Kukësi ka prezantuar dje lojtarin më të ri të skuadrës, kroatin Davor Bratiç, i ardhur pas largimit nga Flamurtari. Afrimi i mesfushorit kroat ishte paralajmëruar që një ditë më parë, por dje është bërë zyrtar, me hedhjen e firmës në kontratën me presidentin Safet Gjici. Ky i fundit duket se e ka ndarë mendjen që të fitojë titullin kampion sezonin e ardhshëm dhe përforcimet kanë ardhur radhazi në javët e fundit. Për më tepër, lojtarët e rinj mund të federohen në UEFA në kohë për të luajtur në play-off në Europa League, kundër Trabzonsporit. Duhet theksuar se për Bratiç nuk ekziston kjo mundësi, pasi ka kaluar afati, megjithatë të tjerët mund të luajnë. Pas hedhjes së firmave, drejtori teknik i Kukësit, Sulejman Starova, është shprehur mjaft entuziast për afrimin e Bratiç, për të cilin thotë se do të rrisë cilësinë e skuadrës. Edhe vetë kroati është shprehur shumë i kënaqur për zgjedhjen e bërë. Ai ishte nën kontratë me Flamurtarin dhe dëshironte të qëndronte në Shqipëri pas shpërbërjes së skuadrës, pasi ka pasur sukses në Kategorinë Superiore me Skënderbeun dhe vlonjatët.