Isha në protestën e PD-së. Kishte shumë njerëz me mllef aty, njerëz të mërzitur, të varfër e të pasur, njerëz që shanin qeverinë e më shumë Kryeministrin. Kur po i afrohesha mitingut vura re që protesta ishte strukturuar me rrathë-rrathë deri në qendër ku bëhej zhurma e madhe. Nuk e humba rastin për të dëgjuar me kuriozitet pse ishin protestuesit kaq të mërzitur e hyra mes tyre. Radha e fundit ishte e qete, shqetësimi më i madh ishte të bënin prezencën e të merrnin 10 mijë lekshin.
Rrethi tjetër ishin dukshëm me të acaruar. Njerëz që dukej se kishin qenë dikushi e ishin të goditur dhe e urrenin për vdekje këtë qeveri. Shumica e tyre kishin qenë të parët e vendit. Në çdo qytet kishin ndërtesat në vendet më të mira, mu në zemër të qyteteve më të mëdha, krah liqenit të Pogradecit, përgjatë Lungomares së Vlorës deri në Ksamil, në çdo rreth rrotullimi nga Kavaja deri në Fier dhe në të gjitha kthesat më të mira të rrugëve nacionale.
Këta vërtet ishin të ngarkuar, përpara krenoheshin se ishin bërë shpejt e shpejt ajka e shoqërisë, me rilindjen urbane këta u bënë sërish njerëz të zakonshëm si gjithë të tjerët. Normal që s’mund të pranonin këtë kthim të shpejtë në origjinë. Ndaj këta ishin flakë e zjarr për të rrëzuar qeverinë, e projektet i kishin gati për të ringritur ngrehinat e mëparshme, të bindur se bizneset do u ecnin shumë më tepër me ndërhyrjet e reja urbane të kësaj qeverie. Këta s’duronin fare.
Nxitova më shpejt se kishte hapësirë e lëvizej lirshëm. Tensioni rritej.
Njerëz të mërzitur me lloj-lloj hallesh e të prekur rëndë nga kjo qeveri, të ardhur nga gjithë Shqipëria, nga Tropoja në Lazarat. Të gjithëve kjo qeveri u kish prishur biznesin e i kishte futur në varfëri. Si mund të duronin pa ardhur lazaratasit që ç’shpenzojnë sot për 1 vit, e prishnin për 1 orë para ndërhyrjes atje.
Mirë këta që mbillnin, po kishte nga ata që kishin ardhur se nuk po i lënë me pre më. Ata që prej 25 vitesh kishin shitur për qymyr gjithë pyjet e Shqipërisë e tani pa një e pa dy u kishin mbyllur bizneset.
Ç’nuk dëgjoje, biznesmenë të suksesshëm të mbetur pa punë, shfrytëzues lumenjsh me status monopoli për 20 vjet, shkatërruesit e malit të Krujës për gëlqere, që sikur mos mjaftonte mali i kishin privuar edhe djegien e gomave. Botues tekstesh shkollore që dikur sajonin me dhjetëra tekste për sezon, sot me tekstin unik si këtu edhe në Kosove kishin mbetur pa punë. Tregtarë ilaçesh që deri dje shisnin 2 herë më shtrenjtë se vendi i origjinës e sot u ishin përgjysmuar fitimet. Ç’nuk dëgjohej. Njerëz që jetonin e punonin prej vitesh në Bruksel e kjo qeveri kishte guxuar t’u priste ndihmat sociale e rrogat fiktive që merrnin prej 8 vitesh. Shumë bërtisnin.
Eca me tej. Rreshti tjetër shanin e ulërinin e nga sharjet dukej sikur e kishin personale me Edi Ramën. Dukej sikur njiheshin me njëri-tjetrin, e vinin nga e njëjta zonë. Njeri që nxiste edhe të tjerët ishte ofenduar shumë “20 vjet more, thoshte, e bëra shtëpinë kështjellë e s’guxoi kush të më pyeste e kujt është toka, e ke me leje a pa leje, ndriçonte e dukej si resort turistik natën, e vjen Edi Rama e para të gjithëve më fik dritat. Po s’mund të duroj unë dot këtë fyerje”. thoshte. “Tani s’di as mysafirët si t’i orientoj që të ma gjejnë shtëpinë.
E kalova këtë se nuk pushonte. Donte të hidhte qeverinë që të ndizte dritat. 10 metra me tutje dukeshin më të organizuar. Grupe-grupe me nga një tip drejtuesi të veshur mirë e në shumicë me bark. Këta ishin qindra kryetarë komunash e bashkë me entourazhet e tyre që kishin mbetur pa punë për shkak të reformës territoriale.
Kishte nga ata që zgjisheshin për 25 vjet rresht, të pakonkurueshëm në zonat e tyre. Fitonin në çdo zgjedhje e ua kish nevojën çdo parti. E pas çdo zgjedhje shpërbleheshin me nga një ujësjellës a ndonjë rrugë që në shumicën e rasteve nuk u bënë kurrë.
Pushtet, para, bajrak e biznes i sigurt për gjithë jetën derisa erdhi Edi Rama. E ç’nuk ishin të gatshëm të bënin këta të ktheheshin atje ku ishin.
Mbas këtij rrethi nuk kishte më njerëz me bark. Ata të rrethit të parafundit dukeshin goxha mirë. Ishin pjesë e protestës po nuk shanin. Këta ishin ata që kishin marrë tendera për 8 vjet nga PD-ja, por nuk bënin dot zë se Edi Rama ua kish paguar borxhet që vitin e parë.
Mbas këtyre vinte qendra e këtu njerëzit ishin të veshur me sqimë e të parfumosur, e dukeshin që ishin shumë herë më mirë se gjithë të tjerët nga gjendja ekonomike, e për çudinë time bërtisnin më shumë se të gjithë për të varfrit. I pari i tyre ishte i papërmbajtshëm. Thuhej se i kishin prishur gjumin dhe e kishin nxjerrë nga zyra me gjithë kolltuk. Çirrej aq sa i ikte edhe zëri.
U largova nga protesta e po mendoja me vete… Po me gjithë këto halle e probleme që kishin… Po me bunkerin ç’patën??? Ai bunker është hyrja e vend strehimeve anti-atomike që shtrihen poshtë gjithë ministrive e sheshit “Skënderbej” e që mund të shërbejë si një atraksion turistik më tepër në qytetin tonë të varfër me të tilla gjëra. Nuk është vepër arti, por ai bunker është hyrja e bunkerit nëntokësor… Kaq!!!!
Mbas 2 vitesh reformash të vështira nga një qeveri, që shumë gjëra mund t’i kishte bërë edhe më mirë, e vetmja kauzë që bën bashkë protestuesit të jetë bunkeri tek hyrja e bunkerit, është elozhi më i madh që mund t’i bëjë opozita maxhorancës. Edhe sikur ta dirigjonim ne opozitën, më mirë se kaq s’do ta bënim. Do kishim gjetur ndonjë kauzë tjetër për t’u dukur më të besueshëm.
Në fund 2 fjalë për ata që hipën mbi bunker, të persekutuarit, mbas të cilëve u fshehët në mungese të një kauze që ju bashkon, e për të cilët përgjëroheni a thua se i përfaqësoni. Të persekutuarit janë ata që ndenjën aq ditë në grevë urie e u dogjën të gjallë si Lirak Bejko, e nuk denjoi asnjë funksionar i lartë apo qoftë edhe roja e PD-së, jo për t’u shkuar në grevë, po as në spital, jo më për tju zgjidhur kërkesat, po as për t’i pyetur për hallet që i detyruan të bënin të tilla akte mbi vete, vetëm për të tërhequr vëmendjen tuaj.
Mos harroni që njerëzit nuk e kanë memorien kaq të shkurtër e nuk janë kaq budallenj sa i mendoni ju. Nuk besojnë me përralla me komunistë nga ish-komunistët, e aq më pak të përfaqësojnë të persekutuarit, ata që i dogjën të gjallë me benzinë vetëm para 3 vjetësh.
*Deputet i PS
