Mesatarja që duhet në çdo degë, MAS: Nuk ulet mesatarja e konkurimit për degët e mësuesisë

J L

Mesatarja që duhet për të konkurruar degët e ciklit të parë të studimeve “Bachelor” dhe që japin akses për vijimin e studimeve të mëtejshme në programet e mësuesisë nuk do të ulet gjatë pranimeve që do të realizohen për vitin e ri akademik 2022-2023. Pavarësisht pretendimeve për një rishikim të mesatares minimale që duhet për të konkurruar në këto degë, si dhe interesit të ulët që maturantët kanë shfaqur gjatë viteve të fundit për të ndjekur degët e këtij profili, Ministria e Arsimit dhe Sportit bën me dije se nuk do të ndryshojë mesatarja e pranimit në këto programe. Kjo pasi në këto degë duhet që të pranohen nxënësit më të mirë për vetë rëndësinë që paraqet rritja e cilësisë në përgatitjen që duhet të kenë mësuesit e rinj.

Ka qenë vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi që në takimin e zhvilluar dje me nxënës të shkollës “Jorgji Dilo” të qytetit të Elbasanit ka bërë me dije se nuk do të ketë ndryshim të mesatares që duhet për të konkurruar në programet e mësuesisë. “Është një dokument që është prioritet. Ne po punojmë që disa programe, siç është mësuesia, të ketë reduktim të tarifave, por dhe bursa. Sepse ka rënë interesi i të rinjve. Ne nuk synojmë që të ulet mesatarja sepse ne duam që ata që bëhen mësues të jenë ndër më të mirët, por besoj se fondin e ekselencës po e ndryshojmë që t’ua dedikojmë atyre studentëve që qëndrojnë në Shqipëri. Deri më sot, fondi ekselencës ka qenë për ata jashtë vendit”, konfirmoi dje ministrja Kushi.

Autoritetet e arsimit sqarojnë se pranimi në programet e studimit të ciklit të parë, si dhe të programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë është i mundur për çdo kandidat, i cili ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm, ose zotëron një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar nga ministria përgjegjëse për arsimin e lartë, si ekuivalente me të, dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuara nga qeveria, si dhe kriteret shtesë të konfirmuara nga vetë institucionet e arsimit të lartë.

Referuar këtij kushti për të konkurruar në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë kërkohet mesatare e shkollës së mesme duke nisur nga nota 7.5 dhe më lart. Çka do të thotë se maturantët apo kandidatët e tjerë që kanë mesatare më të ulët se ky prag i përcaktuar nuk do të mund të konkurrojnë për kuotat e pranimeve të miratuara për degët e mësuesisë, si në strukturat universitare publike, ashtu edhe në ato private. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2022 dhe të maturave të zhvilluara në vitet e shkuara. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar mesataren e pranimit që duhet për të hyrë në garë për programet e mësuesisë në të gjitha universitetet në vend.

Për të mbështetur të rinjtë që studiojnë në vend, është vendosur që të përdoret mbështetja nëpërmjet fondit të ekselencës, fond i cili siguronte mbështetjen e duhur financiare nëpërmjet bursave për të gjithë kandidatëve që vijonin studimet jashtë vendit. “Kohët e fundit ne fondin e ekselencës po e ndryshojmë për t’ia dedikuar atyre studentëve që qëndrojnë në Shqipëri. Deri sot fondi i ekselencës ka qenë për të rinjtë dhe të rejat që studiojnë jashtë, por duke qenë se një pjesë e tyre nuk kthehen dhe në fakt qëllimi ka qenë të studiojnë dhe të vijnë të japin kontribut për vendin. Për këtë arsye ne do nxisim ata që studiojnë këtu”, ka theksuar ministrja Kushi.

Gjatë bisedës së zhvilluar me nxënësit ministrja Kushi, u ndal edhe tek organizimi i provimeve të maturës së këtij viti. Sipas saj, Matura Shtetërore 2022 nuk do të pësojë ndryshime thelbësore për të cilat maturantët duhej të ishin informuar që më parë. Ndryshimet do të prekin vetëm mënyrën e hartimit të testeve dhe organizimit për zhvillimin e provimeve në mënyrë që të shmangen problemet e lindura në vitet e shkuara, ku kanë qenë të shumta pakënaqësitë e raportuara nga maturantët.

Sikundër ka ndodhur në maturat e shkuara, edhe për Maturën Shtetërore 2022, lëndët e provimeve për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, dhe Gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista zyrtare e miratuar nga MAS. Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët/kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese të lëndëve zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *