Mendime mbi tiparet dalluese të poezisë së poetit minoritar Vangjel Zafirati

redaktor

Vangjel Zafirati është një poet nga Jugu i vendit. Banor i përhershëm i qytetit të Sarandës. Drita dhe dielli i këtij qyteti, lirizmi e romantika e tij, nuk mund të mos shfaqen edhe në poezinë e këtij autori. Studiues e poetë të ndryshëm, duke folur për poezinë e autorit nxjerrin në pah disa nga karakteristikat e tij dalluese si krijues, e karakterizojnë shumë herë si “poet të vizatimit metaforik” apo e “të imazheve poetike me jetën në tërësi, si argument filozofik në ndjesinë e njeriut…”. Këto e vlerësime të tjera janë bërë duke patur parasysh poezitë e dy vëllimeve të fundit, “Qyteti me diell” dhe “E zeza është e bardhë”

Vangjel Zafirati, është një krijues origjinal. Origjinaliteti është dallues ne krijimtarinë e tij, në shumicën e rasteve me një skicim e fokusim sa klasik e modern. Poezia e ti të zgjon ndjenja të veçanta, të fut në një botë tjetër që e ke parë edhe vetë, veçse nuk ke përjetuar pikërisht atë që përjetoi poeti dhe qe e kthen në poezi, në art. Në shumë nga poezitë e Zafiratit takojmë vargje plot dhimbje të heshtur. Në rastin e poezive me motive nga e sotmja, ngjallen mitet, legjendat në funksion të mesazhit filozofik që përcjellë autori. Poezia e tij është plotësisht e qytetëruar dhe moderne, në konceptimin bashkëkohor të problematikës, në shkurtësinë strukturore çlodhëse, në fjalorin e pasur e pikant, në tëharrjen e egërsisë dhe në butësinë me të cilën kumtohen të vërtetat e mëdha…Poezia e tij, për shkak të nënshtresave kulturore e të traditës, nuk mund të mos mbartë një ndjenjë drame e legjende. Kjo ndihet akoma edhe në poezitë me pak vargje, si tek ato me titull “E diel në fshat” “ Pak plaka veshur në të zeza./ Ndrin mermeri/ i bardhë në varreza./Trokëllima e një kali/ në rrugët e ngushta./ Apo,/ koha ishte dhe legjendat “

Poezia e këtij autori, ashtu siç theksuam edhe më lart, dallohet nga ngjyrimet e shumta metaforike. Edhe ngjyrimet e jashtme që ndonjëherë të krijojnë idenë e peizazhit, të fotografimit, mbartin më vete kontekst filozofik. Shumë herë, ndërsa lexon poezitë e tij, të krijohet ideja se Vangjel Zafirati nuk shkruan, por pikturon. Këtë fakt, të ngjyrave e pikturës, e kanë konstatuar e shprehur edhe krijues të tjerë qe kanë folur për poezinë e tij. Poetja bullgare Tatiana Liubenova, në parathënien e vëllimit që shoqëron botimin në bullgarisht, shprehet: “…Poezitë e Vangjel Zafiratit, janë një peizazh i pikturuar me ngjyrat më të mira të shpirtit njerëzor e të vendlindjes së tij. Në poezitë e tij shfaqen figura-piktura me ngjyrë pastel… Kur i lexon, të lind një ndjesi e veçantë, sikur prek pavdekësinë, si tek poezia “Selvia” etj”. Në të njëjtën linjë, Bardhyl Μaliqi, komenton: “…Me sytë e piktorit, disa nga këto poezi i shoh si akuarele, disa si portrete e peizazhe me ngjyra vaji, me ngjyra të ngrohta e diellore, si vetë fryma e këtij libri…”

I atij mendimi është edhe poeti dhe shkrimtari gjirokastrit Odise Kote. Duke folur për poezinë e Zafiratit në vëllimin “Qyteti me diell” e cilëson atë “poet të vizatimit metaforik” e për të vazhduar më tej: “Poezitë e vëllimit “Qyteti me diell” janë pranuar, sepse kanë sharmin elegant dhe fatin të sjellin prurje të rëndësishme në lumin e madh poetik shqiptar… metafora është mbretëresha, parabola. Në këtë trajektore ecën dhe poezia e Zafiratit, duke na dhënë shenjën e sigurt se po vjen një poet nga raca e përzgjedhur e poetëve, që kërkon të jetojë gjatë.

Vangjel Zafirati është një poet biling, shkruan edhe shqip edhe greqisht. Duke e parë nga ky këndvështrim, studiuesi i njohur Fatmir Terziu në një artikulli të tij shprehet: “Poeti Vangjel Zafirati është jetëlidhja poetike mes dy kulturave. Vargu i tij është jetëkultura që lidh, dimensionon, udhërrëfen, pikëtakon, transmeton detaje qe lidhen me bashkëjetesën, forcën e traditën e kësaj bashkëjetese të ardhur nga vetë natyra jetëdhënëse…

Duke i mbyllur këto shënime, do t’i rikthehemi edhe një herë Odise Kotes që thotë për Zafiratin se “te Zafirati kemi një akumulim e përvetësim mbresëlënës të esencës, thelbit të dy kulturave poetike, shqiptare dhe greke. Lum si ai që ka pirë në këto dy burime!”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *