Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara për të takuar presidentin Donald Trump.
Zëvendësi i sekretarit për media, Hogan Gidley, ishte ai që e konfirmoi vizitën e Merkelit në javët e ardhshme, por pa dhënë datë të saktë.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i ka thënë agjencisë Reuters se vizita mendohet të realizohet më 27 prill.
Nga ana tjetër, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet të takojë Trumpin në Uashington tre ditë para vizitës së Angela Merkel.
Takimet do të zhvillohen pak kohë para 12 majit, afat ky që ka caktuar Trump për përmirësimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, të nënshkruar nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera botërore.
Gjermania, Franca dhe nënshkrueset e tjera i kanë bërë thirrje SHBA-së që të vazhdojë të mbetet në marrëveshje.
Kujtojmë se me paktin e vitit 2015 Teherani është pajtuar të ndalojë aktivitetet bërthamore nëqoftëse shikon lehtësim të saksioneve ndërkombëtare kundër tij.
Lidhur me Teheranin, Trump është shprehur se është duke shkelur marrëveshjen me hedhjen e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen e militantëve në rajon.
Madje, ai ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja nëse ajo nuk has përmirësim.
s.a/dita
