Mentor Quku, Mjedologu i madh shqiptar

Dita

Mentor Quku lindi në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. Në vitet 1951 – 55 mbaron shkollën pedagogjike  ” Shejnaze Juka “ Shkodër.  Në vitet 1955 – 57 ka përfunduar  Institutin e Lartë Pedagogjik Tiranë dhe në vitet 1960 – 63, diplomohet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës po në Universitetin e Tiranës. Ka punuar si mësues në shkollat e mesme të Kukësit, Lezhës, Shkodrës, Barbullushit dhe . Ka qenë drejtor i Muzeut Historik Shkodër në vitet 1992–2000. Ka punuar si drejtor i revistës “Kumtari“ dhe “Shkodra në shekuj”. Ka studiuar, kumtuar dhe botuar në fushën e pedagogjisë, psikologjisë, historisë, folklorit, letërsisë, mitologjisë, toponomastikës, histori arti, letërsi për fëmijë, tekstologji, duke na lënë rreth 30 tituj librash në këto fusha. Por vepra më madhore dhe më shkencore e Mentor Qukut është kryevepra e tij ”Mjeda”.

E takuam profesorin e nderuar pasi e kishim lexuar Veprën e tij të plotë dhe natyrshëm e pyetëm se si kishte ndërmarrë dhe realizuar një nismë të tillë madhore.

Ai, në mënyrë miqësore, na dha këtë përgjigje: ”Mjedën e kam “takuar” në  vitin 1947  në  shkollën fillore, përmes vjershës “Dimni”…Më vonë Mjedën e “takova” në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”, në poezitë “Andrra e Jetës” dhe “ Liria”. Kur fillova jetën e mësuesisë dhe mendoja se kisha arritur një farë përgatitje shkencore e tekniko-profesionale, jam takuar me profesor Jup Kastratin, i cili më dhuroi një bibliografi, botim i  veçantë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Mjedës. Ajo, u bë busull dhe mbështetja kryesore në studimet dhe kërkimet e mia. U investova totalisht dhe iu futa “detit në këmbë” për të realizuar një vepër sa më të plotë për të madhin Dom Ndre Mjeda”.

Dhe vërtetë nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Mentor Quku u gjend përpara një figure shumë komplekse, që të “frikësonte” me përmasat e mëdha dhe thjeshtësinë e tij. Në një kohë  të shkurtër u bë miku më i mirë, por edhe më i bezdisur për punonjësit e redaksive, librarive, arkivave, bibliotekave, muzeumeve, i shokëve dh i miqve të tij. Ka bërë ç’ishte e mundur në atë kohë për të grumbulluar sa më shumë fotografi, intervista, dokumente, dorëshkrime, albume, harta, skica, libra, revista të asaj kohe që do t’i duheshin në të ardhmen. Ai, gjurmonte dhe grumbullonte çdo germë, fletë, fashikull, libër, apo kujtim, ku bëhej fjalë për Mjedën në qytetet Tiranë, Korçë, Shkodër, Durrës, Lezhë, Pukë, Rrëshen, Gramsh apo në fshatrat për rreth Kuklit, vendi ku ka punuar dhe jetuar Ndre Mjeda, si në Kodhel, Kakarriq, Nënshat, Koman, Blinisht, Barballush, Mabë dhe të tjerë.

Bashkëkohësit e bashkëpunëtorët e tij, na treguan se Mentori në atë kohë futej kudo, shtëpi më shtëpi, shkollë më shkollë, zyrë më zyrë, për të takuar njerëz të ndrojtur dhe të trembur nga jeta dhe nga frika se duhej të flisnin për një prift. Ishte koha kur feja ishte ndaluar me ligj nga Partia e Punës dhe predikuesit e korifenjtë e Kishës, ishin shpallur armiq të popullit. Shqetësimi i tij i madh ishte mundësia për të kontaktuar e grumbulluar gjithçka atij i duhej. Për këtë qëllim, Profesor Mentor Quku krijoi arkivin e Mjedës, bibliotekën e Mjedës, fonotekën e Mjedës. Që në atë moment, ai mendoi edhe për një shkencë të re: Mjedologjinë. Guxoi dhe filloi punën si i çmendur, për ditë edhe net të tëra me libra në krahë dhe në duar, pa pushuar fare, për të njohur Mjedën si njeri, si atdhetar, si poet, si gjuhëtarë dhe si shkencëtar. Në këto momente pune, Profesor Willy Kamsi, themeluesi dhe përgjegjësi i bibliotekës së Universitetit të Shkodrës, u tregua tolerant dhe dashamirës mbasi,  vuri në dispozicion të Mentorit gjithë materialet që dispononte e që i duheshin atij për punë, në gjurmim të jetës dhe i veprës së Mjedës, të cilat Mentori i solli në shtëpinë e tij.

Përfundimisht Mjeda u bë “pjesëtar i familjes” Quku. Në shtëpinë e tyre çdo ditë  punohej  vetëm me Mjedën dhe për Mjedën, aq sa në një rast, fëmijët e tij i kishin thënë jo pa shaka: ”Baba, shtyje pak Mjedën, që të ulemi edhe ne!”. Ishte koha kur Mentor Quku kishte zbuluar “thesarin“ më të madh të jetës së tij, të cilin po e ndriçonte, po e komentonte, po e analizonte dhe po e çpluhëroste, për të ndërtuar Veprën e tij të madhe, “Mjeda”.

Shkrimin e parë për Mjedën, Mentori e ka botuar në gazetën Bashkimi me ndihmën e gazetarit dhe mikut të tij, Besnik Dizdari. Për dhjetë vite me radhë, ai shkroi dhe botoi mbi 100 studime për Mjedën e madh. Ndërsa në vitet 2004-2013 ai, realizoi projektin e tij 30-vjeçar duke u dhuruar bashkëkombësve të vetë kryeveprën e tij, serialin “Mjeda“ me dhjetë vëllime. Është vepra më madhore dhe më shkencore e Mentor Qukut, me një paraqitje dinjitoze, botim i ”ILAR”.

Vepra e plotë ka 5 500 faqe, 12 kapituj,  60 pjesë të veçanta, bibliografinë, si edhe 1000 fotografi,  harta dhe skica mjaft interesante,  që flasin shumë me gjuhën e tyre, për të ngritur në tribunën e nderit Albanologun zamadh, Mjedën, që në një farë mënyre u pat lënë në harresë për një kohë të gjatë.

Nata sado e gjatë që ishte, nuk mundi të ndalojë agimin për të dalë. E me “agimin”, na erdhi ekskluzivisht Mentor Quku, si studiues e kritik, si shkrimtarë e albanolog kalibri dhe si model i jashtëzakonshëm i njeriut të punës, duke mbajtur premtimin që kish bërë, se në veprën e tij,”Mjeda”, nuk do ta sillte, atë, as si hero, as si viktimë, por të gjallë.

Mentori vdiq në Shkodërlocen e tij me 29 maj 2014 duke na lënë pas një monument të vërtetë, duke ringjallur Mjedën. Me gjithë këtë, as Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe as Bashkia e qytetit të Shkodrës, ende nuk kanë marrë asnjë iniciativë për të vlerësuar Mjedologun Mentor Quku.

Share This Article
4 Comments
  • Respekte per studiuesin e pasionuar dhe te palodhur Mentor Quku,te cilin e kam njohur si nacionalist bashke me legjenden Uran Kalakula,kur i dhane Shkodres te parin kryebashkiak jo pd-ist.

  • Cfare fitoi Shkodra nga ky “mjedologu”??
    Aju shtua buka ne sofer?
    Po gjakmarrjen e zguku?
    Lerini more pordhet me teorira,por shikoni se populli ka shkuar ne mjerim total,ndersa ju na flisni per pordhologet!

  • Studiuesi me I mire I Mjedes eshte Rinush Idrizi. Ish nxenesit e Politeknikumit dhe shkolles Sami Frasheri ne Tirane te viteve 62- 73 si dhe studentet e Fakultetit te Letersise me vone do ta nderojne kujtimin e tij sa te jene gjalle. Mentori morri shume nga vepra e Rinushit per Mjeden, por nuk pati kurre aftesine, inteligjencen, forcen analizuese dhe njohurite e thella te Rinush Idrizit.

  • Eshte interesante pse nuk eshte shkruar nga kritiket e Letersise per kete korpus kaq te madh? Cfare thone per figuren e Mjedes studiuesit e Universiteti Shteteror te Tiranes, po Seksioni i Letersise dhe Guhesise i Akademise se Shkencave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *