Juventus nuk ndihet i qetë në epilogun e sezonit, kur është pranë arritjes së objektivave të rëndësishëm. Titulli kampion është thuajse pronë e bardhezinjve, të cilët janë edhe në gjysmëfinalen e Europa League, ku duhet të përmbysen humbjen 1-2 me Benfikën. Por, ato që e trazojnë ambientin e Juves janë lajmet e merkatos. Pas spekulimeve për trajnerin Antonio Konte, i cili nuk ka rinovuar ende dhe thuhej se dëshironte Manchester United, zërat nga Anglia flasin për një tjetër protagonist. Liverpuli, skuadra që marshon drejt titullit, ka vënë në shënjestër sulmuesin Karlos Tevez. Nëse të kuqtë nuk do të jenë në gjendje të mbajnë Suarez për sezonin e ardhshëm, do të hidhen me të gjitha forcat për të marrë argjentinasin në “Anfield”. Ndaj Juventus mund t’i ofrojë rritje page 30-vjeçarit, i cili ka qenë thelbësor për suksesin e këtij sezoni. Problemi tjetër për bardhezinjtë është më akut, pasi bëhet fjalë për dëmtimin e mesfushorit Arturo Vidal. Ai nuk do të luajë në ndeshjen e kthimit kundër Benfikës, ashtu si në gjithë ndeshjet e mbetura të sezonit. Për më tepër, kiliani tani nuk ka të sigurt as pjesëmarrjen në finalet e botërorit, nëse do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Nëse riaftësimi vjen pa qenë nevoja për bisturi, atëherë Vidal mund të ketë shpresa për të nisur stërvitjen para fundit të sezonit.
