Mesazh i Falcones për kolegët shqiptarë

redaktor

E dashur Dita, në adresën time erdhi ky tekst i formuluar nga një koleg(e), që e gjykoj shumë interesant ndaj duhet botuar. Nuk besoj që autori të më paragjykojë. Është një letër (hipotetike) që e shkruan i ndjeri Giovanni Falcone, i cili s’ka nevojë për prezantim. Faleminderit, M.Sh.:

 

Kolegë të mi të dashur nga përtej Adriatikut, përshëndetje. Jam Giovanni Falcone, një shërbëtor i ligjit, ashtu si dhe ju. Më saktë, një ish-shërbëtor i ligjit, në pension të përjetshëm tashmë! Më pëlqen Shqipëria, më pëlqejnë shqiptarët, ndaj mora mundimin t’ju shkruaj një letër nga këtu ku jam, sepse vendi juaj më kujton vendlindjen time, Palermon. Vend i bekuar nga Zoti (më besoni ekziston) që theket në diell në shumicën e vitit dhe që ka rritur njerëz të zhurmshëm, mistrecër, mikpritës dhe gjaknxehtë, por që ka një problem të madh, ashtu si edhe vendi juaj! Unë nuk di tamam sa lëmsh janë punët aty tek ju, por të gjithë që vijnë nga Shqipëria, i madh a i vogël, grua a burrë, kriminel apo njerëz të ligjit, njëzëri pohojnë që atje s’ka drejtësi… Më lind e drejta ta marr të mirëqenë atë që thonë, sepse këtej nga e përtejmja, s’para kemi arsye të gënjejmë, i kemi mbyllur hesapet, ka mbaruar loja!

Jam i shqetësuar, të nderuar kolegë shqiptarë! Më thonë shpesh që ju ligjin nuk e keni të shenjtë, që e përdhosni, që e pështyni, që e shtrembëroni! S’mund ta besoj, më dhëmb ta besoj…

Është rrënjosur bindja e plotë që krimi bën namin atje tek ju, që s’ka shpresë për të drejtën, që askush s’e gjen atë, etj. etj. etj.! Vërtet të jetë kaq e pamundur?! E kam thënë edhe njëherë që Mafia është thjesht një fenomen njerëzor që ka lindur, zhvillohet e duhet të shuhet! Shuarjen e saj e keni ju në dorë dhe s’mund të besoj që s’doni ta bëni.

Në Shqipëri, thonë që rriten trima, dhe ju, ashtu si dhe unë, e dini që shumë pak trima duhen për të zgjuar njerëzit e thjeshtë, për të kuptuar cila është e keqja dhe si duhet të bëhemi njësh kundër saj. S’mund të presim që populli të bëhet trim, bëhuni ju trima o njerëz të ligjit, mos vdisni përditë nga pak, jepini sens jetës suaj, profesionit tuaj dhe nëse ju duhet të vdisni, vdisni njëherë e mirë! Nuk je budalla nëse bie hero apo kthehesh simbol i së drejtës, frymëzim për të tjerët… Përkundrazi, është ndjesi e papërshkrueshme, më besoni! Ose ndryshe, e di ç’keni ?! Lëreni fare si zanat dhe punoni berber, lulishtar, shofer, politikanë apo zhigolo, etj. etj. etj… Drejtësia është thirrje, mision or kolegë të dashur, jo pastiçeri ku ndahet torta!

Unë luftova mafien dhe përfundova shkrumb e hi nga tritoli! Ju luftoni mafien dhe hani dreka, darka me tritolista…

Unë fusja kriminelë në burg, ju të nxirrni për 10 milion lireta a më pak… (nuk jam mirë me Euron, s’di ta konvertoj saktë).

Unë e bëra gruan mish për minj, ju gratë i çoni në Maldive!

Unë, dashnor i sinqertë i drejtësisë, ndërsa ju dashnor të dashnoreve tuaja!

Mua politika më deshti fort vetëm atëhere kur as kockat s’mi mblidhnin dot, ju me politikën pllenoheni çdo ditë e një Zot e di se çfarë sillni në jetë me proçedurë!

Unë kisha kundërshtar Toto Riinën, ju keni frikë dhe nga hajdutët e xhepave…

Kolegë të nderuar, nuk ia vlen të përdhosësh ligjin për një vilë në bregdet 1000 apo 2000 metra katror! Më besoni, edhe ju si unë do të përfundoni, në 3 metra katror vend (sigurisht me qivur të larë në ar), por me një ndryshim të madh: Unë do të mbetem përjetësisht Giovanni Falcone, ndërsa ju o kolegë të dashur, disa gjyqtarë apo prokurorë të rradhës, që nuk u bën kurrë dishepuj të ligjit dhe të së drejtës, por që e përdhosën atë nga frika apo makutëria…

Me respekt nga e përjetshmja botë,

Giovanni Falcone

 

P.S. Borsellino më thotë: “Më mirë shkruaja njerëzve të thjeshtë këtë letër, sidomos të rinjve, ndërsa me këta që pretendojnë që kanë zanatin tonë, le të merret Zoti!”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *