështetje e madhe që Ismail Qemalit iu dha për t’u zgjedhur deputet në parlamentin xhonturk, me ç’rast do të luante një rol të madh për ngjarjet e mëvonshme lidhur me pavarësinë e Shqipërisë.

Që në fillim të shekullit XX, lëvizja atdhetare në Vlorë kishte marrë një zhvillim të madh. Patriotët gjetën forma dhe mënyra të shumta për t’u organizuar. Në kuadrin e Lëvizjes Kombëtare në Vlorë u themelua Klubi atdhetar “Labëria”, një nga klubet e njohura, rreth të cilit u afruan atdhetarë të njohur dhe bashkëpunëtorë me përvojë në qytete të njohura të kohës si: Selanik, Stamboll, Janinë, por edhe në qytetin e Vlorës. Në vitin 1908 rreth Klubit “Labëria” militonin personalitete të tilla si:  Ibrahim Abdullahu, Hamza Isai, Elmaz Xhaferi, Jani Minga,Leonidha Naçi, Thanas Floqi, Ymer Radhima, Abaz Mezini, Sali Hallko, që përveç Vlorës, ku ai e kishte qendrën, vepronte edhe në Mesaplik, Dukat, Himarë, Treblovë, Topallti, Kudhës – Sevaster me një rreth të gjerë veprimtarësh dhe aktivistësh.

Pas çeljes së shkollës shqipe të Muradijes, klubi i njohur kërkonte çeljen e  shkollave të tjera në fshatra dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Memo Mete Brati ishte një nga veprimtarët  e njohur të Klubit “Labëria”, duke qenë një nga mbështetësit e shkollës shqipe, i cili kishte mësuar të shkruante shqip sipas abetares së Sami Frashërit e bashkë me një grup atdhetarësh vlonjatë, punonin për mësimin nëpër shtëpi dhe në kushte të tjera të shkrimit të shqipes (Memo Mete Brati në Brataj, Zaçe Xhelo në Mesaplik, Zoto Rakipi në Ramicë, Murat Tërbaçi e Laze Malo në Tërbaç, Pasho Ramadani e Sali Hallko në Vranisht, Hysni Shehu në Sevaster, Arif Mëhilli në Kuç, Arif Rushani në Bolenë etj., Kristo Karbunara ishte një nga eksponentët e njohur, i cili punoi shumë për sjelljen e librave shqip nga kolonitë e mërgimtarëve shqiptarë në Bukuresht, Sofje, Kajro etj., i ndihmuar edhe nga Isuf Bushi në Janinë.

Një nga mjetet efikase për të përhapur idetë që Klubi “Labëria” kishte lëshuar në terrenin patriotik të Vlorës me krahinat në të gjithë Jugun, mundësisht edhe në Shqipërinë e Mesme, apo edhe jashtë, ishte komunikimi dhe lidhjet e tij me shoqatat dhe organizatat e tjera atdhetare patriotike, të cilat ishin krijuar gjatë kësaj kohe apo më herët. Gjatë kësaj kohe Klubi “Labëria” rezulton të ketë marrë kontakte bashkëpunimi edhe me klubin “Zgjimi” të Janinës.

Gjatë këtyre veprimtarive Memo Mete Brati ishte një nga njerëzit e rëndësishëm të Klubit “Labëria”. Ndërsa në vitin 1909 Ismail Qemali njoftonte Klubin se ishte larguar nga Stambolli, pas grushtit të shtetit të sulltanit Abdyl Hamiti, i cili nuk mundi të rezistonte gjatë, pasi ai  u akuzua nga xhonturqit si njëri nga organizatorët e grushtit të shtetit. Edhe pse akuzat ndaj Ismail Qemalit ranë, në Vlorë, Berat, Janinë  e Delvinë xhonturqit filluan reprezaljet. Një pjesë e anëtarëve të Klubit “Labëria” u arrestuan, ndërsa Memo Mete Brati u pushua nga detyra ushtarake dhe u kthye në vendlindje. Bashkë me disa atdhetarë të tjerë Memo Mete Brati ishte në listën që kërkoheshin nga komanda ushtarake e xhonturqve në Vlorë. Në këto rrethana ai dhe anëtarë të tjerë të Klubit, u detyruan të jetonin në stane (siç ishte ai i Muharrem Tartarit në pllajat e Gumenicës), në limeret e Ramadanajve në Gurra të Vranishtit, në Bolenë, Krahës dhe ndonjë vend tjetër.

Vlora dhe gjithë Shqipëria në dekadën e parë të shekullit XX, u përfshinë në një valë protestash, të cilat luftëtarët dhe ideologët e kohës mendonin se duhej të çonin në kryengritjen e armatosur të shqiptarëve për realizimin e njërës nga kërkesat politike më të rëndësishme, atë të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Memo Mete Brati ishte përfshirë thellësisht në këtë lëvizje, politike, ushtarake dhe historike, duke qenë njëri nga njerëzit më aktiv në Vlorë dhe në rrethinat, bashkë me veprimtarët e njohur të këtyre zhvillimeve. Ai ishte përfshirë në shoqërinë “Për Lirinë e Shqipërisë”, ku bashkë me patriotët e njohur Laze Malo, Brahim Musai, Zaçe Xhelo e të tjerë diskutonin në shtëpinë e tij marrëdhëniet e ashpra të shqiptarëve me xhonturqit, por edhe të gjendjes së Ismail Qemalit në emigracion, i cili kishte parashikuar lëvizjen shqiptare dhe në përmasat e një lëvizje të armatosur kur kishte thënë: “Juve që kini për fis trimërinë, që keni mëmëdhe malet e shtëpi pyjet e lisit, s’e keni marrë vesh akoma, që ai njeri që do të rrojë i lirë, nuk e pret ndihmën nga të huajt, Lipset vet të thyejë hekurat  e tija, lipset me krahët e tij të rrëmbejë lirinë…”.

Ismail Qemali pas kryengritjes së vitit 1910 u kthye në parlamentin xhonturk, ku bashkëpunoi me Hsan Prishtinën, Nexhip Dragën dhe Shahin Kolonjën në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare. Në vitin 1910 përmes Italisë Ismail Qemali zbriti në Vlorë, me ç’rast në takime me njerëzit e shquar të Vlorës mësoi për gjendjen në qytet dhe në rrethina. Duke parë pakënaqësitë, nivelin e revoltës dhe ndjenjën kombëtare të Vlorës, por edhe qyteteve apo malësive të tjera të Shqipërisë, Ismail Qemali mendonte se shqiptarët do të shpërthenin në një kryengritje të armatosur në pranverë. Patriotët shqiptarë, njëri nga të cilët ishte edhe Memo Mete Brati, u përfshinë në takime të shumta, madje deri në Korfuz, Brindizi, Bari e gjetkë, me Themistokli Gërmenjin, Ismail Qemalin, Fazil Toptanin, Nikolla Ivanajn, Namik Delvinën, për t’i dhënë përmasë kombëtare kryengritjes kundër xhonturqve përmes komiteteve të Fshehta “Për Lirinë e Shqipërisë”. 

Kësaj situate në Vlorë dhe në rrethinat e saj atdhetarët iu përgjigjën me krijimin e çetave luftarake, në krijimin e të cilave luajtën rol Memo Metja me shokët e tij Toto Hosi, Sali Murati, Azem Sulua, Ali Metushi, Zaçe Xhelo e Beqir Velo. Patriotët e Vlorës organizuar kuvende (Kuvendi i Drashovicës), korrik 1911, takime me eksponentë luftarakë për krijimin e forcës, u dërguan memorandume Portës së Lartë, pasi Plaku i urtë i Vlorës parashikonte, se me shembjen e perandorisë osmane  në Ballkan, Shqipërisë i rrezikohej qenësia e saj territoriale.  Në këtë kohë Memo Mete Brati është në krah dhe nën drejtimin të luftëtarëve të Mesaplikut, të komanduara nga Zaçe Xhelo që ishin vendosur në Mesarak të Armenit dhe në kodrat e Cakranit, ku u përleshën me ushtrinë xhonturke.

Në prill të vitit 1912 Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin erdhën në Vlorë, Berat dhe Skrapar, ku me krerët e Komiteteve “Për Lirinë e Shqipërisë” biseduan për kryengritjen e përgjithshme, e cila nisi ashpër në Kosovë, duke e tronditur rëndë Portën e Lartë, e duke e detyruar qeverinë xhonturke të dorëhiqej. Gjatë kësaj kohe (korrik 1912) në Jug, u bë kuvendi i Qishbardhës, në mbrojtje të të cilit ishte Memo Mete Brati bashkë me 70 luftëtarë si dhe Zaçe Xhelo me 59 luftëtarë. Kuvendi i drejtoi një memorandum Portës së Lartë, në të cilin kërkohej autonomia e Shqipërisë. Në zhvillimet ushtarake dhe ato politike të kësaj kohe, Memo Mete Brati ishte njëri nga patriotët më aktivë, pjesëmarrës i pjesës më të madhe të takimeve më të rëndësishme, pë realizimin e kërkesave të Kuvendit të Gerçes.

Në vitin 1912 monarkitë ballkanike kishin dalë hapur në synimin për copëtimin e trojeve shqiptare. Këto aleanca ballkanike i kundërshtonte vetëm Austro – Hungaria. Në këto kushte në Shqipëri, në qytete dhe krahina të caktuara, u ringritën Komitetet “Për lirinë e Shqipërisë”. Memo Mete Brati kishte qenë edhe më parë anëtari i Komitetit “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, kështu që në këto kushte bashkë me shumë luftëtarë dhe patriotë të shquar, më 22 tetor 1912, qe bashkë me to në shtëpinë e Ymer Radhimës, ku u morën tri vendime të rëndësishme: Mobilizimin e luftëtarëve për mbrojtjen e Janinës, krijimin e Qendrës Administrative të Shkozës për furnizimin e luftëtarëve me armë, municione dhe veshmbathje  dhe zënien e vijës mbrojtëse  në malet e Vetëtimëve deri në Kurvelesh. Memo Metja shkoi në frontin e mbrojtjes së Janinës, duke mbetur fronti më i vështirë dhe i rëndësishëm i kësaj lufte, për të cilën interesohej vetë Ismail Qemali.

Kur Ismail Qemali po vinte drejt atdheut në fund-nëntorin e vitit 1912, Memo Mete Brati shkonte nëpër fshatrat e Vlorës për të bërë të ditur fitoren e madhe, e cila ishte njoftuar më herët. Njerëzit gëzoheshin pa masë. Kuvendi i madh i Shpalljes së Pavarësisë ishte një ngjarje e madhe për shqiptarët. Memo Mete Brati ishte përfshirë në çetën e luftëtarëve që do të priste Ismail Qemalin në urën buzë lumit Vjosa, pasi jeta e tij dhe e njerëzve me të cilët udhëtonte Plaku i Vlorës rrezikohej. 28 nëntori 1912 nga ballkoni i shtëpisë së Xhemil bej Vlorës do të ishte një ditë e rëndësishme për popullin dhe kombin shqiptar, siç do të ishte një kohë e ngarkuar me detyra dhe sakrifica për luftëtarët si Memo Mete Brati, i cili do të vihej në mbrojte të saj, Ismail Qemalit dhe qeverisë së tij.  Në jo pak raste bashkë me luftëtarët të tij, ai do të qëndronte në male dhe zonat e thella të Labërisë në mbrojtje të trojeve shqiptare, kundër ushtrisë greke, në Borsh, Kuç, malet e Vetëtimës, Kudhës – Grehotit e Qafën e Llogorasë. Në krah të tijdo të ishinedhe luftëtarët e shquar popullorë Sali Murati,Rakip Gjoleka, Zaçe Xhelo, Toto Hosi etj.

Në ditët e fundit të dhjetorit 1912, Qeveria e Vlorës dhe Ismail Qemali e ngarkuan Memo  Mete Bratin, me detyrën Komandant i Përgjithshëm i luftëtarëve për mbrojtjen e viseve jugore të vendit. Në kujtimet e tij, Arshi Xhelili shënon: “U mblodh tërë krahina e Lumit të Vlorës në kuvendin  te ura e Vaut në Tërbaç, ku ministri i Luftës Mehmet Pashë Derralla dhe ministri i Arsimit Luigj Gurakuqi lëshuan thirrjen e Qeverisë së Vlorës: “Atdheu në rrezik”. Ministri i Luftës, pasi lexoi urdhrin për Memo Mete Bratin, u nis në krye të 250 luftëtarëve për në frontin e luftës në Janinë…”.  Një dëshmi të saktë na sjell nga fronti i Janinës edhe ushtaraku Çerçiz Sihati, në ditarin e tij, ku thotë: “Pas ditëve të para të luftimeve në afërsi të Janinës, ku u plagosën shumë vetëdashës shqiptarë, erdhën të dërguarit e Qeverisë së Vlorës, Mit’hat Frashëri, Memo Mete Brati, Namik Delvina dhe Hamza Isai. Me urdhrin e Memo Metes, të plagosurit u transportuan me karvanë, nga fronti  i Janinës në spitalin e Shkozës në Sevaster, ku e kishte ngritur Qeveria e Ismail Qemalit”.

Fati i qeverisë së Vlorës tashmë dihet. Gjithsesi Ismail Qemali i dha një dëshmi të rëndësishme kundërshtarëve të Shqipërisë, dhe diplomacisë e shteteve të huaja lidhur me fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria e tij ishte një përvojë e rëndësishme për të ardhmen. Në kushtet e një lufte të ashpër brenda dhe jashtë vendit Ismail Qemali dorëhiqet. Në rrugëtimin e tij drejt Italisë atë e shoqëroi njeriu i afërt i mëhershëm që nga Bullgaria, Memo Metet Brati, i cili gëzonte mirënjohjen dhe besimin e tij të plotë dhe të përhershëm.

Të shumta janë në Labëri, këngët popullore dhe rrëfimet  për Memo Meten, gjatë  shoqërimit të Ismail Qemalit nga Vlora në Brindisi. Sapo e panë gazetarët italianë, që Memo Metja ishte i veshur me kostumin kombëtar, e ndaluan dhe i kërkuan intervistë, në të cilën tha: “Vendi im është një luan i plagosur nga çakejtë e Ballkanit, por ai do të fitojë lirinë dhe do të bëhet një vend i përparuar si vendet e tjera të Europës…”. Ky optimizëm i tij, bëri që në faqet e gazetave “Picolo di  Triesta”, “Nazione L’Albanese” apo “Il giornale D’Italia” të botohej intervista, si  dhe portreti i tij ne veshje kombëtare.

Pushtimi i Vlorës nga Italia me rastin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërorë e gjeti Memo Mete Bratin në Brataj. Në këtë kohë atij iu kërkua që të shërbente në Vlorë në komandën ushtarake italiane, të cilën ai e kundërshtoi prerë, duke thënë: “Një jetë të tërë luftova që vatani të mos e kishte lakun në grykë. Tani zemra më është plakur e pikon helm kur shoh pushtonjësit e rinj që na kanë zaptuar përsëri.” Memo Mete Brataj kundërshtoi edhe emërimin e komandantit të post- xhandarmërisë italiane të krahinës. Gjatë kësaj kohë bashkë me atdhetarë dhe luftëtarë të tjerë të Bratit dhe Mesaplikut filluan organizmin për rezistencën anti-italiane të krahinës, e cila përbënte një rrezik të madh për ata.

Qëndrimi në Brataj i Memo Mete Bratit nuk ishte i qetë. Atë nuk e linte ndërgjegjja të qetë. Ai shkonte në Mesaplik dhe shpesh takohej me luftëarë të njohur të kohës si: Abdurrahmani Çirakun, Sali Muratin, Azem Sulon, Laze Malon,Rexhep Sulejmanin, Çaush Mehmetin, Arif Mëhillin, Toto Hosin, Mato Robin, Arif Rushanin dhe të tjerë në të gjithë pikat e nxehta të rezistencës popullore, dhe kërkonte bashkëpunim, organizim për rezistencë ndaj pushtuesit italian. Në 22 shkurt 1918 në Mesaplik, në shtëpinë e Zaçe Xhelos krijohet shoqëria atdhetare “Opinga”, e cila synonte të mbante rreth vetes atdhetarë dhe luftëtarë popullorë, njëri nga të cilët ishte edhe Memo Mete Brati. Shoqëria kishte një program të mirë detajuar, i quajtur ndryshe dhe Kanonizma.

Në mars të vitit 1920 në shtëpinë e Osman Haxhiu u themelua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, i cili lëshoi “Thirrjen” për përgatitjen e kryengritjes së armatosur, kryengritje e cila do të shënonte epopenë e Luftës së Vlorës në vitin 1920. Në takimin e Lepenicës, me kryeministrin  Sulejman Delvina e Osman Haxhiu, në ditët e fundit të marsit në stanin e atdhetarit Ahmet Lepenica ishte i pranishëm edhe Memo Mete Brati. Ai ka marrë pjesë edhe në takimet e kuvendimet me fshatarët e Kallaratit, Kuçit, Qeparoit, rrepet e Ismail Qemalit në Mesaplik. Në shtëpinë e Memo Mete Bratit në maj të vitit 1920 u strehua familja e Osman Haxhiut, e cila rrezikohej nga pushtuesi italian të eliminohej.  Memo Mete Brati ishte pjesëmarrës në kuvendin më të rëndësishëm që lidhet me Luftën e Vlorës, atë të Barçallasë, i cili më vonë vihet n krye të çetës së Bratit me 76 luftëtarë, si dhe anëtar i Këshillit të Luftës.

Çeta e Bratit bashkë me ato të Tragjasit, Dukatit dhe Vranishtit rrethuan garnizonin armik që gjendej në Gjorm, një luftë të cilën e fituan luftëtarët e këtyre çetave, me ku u vranë rreth 40 ushtarë italianë. Në kronikën e luftërave të kësaj çete është edhe ajo e Qafës së Llogarasë, krah çetave të Dukatit, Radhimës, Gjormit dhe Lepenicës, ajo e Kallafetit, e malit të Shashicës, ajo e marrjes së Kalasë së Kaninës të drejtuar nga Memo Mete Brati, Beqir Velo, Sali Murati, Selman Hyseni, Ali Metushi, duke shënuar një epokë me shkëlqim heroizmi dhe fitoreje të një lufte të drejtë, kundër një pushtuesi të fuqishëm.

Pas mbarimit të Luftës së Vlorës, në një takim solemn, ku një vend nderi e kishte edhe Memo Mete Brati, luftëtari i njohur, tha: “Osman Efendi, nderi i luftës dhe i armëve tona, do që të parat çeta të hyjnë në qytet, pas Komitetit, ato që kanë shehitë më shumë në këtë luftë…”, me kuu nderuan çetat popullore të kësaj lufte, si ajo e Rrëzës, Shullërit, Kurveleshit, Dukatit, Sevasterit, Mesaplikut etj, duke i dhënë vendin e duhur  edhe nderimin fitores. Paria e Vlorës u angazhua të krijonte rregull dhe administrim të qytetit, për manifestimet e 3 shtatorit 1920.

Pas Kongresit të Lushnjës në Shqipëri pati zhvillime politike të rëndësishme. Integrimi i vendit në një skemë mirë-funksionale ishte i vështirë. Varfëria ishte një çështje që prodhonte konflikte, përplasje dhe qëndrime konfliktuale.  Vjeshta me shira e vitit 1920 kishte dëmtuar gjithë prodhimin bujqësor në krahinën e Labërisë. Përballë detyrimeve shtetërore fshatarët ishin të shtrënguar të protestonin për të mos dhënë detyrimet e tyre vjetore.  Paria e Vlorës edhe qendrave të krahinës u vunë në lëvizje për të shmangur urinë, e cila e kërcënonte popullsinë. Ndërkohë një nga punët e rëndësishme ishte edhe pajtimi i gjaqeve, pasi hasmëritë përbënin një pengesë serioze në normalitetin jetësor dhe aktivitetin prodhues bujqësor dhe blegtoral të zonave malore në Labëri. Memo Mete Brati iu vu në shërbim një lëvizjeje të tillë. Takime të kësaj natyre u bënë në dimrin e vitit 1921 nën drejtimin e Sali Hallkokondit dhe Halim Xhelos në Mesaplik, në fundin e verës së vitit 1921, po në krahinën e Mesaplikut në shtëpinë e Zaçe Xhelos, ku merrnin pjesë burrat më në zë dhe me ndikim në krahinë, njëri nga të cilët vazhdimisht ishte Memo Mete Brati, duke qenë dhe firmëtari i këtyre akteve madhore, siç ishte edhe Kuvendi Zakonor i Kuçit, 28 nëntor 1924 .

Takime të tilla vazhduan edhe në vitet 1922, 1923, 1924 në Mallakastër, Pellgun e Delvinës, në Zhej të Zagorisë, u interpretuan mjaft mirë e drejta zakonore e Labërisë (kanuni i Papazhulit dhe shartet e Gjokutës). Memo Mete Brati ishte anëtari aktiv dhe i degës së shoqërisë “Bashkimi” në Vlorë, e cila një nga kërkesat e saja themelore kishte “ndërtimin e një Shqipërie  në bazë të parimeve  të Evropës së qytetëruar.” Memo Mete Brati bënte pjesë në rrymën politike të nacionalistëve, edhe në zgjedhjet e vitit 1923 midis 178 zgjedhësve, ai u radhit në anë e bllokut demokrat, i cili i dha një zhvillim të ri proceseve demokratike në vend.

Memo Mete Brati u shua në 14 nëntor 1927. Vdekja e tij trishtoi krahinën dhe Vlorën. Atdhetari Murat Tërbaçi në varrimin e tij ka thënë: “Memo Metja, ky luftëtar lirie, iu gjend atdheut  në kohët më të vështira me pushkën dhe mendjen e tij, me sofrën dhe bujarinë e tij. Në këtë ditë, në këtë minutë, Stogoit iu shkëput një shkëmb dhe kjo shkëputje, kjo vdekje ka hidhëruar tërë Labërinë dhe Vlorën…” Tregojnë se këtë dhimbje e ndjeu thellë edhe Osman Haxhiu, i cili thuhet se ka pritur ngushëllime për Memo Mete Bratin në Vlorë dhe në shtëpinë e tij në fshatin Picar.

 

 

Share This Article
6 Comments
  • Bardhosh , kerko te ngrihet nje shtatore GJERGJ ARIANITIT ne Vlore qe ishte i pari kunder turqeve .. says:

    ..se te tjeter u zgjuan hatehere kur porandoria osmane kish mbaruar

    • Gjergj Arianti nuk e kishte principaten e tij ne Vlore por ne rajonin e Elbasanit nga te dyja anet e Shkumbinit. Gjergj Arianiti nuk ka lidhje me Vloren. Ne kohen e luftrave te Skenderbeut Vlora ishte e pushtuar nga perandoria. Mos i ngaterro te vertetat historike.

  • Të lumtë pena, o intelektual atdhetar!
    Je një nga studiuesit e paktë që me fakte e dokumente dhe stil të rrjedhshëm bën çmos të popullarizohen
    vlerat e historisë së popullit shqiptar.
    Figura të tilla vërtet jetonin në Perandorinë Osmane, por asnjëherë nuk i humbën ndjenjat kombëtare shqiptare; prandaj meritojnë të nderohen kurdoherë.
    …U bënë nja tri dekada që kur ca studiues të tjerë, të cilëve u ka marrë koka erë, e shesin si “patriotizëm” faktin që disa shqiptarë janë bërë ose bëhen vegla të të huajve kundër Shqipërisë.
    Ju në çdo shkrim flisni për atdhetarët e vërtetë. Kjo ju nderon. Kjo i duhet kombit.

  • Ky na shkruan pordhe me rigon.Ky trim me flete paska perfunduar coban me dhi, po mjafte me keto se u bene te gjithe heronj, kur ne fakt nuk kane luajtur as gishtin per Shqiperine. Kur kane qene kaq burra te mire pse nuk krijuan nje shtet shqipetare por erdhen e ruanin dhite!

  • *miku*komentues,, mire qe e shkruan emrin me te vogel germe, se i vogel je….
    Ata te *dhive*dhe*parmendes*- i dolen Zot atdheut…
    Dhimbia e madhe Popull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *