Mes BE mot dhe europianizimit sot

editor

33 vjet (dhe kjo duke qënë ambicioz) për të qënë europian me pasaportë. Hiçgjë me ‘metrin’ e historisë, shumë pak me ‘metrin’ e politikës abuzive që tranzicionin e shndërroi në ‘Eldorado’ privilegjesh pafund por tmerrësisht shumë, deri vonë me ‘metrin’ e mbijetesës së miliona shqiptarëve që me BE kuptojnë normalitet demokratik dhe shanse për të gjithë. ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ u nëpërkëmb sistematikisht nga të dyja krahët e politikës teksa mosveprimi peshon po aq sa dhe abuzimi antidemokratik dhe, në mos diktuar prej axhendave antishqiptare në rajon, paaftësia apo injoranca nuk përbën justifikim.

Pas zullumit 20 vjeçar, janë të shumta gjërat që nuk zhbëhen më dhe nëse ka diçka që ngushëllon disi brezin e humbur të tranzicionit është drejtësia ndaj të shkuarës si premisë për ringjalljen e shpresës për brezin që vjen më pas.

 

Luga bosh e BE!

Obsesioni ndaj BE po shndërrohet në bumerang dhe suksesi i qeverisjes nuk duhet matur me avancimin e statusit formal por europianizimi, hap pas hapi, i së përditshmes së gjithkujt. Sesa objektiv, anëtarësimi në BE duhet të jetë rrjedhojë dhe për më tepër nuk ka pse të kushtëzohet apo shpërdorohet si alibi qoftë për ‘amnezinë’ ndaj së shkuarës abuzive (amnistia dhe toleranca post 97 dëshmoi se e kaluara rikthehet dhe nëse nuk merresh me të, merret ajo me ty), ashtu dhe lëshime në interesa kombëtar (nacionalizmi anatemohet si atavizëm dhe herezi ndërkohë që ‘nëntoka’ e BE ruan ende ‘shishet’ e kufijve dhe nacionalizmi mbetet retorikë).

Qofshin 33 apo 333 vitet drejt BE, spekulimi, fiksimi dhe komplesimet përkatëse veçse dekurajojnë besimin dhe investimin tek e sotmja duke inkurajuar, në mos emigrimin, simbiozën me korrupsionin për mbijetesë apo privilegje të shpejta dhe të pamerituara. Kjo ndërkohë kur vetë statusi formal, sikurse NATO dëshmoi, nuk përkthehet domosdoshmërisht në normalitet demokratik teksa degradon në ‘dekoratë’ për politikën e ditës për të maskuar zullumin e saj.  

Amnezia sociale apo amnistia që apeli ‘shihni përpara’ promovon, duke dekurajuar proçesin e europianizimit në vënd (zbatimin e ligjit si kudo në BE), kompromenton vetë proçesin e integrimit në BE. Oportunizmi post-1997 dëshmoi se e shkuara e pandëshkuar ‘blu’ dhe inkurajimi indirekt i abuzimit ‘rozë’ në qeveri, u bënë së toku pengesë serioze për avancimin drejt statusit të BE, një qasje kjo që polli politikën e ‘korbave’ në vënd.

Ndryshe nga ambicja BE, europianizmi varet prej nesh dhe vullneti për zbatimin e ligjit pa dallim. Në këtë kontekst, drejtësia ndaj abuzimit të djeshëm elitar, është jo vetëm e pritshme pas votës së qershorit por dhe test për të dëshmuar sjellje europiane siç na takon. Si e tillë, ajo jo vetëm nuk ka përse të jetë një ‘minus’ në rrugën drejt integrimit por përkundrazi, duhet të ngrejë pikë dhe ta përshpejtojë atë (rasti i Kroacisë). Ndryshe, retorika e sforcuar për ‘amnezi’ sociale ndaj abuzimit, në mos cektësi, mbetet alibi për ata që abuzuan apo ata që kanë ndërmënd të abuzojnë më tej.   

 

Europianizimi është mentalitet

Sesa mirëqënie, perëndimi apo europianizimi është parasëgjithash një aset vlerash që e shtyu e motivoi njëlloj dikur si amerikanin e Depresionit të Madh, ashtu dhe gjermanin, italianin, francezin, izraelitin apo britanikun e pasluftës të ‘mblidhnin mëndjen’ dhe merrnin fatin në dorë. Duke bërë ëndrrën realitet në respekt të ligjit, secili në pozicionin e tij, ndonse në kushtet e mbijetesës në ‘tokë të djegur’ e tundimit të emigracionit apo nënshtrimit dhe përfitimit prej abuzimit e korrupsionit në sistem, frymëzuar edhe nga burra shteti që hynë në histori sepse nuk synuan privilegje dhe pasuri. Perëndimi u bë ai që është sepse shoqëria jo vetëm guxoi të ëndërrojë por dhe të mos lejojë kërkënd ta nëpërkëmbi atë (shpirti i protestës qytetare), ndryshe nga ëndrra e 90 tek ne që u ‘vodh’ dhe u tolerua kaq gjatë.

Përpara se të ëndërrojmë BE, të jetojmë ëndërrën shqiptare duke u sjellë si europian që jemi. Përpara se të integrohemi në Europë me të tretë, të integrohemi mes vetes rreth vlerave qytetare me kryefjalë respektin dhe zbatimin e ligjit, votës dhe pronës për të gjithë njëlloj. Nëse kështu, mirëqënia dhe dinjiteti pasojnë vetiu dhe vetë pranimi në BE bëhet çështje periferike dhe formalitet.

Në vënd është urgjente rikthimi i shpresës se ky vënd bëhet. Besimi tek e nesërmja nis nga drejtësia për të djeshmen, si premisë kjo që dhe e sotmja të mos kuturiset e tundohet në abuzim. Dhe nis me abuzimin elitar që vetvetiu ka efekt dhe në abuzimin urban. Ndonse korrupsioni nuk mposhtet kurrë, kjo nuk është arsye për amnisti ndaj tij por për kauzë konstante ndaj tij që përtej ambicjes së një individi, është kauzë e mbarë sistemit që europianizimi presupozon.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *