Ku më pas, ku më përpara,
Drapri do të bjerë,
Po as rrënja, po as fara
S’shuhen asnjëherë.
Shpat’e mprehtë e Demokleut,
Te koka përgjon,
Si mundimi i Anteut,
Gjithë jeta jonë.
Çfarë mbjell jeta, e korr vdekja,
Me drapër të saj,
Krejt të lodhur nga përpjekja,
Tretemi pastaj.
Një arkivol e qefin
Do kemi së fundi,
Ky është për njerëzinë
I gjithë jetës, mundi.
Për të gjetur të vërtetën,
Vuaj, natyrisht,
Po as vdekjen, po as jetën,
S’i marr seriozisht.
Do të paguajmë aq shtrenjtë,
Se ka thënë Ai,
Nëse jemi frymë e shenjtë,
Ende nuk e di.
Ndonjëherë, botës i them:
“Pse s’të bie zjarri?…”,
Se njëlloj në dhe do shuhen
Mbreti dhe lypsari.
Sepse balta aq e butë,
Tret gur’ e zinxhirë,
Ndaj dhe dua, sa të jemi,
Të jemi të mirë.
Se në ujë dhe në rërë
Emrin kemi shkruar,
Njerëz, ju dua të tërë,
Qofshi të bekuar!
5 shkurt 2009
Arben Duka

Shum Bukur, të Lumtë pena!
mire e thua po kujt ja thua
E paske shkruar në 2009. O Dukë, po kur thua njerëz ju dua të tërë, qofshi të bekuar, e kishe edhe për Saliun, se ai ka qënë në pushtet atëherë?! Mos vallë nga bekimi yt Saliu morri edhe mandatin e 2-të?
E paske shkruar në 2009. O Dukë, po kur thua njerëz ju dua të tërë, qofshi të bekuar, e kishe edhe për Saliun, se ai ka qënë në pushtet atëherë?! Mos vallë nga bekimi yt Saliu morri edhe mandatin e 2-të? Pra mos duhej edhe një strofë e fundit:
Qofshi të bekuar,
Por jo ti kërma Sali,
Humbsh zgjedhjet,
Vafsh në burg ose në shpi!