Merkato e dimrit në Kategorinë Superiore është në “fazën e nxehtë” të saj, pasi skuadrat kanë nisur dalëngadalë të konfigurohen për pjesën e dytë të sezonit.
Lëvizjet e janarit shërbejnë që skuadrat të mbulojnë boshllëqet apo defektet e shfaqura gjatë pjesës së parë të sezonit.
Megjithatë lëvizjet e kësaj periudhe po sjellin risi në futbollin tonë, pasi ekipet kanë larguar futbollistë të konfirmuar, duke afruar të rinj premtues apo lojtarë të konfirmuar në kampionate të tjera.
Skënderbeu ka larguar dy nga futbollistët më të mirë të kampionatit, sulmuesin Peter Olainka dhe mesfushorin Bernard Berisha, duke përfituar shuma të majme financiare nga largimet e tyre.
Drejtuesit e kampionëve kanë afruar 21-vjeçarn Valmir Nafiu, sulmuesi tetovar që në të shkuarën ka luajtur me Hamburgun në Bundesligë.
Gjithashtu një afrim cilësor konsiderohet edhe braziliani Renato Carlos, por të dy këto afrime duhet të tregojnë në fushën e lojës aftësitë e tyre.
Edhe Partizani ka bërë shumë lëvizje, teksa është larguar një sulmues i njohur si Sebino Plaku, që gjithsesi nuk dha atë që pritej te të kuqtë edhe për arsye dëmtimi, mbrojtësi veteran Endri Vrapi dhe mesfushori Emanuele Morini.
15 herë kampionët kanë afruar dy njohje të kampionatit shqiptar, mbrojtësin Atanda që la Apoloninë për t’u bashkuar me të kuqtë, si dhe rikthyen në skuadër mesfushorin Emiliano Vila pas aventurës së shkurtër tek Inter Baku.
Basti për t’u fituar janë Qemail Elshani dhe Ylber Ramadani, dy futbollistë të ardhur nga Ferronikeli i kampionatit kosovar. Në pritje drejtuesit e kuq janë edhe për ish-lojtarin e Perugias, Felipe Gomes.
Te Kukësi janë larguar brazilianët Xheferson dhe Cruz, teksa në sulm i besohet sulmuesit tetovar Izair Emini, që sezonin e kaluar u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit maqedonas me Renovën.
30-vjeçari pritet të jetë partneri i Limës në sulmin e nënkampionëve, megjithatë duhet parë se si do të jetë përshtatja e tij me ekipin dhe futbollin tonë.
Tirana dhe Teuta kanë qëndruar në vendnumëro, duke mos konfirmuar për momentin asnjë afrim, ndërsa tek Laçi afrimi më i madh është rikthimi nga dëmtimi i fantazistit Marko Cetkovic, teksa nga Tërbuni është afruar Enco Malindi. Shumë aktive në merkato Flamurtari, që pasi larguar futbollistë të afirmuar, si Nexhipi dhe Morina, apo edhe të huajt Buval, Fustar e Tskhadadze, kanë reaguar duke afruar emra me CV të pasur apo talente të së ardhmes.
Danilo Alves, Lukas Martins, Joao Henrike dhe Nikolini pritet të ndryshojnë fytyrën e kuqezinjve, ndërsa qershia mbi tortë pritet të jetë Nuredin Orelesi.
Vllaznia duket se do të mbyllë sezonin me grupin aktual, Bylis ka bërë disa ndryshime të vogla, ndërsa Tërbuni vuan për momentin hemorragjinë e merkatos.
