Marko Dajti
Kryetari i PPR
Vrasja e bankierit Artan Santo, drejtor ekzekutiv i të vetmes bankë shqiptare, tregon se sa i ekspozuar është ky sektor kaq delikat për ekonominë shqiptare. Edhe më shqetësuese është mënyra se si u krye ky ekzekutim makabër, në zonën më të sigurt të kryeqytetit. Partia e Punës e Riorganizuar ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve analiza të zgjeruara me ekspertë të vjetër të sigurisë kombëtare dhe ish-kuadro të kundërzbulimit shqiptar. Ekspertët thanë se gjatë analizës së informacioneve të mbledhura prej tyre gjatë ditëve të fundit, rezulton se dyshimet më të mëdha bien mbi shërbime të huaja, të lidhura ngushtë me filiale të bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri. PPR shikon të arsyeshme t’i bëjë edhe një herë thirrje qeverisë shqiptare, deputetëve dhe ministrave, të braktisin garën e servilizmit dhe dhuratave të shtrenjta, por të mblidhen urgjentisht për të vendosur për krijimin e Bankës Shtetërore të Kursimeve, përpara se piramidat e reja t’i vënë edhe një herë zjarrin Shqipërisë. Askush nuk do t’ju përjashtojë nga përgjegjësia historike, në rast se me mosveprimet tuaja do të shkaktoni tragjedi të reja. Boll punuat vetëm për xhepat tuaja dhe për të huajt! Mendoni një herë edhe për shqiptarët!
