Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua me kryeministrin britanik David Kameron për të diskutuar mbi planin e buxhetit të ri të BE-së. Kameron heziton të miratojë rritjen e fondeve, duke u shprehur se Evropa duhet të jetojë me mjetet e saj.
Pas fjalës së mbajtur në Parlamentin Evropian, në Bruksel, mbrëmjen e së mërkurës, Merkel u takua me kryeministrin britanik në një darkë pune në Londër.
Marrëveshja për buxhetin prej 1 trilion eurosh të BE-së ishte çështja kryesore e diskutimit për të dy kryeministrat. Zëdhënësi i qeverisë britanike tha se “është shumë e rëndësishme përgjigja që BE-ja do t’i japë opinionit publik sa i takon, veçanërisht në kohërat e vështira ekonomike.”
Kërcënimi britanik për t´i vënë veton draftit aktual, ka rritur shqetësimet se vendi mund të largohet nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Rritja “qesharake” e buxhetit
Në samitin që u mbajt në fund të muajit tetor për buxhetin, Kameroni e pati përshkruar planin për zgjerimin e buxhetit të BE-së si “qesharak” dhe kërcënoi se do t´i vinte veton çdo plani i cili nuk ishte në interes të vendit të tij. Duke folur edhe në emër të kryeministres gjermane, Kameroni u shpreh se “të dy besojmë që vendet evropiane duhet të jetojnë me mjetet që disponojnë duke u mbështetur në forcat e tyre, ashtu siç bën dhe Bashkimi Evropian”.
Kryeministri britanik është përpjekur që buxheti 7-vjeçar të rritet me një trilion euro. “Kam kërkuar vazhdimisht një shkurtim të buxhetit ose në rastin më të keq një ngrirje të tij”, tha ai para takimit. “Unë jam këtu për të luftuar për taksapaguesit evropianë, veçanërisht për ata britanikë.”
Kameron, i cili është vënë nën presionin e anëtarëve të partisë së tij konservatore për të kërkuar ngrirjen e buxhetit, tha se do të hidhte “një argument shumë të fortë” në lidhje me këtë temë, i cili do të jetë në interes të Britanisë së Madhe.
Merkel kërkon unitet
Kryeministrja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka kërkuar unitet midis shteteve evropiane përsa i përket marrëveshjes mbi buxhetin e BE-së.
Duke qenë se Britania dhe Gjermania janë kontribuese financiare të BE-së, ato ndajnë dhe të njëjtat interesa. “Natyrisht që ne nuk do t’i përfundojmë negociatat sonte, por duam të arrijmë në përfundime frytdhënëse duke qenë se jemi në frymën e partneritetit dhe miqësisë. Kjo do të sillte përqendrim më të madh në interesat e përbashkëta”, tha Merkel.
Përpjekja e Gjermanisë për një unitetet më të madh në BE, me qëllim luftimin e krizës së borxheve në eurozonë, ka qenë e panjohur për shumë britanikë, të cilët e shikojnë Bashkimin Evropian gjithnjë e më të kushtueshëm për xhepat e tyre. “Pavarësisht ndryshimeve të planeve që ne kemi, është shumë e rëndësishme që Britania e Madhe dhe Gjermania të punojnë së bashku”, tha Merkel.