Nisin aplikimet për studimet universitare të nivelit të dytë në programet “master”. Pas shpalljes së kuotave të pranimit për të gjitha degët, fakultetet kanë çelur procedurat e aplikimit për pranimet e reja të vitit akademik 2015-2016. Konkurrimi zhvillohet me dosje.
Për degët në të cilat fluksi i kërkesave është shumë herë më i lartë se sa kuotat e miratuara, do të jetë mesatarja e tre viteve të studimit “bachelor”, kriteri bazë që do të përdoret në seleksionimin e kandidatëve fitues. Ndërkohë që janë vendosur edhe kritere të tjera kualifikuese, të cilat kanë të bëjnë me llojin e programit dhe institucionin e arsimit të lartë ku kandidati aplikues ka përfunduar studimet e nivelit të parë. Regjistrimet për të fituar një kuotë studimesh të programet “Master profesional”, si dhe “Master shkencor”, do të vijojnë deri në datat 6 deri në 9 nëntor, sipas llojit të fakultetit ku aplikohet.
Tarifa e aplikimit për këto programe është 2500 lekë. Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet në një nga universitetet publike të vendit ku dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të ciklit të parë “bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Kjo e drejtë u jepet edhe kandidatëve që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS.
Kriteret për përzgjedhjen e fituesve Fakultetet kanë shpallur tashmë edhe kriteret që do të ndiqen në përzgjedhjen e kandidatëve fitues për çdo departament. Përparësi në përzgjedhje u jepet kandidatëve që kanë kryer studimet e nivelit “Bachelor”, në një nga programet e fakultetit ku kandidati kërkon të vijiojë edhe studimet e nivelit master.
Në varësi edhe të notës mesatare, këta kandidatë do të jenë të të parët që do të përfitojnë nga kuotat e pranimeve për vijimin e studimeve të ciklit të dytë. Më pas, prioritet në përzgjedhje do të kenë studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degët e universiteteve të tjera publike, por që janë të ngjashme me profilin e masterit që kërkojnë të ndjekin.
Përzgjedhja më tej do të vijojë me kandidatët që kanë kryer studimet tre vjeçare të nivelit të parë në degë të ngjashme të universiteteve private që janë të akredituara. Referuar këtyre prioriteteve të vendosura, edhe nota mesatare do të jetë vendimtare në përzgjedhjen e fituesve finalë që do të vijojnë studimet e larta në programet e nivelit të dytë. Shpallja e kandidatëve fitues pritet të bëhet rreth datave 10 dhe 11 nëntor, ku menjëherë më pas do të nisë edhe procesi mësimor.
Aplikimi me anë të dosjes Sipas kushteve të vendosura nga vetë institucionet e arsimit të lartë për pranimet e reja në programet master, bëhet me dije se kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të kërkuara.
Konkretisht, në përmbajtje të dosjes duhet të përfshijnë diplomën ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, për ciklin e parë të studimeve që kanë kryer brenda ose jashtë vendit. Për diplomat e fituara jashtë vendit kërkohet edhe vërtetimi i njohjes që lëshohet nga MAS, si dhe diploma që konfirmon përfundimin e studimeve të kryera jashtë.
Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe Diploma e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore. Ndërsa kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit për lëshimin e diplomave të maturës duhet të dorëzojnë “Dëftesën e Pjekurisë”, (origjinale ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore ku kandidati ka përfunduar studimet e shkollës së mesme.
Në rast se kandidatët kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit për ndryshimin e Maturës Shtetërore dhe kanë marrë rezultate kaluese në provimet me zgjedhje, duhet të dorëzojnë në dosje edhe dokumentacionin përkatës të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.
Autoritetet e arsimit sqarojnë se kur kandidatët nuk kanë origjinalin e “Dëftesës së Pjekurisë”, të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të saj, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të vulosur nga drejtoria arsimore rajonale, si dhe vërtetimin përkatës të marrë në Arkivin e Shtetit, së bashku me listën e notave. Kandidatët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë vendit duhet të dorëzojnë dokumentin e njohjes të lëshuar nga AKP, të shoqëruar me fotokopje të njësuar me origjinalin në vendin tonë, të përkthyer në gjuhën shqipe.
Ky dokument duhet shoqëruar edhe certifikatën e notave të legalizuar nga autoritet drejtuese vendore e qendrorë në vendin ku ka përfunduar studimet. Gjatë aplikimit në sekretarinë mësimore të fakultetit përkatës çdo kandidat do të plotësojë edhe formularin e aplikimit ku do të përcaktojë llojin e masterit që do të ndjekë. Tarifa e aplikimit për të konkurruar për një nga kuotat e studimit është 2500 lekë, e cila duhet derdhur në një nga pikat e postës shqiptare.
Ndërkohë që mandati i saj është gjithashtu një ndër dokumentet që duhet dorëzuar në brendësi të dosjes. Kërkohen gjithashtu edhe fotokopje e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë), si dhe dy fotografi personale. Aplikimet do të mbyllen ndërmjet datave 7 dhe 9 nëntor, sipas llojit të programit dhe Fakultetit ku studenti aplikon për të fituar të drejtën e studimeve të nivelit të dytë. Dy ditë më parë është zbardhur edhe vendimi i detajuar me ndarjen e mbi 18 mijë kuotave të studimit të miratuara për programet e nivelit të dytë profesional dhe shkencor për të 12 universitete publike të vend. /Dita/
