Merr fund greva e urisë e 24 banorëve të Zharrëzës në Fier, të cilët e ndërmorën këtë hap një ditë më parë, për shkak të lëkundjeve të tokës, që sipas tyre janë shkaktuar nga kompania që ka kryer shpërthime për naftë në thellësi të tokës.
Qeveria ka vendosur pezullimin e aktivitetit të një prej kontraktorëve të kompanisë “Bankers”, e cila kryen shpërthime në zonën naftëmbajtëse të Zharrë-Marinëzës në Fier. Firma “Smape”, nënkontraktuese e “Bankers”, nuk do të kryejë më shpërthime në këtë zonë, ndërkohë që në zonë do të bëhen verifikime lidhur me ankesat e banorëve, raporton Vizion Plus.
Qeveria ka plotësuar kështu kërkesat e 24 grevistëve, 11 prej të cilëve ishin këshilltarë të komunës Zharrës. Qeveria pasi ka rënë dakord me kompaninë “Bankers” premton edhe rehabilitimin e zonës, si dhe kompensim të dëmeve të shkaktuara në shtëpitë e banorëve.
Greva e urisë së banorëve të Zharrëzës nisi një ditë pas protestës që ata organizuan në këtë zonë, duke bllokuar rrugët. Protesta e dy ditëve më parë ishte një prej shumë të tillave që banorët e kësaj zone zhvillojnë prej tre vjetësh, duke i kërkuar shtetit t’i japë fund shkatërrimit të shtëpive të tyre nga tronditjet e vazhdueshme të tokës.

me vjen mire qe qeveria mori masa per nderprerjen e greves ,situata te tilla nuk duhet qe te vijne deri ne kete pike