Sipas fakulteteve, edhe ata që përjashtohen nga tarifa vjetore për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, duhet fillimisht ta paguajnë, e pas verifikimeve të presin muajin mars që fakulteti t’ua kthejë mbrapsht
Pranvera Kola
Nëse nuk paguajnë tarifën vjetore të shkollimit në afatet e përcaktuara, studentët e fakulteteve publike rrezikojnë hyrjen në provimet e sezonit të shkurtit. Ky penalizim prek jo vetëm ata që ndjekin studimet me kohë të plotë, por edhe studentët e cikleve me kohë të pjesshme në programet e masterit. Pranë fakulteteve janë afishuar tashmë limitet kohore që studentët kanë në dispozicion për të bërë shlyerjen e pagesave së bashku me tarifat që duhet të derdhin deri në mbyllje të muajit janar, sipas përcaktimeve individuale të bëra nga secili prej fakulteteve publike.
Këtij detyrimi duhet t’i nënshtrohen edhe studentët të cilët rrjedhin nga shtresa që përfitojnë rimbursim të kostos së studimeve nga shteti. Këta të fundit janë të detyruar që të paguajnë brenda këtij harku kohor tarifën vjetore të studimeve pranë filialeve përkatëse të bankave me të cilat bashkëpunojnë fakultetet, me kushtin që do t’i rimarrin mbrapsht paratë gjatë muajit mars. Përkatësisht, pavarësisht se shumë prej personave që përfitojnë janë ata me probleme të theksuara sociale, rezulton se ata duhet të paguajnë një herë paratë, çka nënkupton gjetje e kësaj shumë kudo që munden (edhe marrje borxh), t’ia paguajnë këtë shumë fakultetit dhe pastaj, pas dy muajsh, fakulteti t’ua kthejë mbrapsht.
Konkretisht, Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës ka përcaktuar datën 30 janar si afatin e fundit kur këta kandidatë duhet të depozitojnë dosjen përkatëse të dokumenteve që do të verifikohen nga ekspertë mbi statusin e marrjes së rimbursimit. Në varësi të këtyre dokumenteve që përmban dosja dhe vërtetësisë së tyre do të mundësohet edhe kthimi i tarifës vjetore të shkollimit që ky kandidat ka derdhur në bankë.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave mbi tarifat dhe kuotat e pranimeve që kanë realizuar fakultetet në nisje të vitit të ri akademik 2012-2013, janë të detajuara edhe kategoritë që përjashtohen nga tarifa e studimeve, si dhe kategoritë që do të paguajnë vetëm gjysmën e tarifës së vendosur sipas niveleve përkatëse të studimeve që ndjekin. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të detajuara kategoritë përfituese që duhet të depozitojnë pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse dosjen e dokumenteve që i lejon të vijojnë studimet nëpërmjet rimbursimit të tarifës vjetore të ndjekjes së vitit mësimor për secilin nga ciklet studimore.
“Lajmërohen të gjithë studentët e interesuar për të aplikuar për përjashtimin nga tarifa e shkollimit, që brenda datës 30 janar 2013 duhet të dorëzojnë dokumentacionin pranë zyrës së shërbimeve. Këta studentë që u përkasin kategorive që përfshihen në Vendimin e këshillit të Ministrave, duhet të kryejnë pagesën e më pas do t’u kthehet tarifa që kanë paguar deri më 30 mars 2013. Për të zyrtarizuar këtë procesm ata më parë duhet të plotësojnë edhe formularin e aplikimit të cilin ia bashkëngjisin dosjes me dokumentet përkatëse”, konfirmohet zyrtarisht nga Fakulteti Ekonomik.
Të njëjtës procedurë i nënshtrohen edhe kandidatët që vijojnë studimet në fakultetet e tjera publike.
Në ciklin trevjeçar “Bachelor” përfitojnë:
Kandidatët që kanë fituar të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin e ri akademik 2012-2013 dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: “personat që nuk shikojnë, personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës”, të cilët përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.
Përfitojnë më të mirët e Maturës Shtetërore
Në çdo program studimi në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë për këtë vit akademik 3 studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë-preferencë të Maturës Shtetërore 2012), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.
Në ciklin e studimeve master me kohë të plotë përfitojnë:
Kandidatët që kanë fituar të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë, “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2012-2013, dhe që u përkasin shtresave sociale të personave që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës, si dhe fëmijë të ish-të përndjekurve politikë, të cilët do të paguajnë një kuotë në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit.
Në ciklin e studimeve Master me kohë të pjesshme përfitojnë:
Kandidatët që kanë fituar të drejtën për të vijuar studimet në një program të dytë
“Master profesional” me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë,
në vitin akademik 2012 – 2013, dhe që u përkasin shtresave sociale, si: persona që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë, invalidë, invalidë të punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë romë, ballkano – egjiptianë apo fëmijë të policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës, si dhe të ish – të përndjekurve politikë të cilët paguajnë një kuotë në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit të miratuar.