Mjekërzinjtë dhe Mjekërblutë u ka mbetur vetëm emri, pasi piratja më e suksesshme e të gjitha kohërave kontrollonte një flotë prej më shumë se 1500 anijesh dhe kishte më shumë se 80 mijë marinarë.
Gjithçka e bëri pa ndihmën e qimeve në fytyrë. Kur një pirat kinez me emrin Cheng u martua me një prostitutë të bukur në vitin 1801, ai nuk mori vetëm vajzën e ëndrrave, por bëri investimin më të mirë financiar të karrierës së tij.
Nusja e re, e njohur në histori si Cheng I Sao, apo “Gruaja e Cheng”, ra dakord të martohej me një kusht, që të ndante me bashkëshortin pushtetin e tij dhe t’i jepej mundësia ta ndihmonte të siguronte më shumë pasuri.
Kjo tingëlloi mirë për veshët e Cheng-ut dhe për gjashtë vitet e ardhshme burri dhe gruaja u bënë një skuadër që rriti biznesin e piraterisë përgjatë bregdetit të detit të Kinës Jugore, deri në Malajzi. Por në vitin 1807, Cheng ndërroi jetë. Në vend që të sprapsej si një “vejushë” e vërtetë, Cheng I Sao mori “frerët” e mbretërisë.
Mendoi jashtë sëndukut të thesareve
Cheng I Sao kuptoi se masat e piratëve nuk ishin aq të ndriçuar. Prandaj, vepra e parë si lidere ishte të bënte ndihmës kapitenin e burrit të saj, Chang Pao, kapitenin formal të flotës.
Ndërsa Chang Pao i drejtonte burrat në betejë, Cheng I Sao e përqendroi vëmendjen në biznes, strategji ushtarake dhe detyrën e madhe të qeverisjes së një trupi gjithnjë e në rritje batakçinjsh. Në vitet pas vdekjes së burrit, e vendosur, solli gjithnjë e më shumë kriminelë nën banderolën e “Flotës së Flamurit të Kuq”.
Në fakt, Cheng I Sao ishte përgjegjëse për gjithë piraterinë e krahinës dhe flota e saj e kalonte masën e anijeve të shumë vendeve. Ajo zgjeroi qëllimin e biznesit të saj, nga sulmet e thjeshta dhe plaçkitjet, në skema mbrojtjeje, shantazh dhe zhvatje. Rrezja e veprimit të Cheng I Sao arriti dhe në kontinent, ku vendosi një rrjet të gjerë spiunësh dhe zhvilloi lidhje ekonomike me fermerë që do t’i furnizonin “burrat” e saj me ushqim.
Nëse praktikat e Cheng I Sao ishin të jashtëzakonshme, atëherë sistemi i ligjit të piratëve ishte revolucionar. Kodi i sjelljes që shkroi për marinarët përshkruante dënime më të rënda se ligjet e mëparshme që ata kishin. Një urdhër i pabindur bëhej shkak për prerje koke (ashtu siç ishte vjedhja nga plaçkat e përbashkëta), ndërsa dezertorët humbitnin veshët.
Në mënyrë ironike, ligjet më të famshme të Cheng I Sao’s kishin të bënin me të burgosurat femra.
Gratë e shëmtuara riktheheshin në breg, pa paguar asgjë. Robinjat tërheqëse i shiteshin në ankand ekuipazhit, nëse ndonjë pirat nuk e blinte personalisht të burgosurën; në këtë rast ato konsideroheshin të martuar. Sigurisht që nëse një pirat e tradhtonte gruan e re, Cheng I Sao urdhëronte të vritej.
Jo dhe aq fund i hidhur
Vrasjet, grabitjet dhe krimet tërhoqën vëmendjen e ligjit dhe si përfundim autoritetet iu vunë pas.
Por edhe këtu ajo tregoi se ishte më e suksesshme se kolegët e saj. Cheng I Sao sprapsi sulm pas sulmi flotën kineze dhe gjahtarët portugezë dhe anglezë.
Në vitin 1810, qeveria kineze provoi një taktikë tjetër, ata ofruan amnistinë universale për piratët në shkëmbim të paqes. Cheng I Sao u ul në tavolinën e negociatave. Atje, mbretëresha e piratëve arriti një marrëveshje vrasëse. Më pak se 400 prej burrave të saj morën dënime të thjeshta dhe vetëm 126 u ekzekutuan.
Pjesës tjetër të piratëve iu lejua të mbanin pasurinë dhe ju ofrua punë në ushtri. Sa për Cheng I Sao-n, ajo u tërhoq nga biznesi me pasurinë dhe një bashkëshort të ri (ish-krahu i djathtë, Chang Pao) dhe hapi një shtëpi kumari. Ajo vdiq në paqe në vitin 1844, një gjyshe 69-vjeçare./DITA
