Merr fund makthi për familjen e Ethanit 5-vjeçar, vogëlushi amerikan i rrëmbyer prej disa ditësh në Alabama. Lajmin e konfirmojnë mediat amerikane, të cilat thonë se Etan është liruar dhe pengmarrësi i tij është vrarë. Negociatorët u thanë mediave se pengmarrësi mbante një pistoletë në dorë, gjë që e bëri policinë të ndërhynte menjëherë. Djali i vogël është dërguar menjëherë për kontroll në spital. Fëmija vuan nga sindroma Asperger.
Ai mbahej peng prej një jave nga Jimmy Lee Dykes, i cili e kishte rrëmbyer 5-vjeçarin në autobusin e shkollës, pasi kishte vrarë shoferin. Fëmija ka qëndruar që të martën e kaluar në një bunker, së bashku me pengmarrësin.
Gjatë këtyre ditëve, ai ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit amerikan. Qindra profile janë hapur në Facebook në emër të lirimit të tij dhe qindra amerikanë janë mbledhur çdo ditë para stacionit të policisë dhe shtëpisë së prindërve të tij për t’u solidarizuar me ta.