Mentor Përmeti, një diamant rrëzëllitës i shkencës dhe bujqësisë shqiptare

redaktor

“Nëse veprimet tuaja i frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të bëhen më shumë, atëherë meriton që je lider”. E kam lexuar diku këtë thënie të mendimtarit John Quincy Adam, por  kur “guxova” të shkruaj diçka, të portretizoj dhe të  mund të gjeja përcaktimin e duhur, ashtu si e kam njohur profesorin tim, Akademikun Mentor Përmeti, mu duk se fjala “lider” është ajo që duhej për këtë gjigant të shkencës të fushës së bujqësisë shqiptare.

Nuk mundet, dhe për më shumë nuk e kam “të skanuar” të gjithë veprimtarinë akademike të prof. Mentor Përmetit, por, meqë ai për pesë vjet ka qenë rektori im, pedagogu im dhe pedagogu kujdestar i grupit tim, duke lënë mënjanë modestinë, besoj se di, kam konservuar diçka nga puna e tij si mësimdhënës, edukator, si shkencëtar. Nëse u bashkëngjis  këtyre viteve edhe  leksionet që ai na jepte ne të gjithëve, specialistë e drejtues të bujqësisë, nëpërmjet shkrimeve të botuara në literaturën shkencore të kohës, e them me bindje se Prof. Mentor Përmeti kishte vlera të mëdha, meriton të  cilësohet si një “diamant” për atë çka ai i dha bujqësisë për kohën kur punoi si i tillë.

 

***

Një ndër mbi një mijë studentë  të atyre viteve jam edhe unë, shkruesi i këtyre radhëve. Diploma që mbaj si ndër dokumentin  më të shenjtë të jetës time, mban firmën e Akademikut Mentor Përmeti. Sigurisht nuk është vendi për të sjellë kujtime e mbresa personale për këtë figurë të madhe të shkencës bujqësore shqiptare, por, meqë paskësha qenë me fat ta kisha për disa vjet edhe si profesor kujdestar të grupit ku isha si student, e kam për detyrim moral të them vetëm këto dy rreshta të huazuara nga Tagora: “Balta mund t’i përlyejë diamantet, por nuk mund t’i kthejë kurrë në baltë”. Mentor Përmeti ishte dhe mbeti diamant edhe pse valët e jetës e ulën dhe e ngritën, e graduan dhe e ç’graduan, furtuna të cilat ai, vetëm ai, diti të përballet e të mund të mbetej jashtë e brenda, qelibar.

***

Çdokujt ia cakton fatin karakteri i vet. Profesor Mentori, i cili mbajti për mbiemër Përmeti, emrin e qytetit të tij të dashur, rreshtohej tek ai grup njerëzish, të cilët qëndrojnë gjatë gjithë jetës “në rresht”, të papërmbajtshëm për të mësuar, të hekurt në disiplinën e përditshme të punës, vizionar në shikimin e së ardhmes. Mund të pranojmë se atij i trokiti fati, kur iu dha mundësia të studionte në një nga universitetet më të mirë të Bullgarisë për bujqësinë, në Sofje. Por nëse ky djalë i ri do të kishte preferuar më shumë jetën mondane, nëse do të sillte në vendin e vet vetëm bukuritë mahnitëse të plantacioneve të trëndafilave të qytetit të Plovdivit, atëhere emri i tij nuk do të merrte, nuk do të kishte shkëlqimin që ia dha puna e tij për më shumë se gjysmë shekulli. Studenti Mentor u kthye nga Sofja me diplomën e agronomit, të shoqëruar me listën me nota të shkëlqyera, ndër më të dallueshmit midis qindrave të tjerë që përmbyllën studimet në atë vit të largët, 1951.

 

***

foto-prof.-M.-Përmeti-8-ALONEShkenca dhe teknika janë në shërbim të njeriut dhe s’ekziston asnjë shkak serioz për t’u trembur prej tyre. Rreziku nuk është te shkenca dhe ngritja e një bote sipas shkencës. Rreziku është te injoranca, pavetëdijshmëria dhe shmangia nga marrja e përgjegjësisë! Mentor Përmeti nuk iu shmang, madje u qëndroi ballazi të gjitha problemeve të kohës, të shtruara për zgjidhje për bujqësinë. Jo me punë fizike, por me dituri, me pasion të pashoq për të sjellë të përparuarën, shkencën, duke i qëndruar besnik porosisë të marrë në auditorët ku studioi se “arritjet e mëdha vlerësohen gjithmonë sipas mënyrës që janë arritur”.

Në këtë kënd vështrimi Profesori nuk njohu botë tjetër, nuk u bë kurioz të eksperimentonte qorrazi, por “në mënyrën e vet” mundi t’i jepte emër konceptit shumë herë të gabuar, se bujqësia në radhë të parë ishte shkencë, shkencë për të dyfishuar e trefishuar prodhimet nëpërmjet çudisë në punën me seleksionimin e farërave të të gjitha kulturave bujqësore. Prof. Mentor Përmeti ishte i mendimit, të cilin ne studentëve na i përsëriste shpesh, se teoria dhe praktika janë fenomene që gjenden në kundërshtim të vazhdueshëm me njëra-tjetrën. E vetmja gjë që mund t’i bashkojë është puna, na këshillonte ai, duke na kujtuar se këtë sentencë e kishte lexuar diku në librat e Gëtes.

 

***

E gjithë jeta, të gjithë vitet ku punoi dhe drejtoi Mentor Përmeti, ishin pazgjidhmërisht me shkencat bujqësore, me eksperimente, me ekipe pune që u paraprinin zhvillimeve që sillnin hope në rendimentet bujqësore e blegtorale, me institucione të larta ku udhëhoqi mjeshtërisht përgatitjen e specialistëve, të cilët, jo pak, u bënë studiues e shkencëtarë si vetë ai. Janë më mijëra kuadro të bujqësisë, anë e mbanë vendit, diploma e të cilëve mban firmën e Prof. Mentor Përmetit. Vitet 1967-1971 ai ishte rektor i Institutit të Lartë Bujqësor, një ndër institucionet arsimore më të suksesshme në mbarë vendin.

***

Lumturia e vërtetë është të menduarit aktiv. Profesori im dhe i disa brezave të tjerë, bënte pjesë tek grupi i intelektualëve aktivë, i cili bëri kombinimin më të suksesshëm midis teorisë dhe praktikës, midis Akademikut dhe bujkut të thjeshtë, midis laboratorit ku eksperimentohej  dhe fushës ku prodhohej, midis mikrobotës dhe makrobotës.  Ata specialistë që iu dha mundësia të kishin si udhëheqës shkencor, apo udhëzues për të kryer shërbimet më të rëndomta në punët e përditshme bujqësore, kujtojnë me nostalgji mendjen e tij të ndritur, thjeshtësinë dhe artin e komunikimit për të patur sukses të padiskutueshëm. Sepse Prof. Mentor Përmeti nuk është se mbeti brenda administratës të institucioneve të larta shtetërorë (Zv/Ministër i Bujqësisë), auditorëve studentore (Rektor i Institutit të Lartë Bujqësor), apo laboratorëve e ngastrave të tokës ku eksperimentohej (Drejtor në Institutin e Kërkimeve Bujqësore, Lushnjë). Jo. Akademiku i fushës së bujqësisë zbriti edhe shkallët më të fundme, të fundit fare. Nga Rektor i Institutit të Lartë Bujqësor, në kryeagronom, si drejtues i ndërmarrjes bujqësore më të madhe të kohës, siç ish ajo e Lushnjes. Sigurisht ky nuk ishte pozicioni që mund të meritonte një mentori-c1200x600shkencëtar që ishte në kulmet e shkëlqimit, siç ishte Mentor Përmeti

***

Shkencat janë të dobishme me aq sa na e garantojnë lumturinë dhe na lartësojnë në vlerat njerëzore. Për Akademikun Mentor Përmeti duhet thënë se ai, për punën që bëri dhe kontributin që i dha bujqësisë shqiptare, i garantoi që të dyja këto synime të larta për jetën e njeriut; edhe lumturinë, edhe vlerat e larta njerëzore. Besoj se numërohen me gishtat e dorës autoritete me vlera kaq të larta e të merituara si Prof. Mentor Përmeti. Ai diti të përvetësonte mësimet e mendjeve të ndritura të kaluar dhe bashkëkohës, por edhe të përcillte tek pasardhësit, sidomos tek studentët, kolegët  dhe vartësit, se arritjet e mëdha kërkojnë përpjekje të mëdha. Hallet janë si lavatriçet, na thoshte shpesh profesori mendjendritur dhe po aq modest: na sjellin rrotull, na shtrydhin dhe na bëjnë për ujë të ftohtë. Por prej tyre dalim më të pastër, më të mirë dhe më të sprovuar se më parë. Mentor Përmeti i kish provuar të gjitha, ish rrahur me vaj e me uthull, siç thotë populli. Por gjatë gjithë kësaj rruge, në të gjithë këtë itinerar vrapimi për mbetur dikushi në shkencat bujqësore, kish mësuar sesi të mund të përgatiste pasardhës të denjë, të zotë, për t’u bërë më me zë se vet ai, ashtu si dëshironte dhe përsëriste shpesh që “nxënësi të bëhet më i mirë, duhet t’ia kalojë profesorit”.

 

Share This Article
4 Comments
  • Profesor Mentor Permeti mbetet nje ikone e bujqesise shqiptare te shekullit te 20-te. Ai ka qene rektor i Institutit te Larte Bujqesor (sot Universitet ) se paku deri ne vitin 1975. Nje shkrim i vlefshem per nje Akademik gjurmelenes ne shkencen e bujqesise moderne shqiptare.

  • E quaj veten me fat qe me takoi te punoj per disa vite me kete gjigand te mendimit shkencor,i pa perseritshem,mbi te gjitha NJERI.Pata hidhrimin te derdh dy pika lot mbi trupin e tij ne Funeral Home ne Bruklin.I qofte i lehte dheu i tokes meme..Respekt per autorin e shkrimit.

  • Akademikut,Njeriut kollos iShkences i Dijes iPunes Komunistit te rralle.Drejtuesi, Pedagogut,Shkencetarit,Punetorit te pa shembullt,Profesorit Zotit, Shokut, Mikut Eprorit Akademikut MENTOR PERMETIT i takojne Vleresimet me te Larta jo vetem si nje epror i rralle e teper Human e teper Njerezor por Njeriut te jashtezakonshem Shkencetar e Studius por mbi te gjitha Punetore qe nuk njohu as orar as veshtiresi bile as pengesa ne zhvillimin dhe perparimin e Shkencave Bujqesore e me tej.Vlerat e Jashtezakoneshme qe i meritonte te Denja per nje Karrike Presidencjale.Patriot i rralle, Humanist me Zemer te madhe,Komunist e Idealist i Pashembullta i takojne te gjitha ata vleresime qe ka formuluar ne artikullin e tij Zoti Bashkim Koci.Faleminderit Por Gazetes Dita se artikuj te ketille ja lartesoje vlerat.Nderime.

  • Gjith cka shkruan eshte me se vertet,vetem se a qene rektor deri ne vitin 74 e jo ne 71,mbase je keqkuptur,iste njeri me vlera universale si teknike dhe si human e bashkpuntor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *