Mesfushori i kombëtares shqiptare Ledian Memushaj ka folur sot së bashku me portierin Etrit Berisha në një konferencë për media pas stërvitjes në kompleksin “Bad Waltersdorf”.
Lojtari i Pescarës thotë se detyra e futbollistëve është të stërviten për të arritur një formë të mirë, ndërsa thekson se zgjedhjet i takojnë trajnerit De Biazi.
“Zgjedhjet i bën trajneri, ne thjesht duhet të tregojmë në këto stërvitjet që zhvillojmë, formën tonë. Unë do të kërkoj nga vetja, të jap më të mirën dhe të jem në formë”, u shpreh ai, i pyetur në lidhje me dëshirën për të qenë brenda listës me 23 futbollistë që do të shkojnë në Francë.
Memushaj shprehet se arritja në finalet e Evropianit është kulmi në karrierën e tij si futbollist.
“Unë kam 20 vjet në Itali duke shkuar atje si emigrant, tani jam finalist i Europianit 2016. Kjo është kënaqësia më e madhe për mua dhe për të gjithë popullin shqiptar. Arritja në finale, e ekipit tonë kombëtar, është një kulm për karrierën time dhe një krenari e madhe për të gjithë popullin shqiptar”, theksoi ndër të tjera Ledian Memushaj.
