Mërgjyshi: Me Partizanin ne do luajmë për fitore

redaktor

Partizani është kundërshtari i radhës për Apoloninë që në këtë premierë të 2015 në “Loni Papuçiu” kërkon të përsërisë paraqitjen e fazës së parë.

Trajneri Artan Mërgjyshi bën debutimin e tij në shtëpi si trajner i bardhejeshilëve teksa skuadra e drejtuar prej tij bëri një paraqitje të mirë ndaj Tiranës fundjavën e kaluar. Por objektivi tashmë nuk është vetëm paraqitja e mirë por fitorja gjë që konfirmohet nga vetë trajneri i fierakëve në një intervistë telefonike për Sport News.

“Vijmë pas ndeshjes me Tiranën ku luajtëm mirë por nuk morëm rezultat. Tani luajmë përpara publikut tonë dhe jemi të detyruar të bëjmë paraqitje të mirë. Publiku është i ngopur me ndeshje të bukura.

Objektivi ynë është fitorja edhe pse e rëndësishme është të mos mundemi”, tha Mërgjyshi. Së fundmi me skuadrën janë afruar me skuadrën mbrojtësi Endrit Idrizaj që vjen i huazuar nga Tirana si dhe rikthehet sulmuesi Andi Ribaj. Dy afrime që kanë ndryshuar humorin në skuadër në vigjilje të një sfide të rëndësishme.

“Përveç dy afrimeve të reja kemi organikën më të plotë edhe nga rikthimet e të pezulluarve të javës së kaluar. Optimizmi është rritur teksa do të vlerësojmë gjendjen e afrimeve të reja. Por nga ana psikologjike këto afrime kanë rritur optimizmin”, theksoi tekniku.

Në dy përballjet e deritanishme Apolonia ka fituar në shtëpi edhe është mundur në “Qemal Stafa”. Vendasit shpresojnë në një tjetër rezultat si ai 30 gushtit të vitit të kaluar edhe pse Mërgjyshi tregohet i sinqertë duke pranuar se ndeshjet nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. “Futbolli ka treguar që ndeshjet nuk i ngjajnë njëra-tjetrës pasi çdo sfidë ka histori më vete.

Duhet të respektojmë kundërshtarin për fanellën dhe cilësitë që ka. Nuk duhet t’i lëmë të dalin në lojën e tyre dhe për këtë kemi marrë masat”, shtoi trajneri. Mërgjyshi dhe Partizani nuk janë të panjohur.

Trajneri i Apolonisë ka luajtur për ekipin e kuq në një kohë kur Duro ishte ndihmëstrajner. “Jam një admirues i punës së Duros për vetë faktin që ndërtoi një skuadër ku skeptikët nuk besonin. Ka ndërtuar një ekip cilësor dhe e vlerësoj punën e tij.

Tani jemi në një pozicion ku duhet të përballemi. Do i përgjigjemi Partizanit dhe do të jemi dinjitoz”, u shpreh Mërgjyshi. Apolonia-Partizani do të luhet të shtunën në orën 17:00 në “Loni Papuçiu”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *