NJË URIM KRISTO FRASHËRIT NË 95-VJETORIN E LINDJES

redaktor

Sot, më 4 dhjetor, akademiku Kristo Frashëri hyn në vitin e 96-të të jetës. I urojmë nga zemra që të arrijë të kapë edhe njëqindvjetorin, e më tej!

Ky shekull i ri ka qenë veçanërisht i frytshëm për historianin tonë të mirënjohur. Përveç pjesëve të rëndësishme të hartuara e të redaktuara prej tij në veprën kolektive “Historia e popullit shqiptar”, vëll. I e II, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave (2002), si dhe një numër artikujsh, referatesh e kumtesash, po ashtu dhe një varg zërash në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” në tre vëllime (2008-2009), në këta 15 vjet të shekullit të ri ai ka botuar edhe 26 libra studimorë të veçantë me rreth 8000 faqe shtypi, që janë fryt i erudicionit, i përvojës së tij të gjatë dhe dokumenteve e materialeve të grumbulluara e të sistemuara me kujdes e me durim vite e vite me radhë. Ai ndërkaq ndjek me vëmendje edhe botimet e ndryshme historike e dokumentare brenda e jashtë vendit.

Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë; ato dallohen gjithashtu për mbrojtjen e vendosur të së vërtetës historike dhe të interesave kombëtarë ndaj shtrembërimeve (të qëllimshme ose jo) të studiuesve të huaj dhe të bëjnë për vete me qartësinë e shtjellimit, me shprehjen dinamike, të rrjedhshme e të pastër, me stilin shkencor të përpunuar. Publiku shqiptar ka admiruar shkrimet e njëpasnjëshme të tij në shtypin masiv, me të cilat prof. Kristo Frashëri ka sqaruar me argumente bindëse të vërtetat historike rreth disa problemeve të mprehta kombëtare e shkencore, duke dhënë edhe një mësim të urtë për këdo se ç’është shkenca e historisë, si duhen trajtuar e vlerësuar objektivisht dukuritë e ngjarjet historike, cilat janë përgjegjësitë qytetare dhe detyrat e historianit, si duhet luftuar me këmbëngulje për të mos lejuar që e pavërteta të errësojë të vërtetën, si duhet kërkuar me durim në burimet e ndryshme për të gjetur qoftë edhe ndonjë rreze të hollë drite në periudha të errëta, të padokumentuara, të historisë.

Tërë vepra shkencore e prof. Kristo Frashërit përshkohet gjithashtu nga ndjenja e dinjitetit të lartë kombëtar dhe nga besimi te aftësitë e popullit të vet për të qenë i barabartë ndërmjet të barabartëve në botën e sotme. Në veprën shkencore të Kristo Frashërit shpaloset një vijë e pamposhtur qëndrese dhe mbijetese e etnosit shqiptar, një synim i pandalshëm drejt konvergjimit kombëtar dhe bashkimit të fuqive intelektuale e të burimeve njerëzore e ekonomike. Në studimet e tij shpalosen ndeshje të mëdha të forcave dhe energjive pozitive të popullit shqiptar dhe njerëzve vizionarë të historisë së tij me forcat e huaja dhe me rrymat e brendshme që janë renditur në anën e gabuar. Prandaj vepra e tij është edhe një shkollë edukimi atdhetar.

Prof. Kristo Frashëri, “NDERI I KOMBIT”, meriton jo vetëm urimet tona më të mira për jetë të gjatë, të qetë e shëndet të mirë, që të çojë përpara projektet që ka ndër duar dhe në mendje. Ai është një vlerë e lartë shkencore kombëtare dhe meriton, në radhë të parë, një përkrahje të përshtatshme e të përhershme shtetërore për t’i krijuar kushte më të mira jetese e pune, për të siguruar botimin e veprave të tij me kritere shkencore akademike dhe me cilësi teknike bashkëkohore. Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare dhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Përmeti” shprehin dëshirën që këtij dijetari dhe luftëtari këmbëngulës të së vërtetës historike, në këtë moshë që ka arritur, t’i sigurohet nga ana e shtetit trajtim shëndetësor i posaçëm e i vijueshëm nga specialistët më të mirë. Gjithashtu t’i jepet nga shteti ndihma teknike e nevojshme për të vijuar përgatitjen për shtyp të dorëshkrimeve dhe hartimin e punimeve tashmë të skicuara, si dhe një mbështetje financiare e përshtatshme për të përballuar nevojat e tjera të punës, të jetesës e të përkujdesjes shëndetësore.

 

Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare

Shoqata Atdhetare Kulturore “Përmeti”

Share This Article
20 Comments
  • Shëndet e jetë sa më të gjatë akademikut Kristo Frashëri. Vlen për gjithë ata që duan tê vërtetën, kombin dhe zhvillimin e shpejtë. Eshtë domosdoshmëri të ruhet e mbrohet nga shteti. është “arkiva e gjallë”

  • Edhe une i uroje nje pleqeri te shendetshme .Kerkoje nga profesori ,nese mundet ta lexoje kete qe shkruaj, te na shpjegoje dhe nje here se ku i mbeshtet faktet qe ne shqiptaret nuk kemi prejardhje nga Iliret.

  • Urime profesor Frasherit. I uroj shendet dhe jete te gjate edhe uroj qe akadamekite te tjere te marrin shembull nga profesori.

  • Urimin tim do e beja te tille,per kete kolos te historiografise Shqiptare:
    Sikur te kisha mundesi,t’a beja edhe njehere te ri,e ta gezonin Shqiptaret,mendjen dhe vepren e tij edhe deri sa te behej perseri 95 vjecar!

  • Jete te gjate profesor Frasherit, shendet dhe te vazhdoje te kete mendje te mprehte ashtu sic e ka.

    Profesori eshte nje rilindas i vertete, nje njeri qe vazhdon te na ndricoje mendjen, dhe jo si keta

    pseudorilindas qe vjedhin e denigrojne kete popull.

    Jete te gjate Prof!

  • Urime Profesor Kristo Frashëri! Çdo shqiptar i vërtetë ju
    falenderon me zemër për atë ç’ka keni bërë për Shqipërinë, shkencën e kulturën shqiptare

  • modeli qe duhet trumpetuar ne kete vend ku horrat terheqin mediat, jete te gjate profesor dhe presim ende publikime nga ju

  • Urimet më të mira Kristo Frashërit në 95 vjetorin e ditlindjes. Edhe 100 vjet të tjera jetë,
    në shërbim të kombit dhe Shqipërisë. Kristo Frashëri është historiani më produktiv në
    botimet për historinë e Shqipërisë të të gjitha periudhave. Vepra e tij karakterizohet nga një nivel i lartë shkencor, mbështetur në fakte dhe burime historike dhe për këtë duhet edhe
    shteti shqiptar të tregojë një përkujdesje si për shëndetin, ashtu edhe për botimin e veprave të tij historike.

  • 120 vjet u befsh profesor ! Edi Rama duhet te bente nje urim, besoj se
    urimi per ditelindjen e Patozit nuk eshte me i rendesishem

  • I pasfidueshem ne historiografine shqiptare .Nje arkive e gjalle dhe teper realist.Respekt per te gjithe vepren e ketij gjigandi te historise shqiptare.Duhej te ishte dite e shenuar ditlindja e ketij historiani elitar por qeveria ka pasur pune me shtepine e gjetheve me duket ? I uroj profesorit jete te gjate !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *