Merkato, shumë lëvizje në Superiore

anazapta

 Ardhja e janarit do të shënojë hapjen zyrtare të merkatos së dimrit dhe skuadrat kanë nisur që tani të jenë aktive. Te Skënderbeu pritet rikthimi i Bajram Jashanicës pas huazimit te Besa e Kavajës, por ndërkohë ardhja e tij do të sjellë edhe largime. Tomiç ose Fagu mund të kërkojnë skuadër tjetër, pasi kanë qenë që tani të pakënaqur me aktivizimin. Veç tyre, pritet edhe largimi i Gvozdenoviçit, marrëdhëniet e të cilit me presidentin Takaj janë ftohur së tepërmi dhe ai e ka pezulluar. Në lëvizje është edhe Partizani, që dëshiron të mos e lëshojë vendin e dytë, të cilin duhet ta mbrojë kundër disa skuadrave të tjera. Drejtuesit kanë bërë të ditur se dëshirojnë ta mbajnë deri në fund të sezonit mesfushorin kosovar Mazrekaj, megjithatë ende nuk dihet se cili është qëndrimi përfundimtar i futbollistit. Ai është i huazuar nga Prishtina deri në fund të këtij viti, por më parë ka shprehur dëshirën për të qëndruar, sigurisht nëse gjehet gjuha e përbashkët me klubin e kuq. Nga Kukësi pritet ardhja e sulmuesit serb Llazar Popoviç. Ky i ka kërkuar rritje rroge klubit dhe garanci për formacionin, gjë për të cilën trajneri Naxhi Shensoj nuk është dakord, çka ka sjellë edhe ndarjen e palëve. Kukësi e ka lënë të lirë, ashtu si dhe Vilfor Hysën e rumunin Dragoi, i pari në kërkim të aktivizimit ndërsa i dyti për arsye familjare, të cilat e bëjnë të kthehet në SHBA. Por te Kukësi do të ketë edhe afrime dhe duket se janari do të shënojë rikthimin e Roland Peqinit. Ish-lojtari i Dinamos ka qenë ndër më të spikaturit te Kukësi, po u largua te Tirana pas ardhjes së Dritan Smajlit nga Vllaznia. Në prag të largimit është gjithashtu Davor Bratiç, por kroati është njëkohësisht i larguar, çka e bën të domosdoshme kërkimin e një alternative për të. Laçit mund t’i largohet futbollisti simbol i sezoneve të fundit, Erion Vucaj, që kërkon të provojë fatin jashtë. Largime të shumta rrezikon edhe Flamurtari, për shkak të problemeve që nuk po i ndahen, duke pasur parasysh çështjen e presidentit Shpëtim Gjika. Veliu, Dushku, Kuqi, Zeqiri, Telushi dhe Lena janë emrat më të përmendur në listën e dëshirave të skuadrave të tjera. E njëjta gjë vlen edhe për Besën, skuadra që në javët e fundit ka pasur ecuri mjaft të mirë. Veç Jashanicës, që do të kthehet te Skënderbeu, mund të ikin edhe Dita, Berisha, Batha e Sefa. Tirana e rrezikuar pothuajse ka mbaruar punë për rikthimin e portierit Ilion Lika e të mbrojtësit Erion Dushku. Emri i ri është kavajasi Mihani, i cili aktualisht luan me Lushnjën, por mund të rikthehen edhe Gvozdenoviç e Morina.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *