Kur doli në pah emri i Petrausit, autoritetet menduan fillimisht se adresa e tij ishte hapur nga hakera dhe u frikësuan për kërcënimin kombëtar që mund të sillte një gjë e tillë
Hetimet për kreun e CIA-s nisën pas mesazheve kërcënuese që gruaja që kishte marrëdhënie jashtëmartesore me të i kishte dërguar një gruaje tjetër, kolege të tij. E kërcënuara u frikësua aq shumë, sa i kërkoi FBI-së të hetonte. Një gjë e tillë çoi në zbulimin se kërcënuesja ishte Paula Broduell, ish-oficere ushtarake dhe personi që kishte shkruar biografinë e David Petrausit. Hetimet zbuluan dhe e-mailet mes gruas dhe kreut të CIA-s. Kur doli në pah emri i Petrausit, autoritetet menduan fillimisht se adresa e tij ishte hapur nga hakera dhe u frikësuan për kërcënimin kombëtar që mund të sillte një gjë e tillë, por më pas u kuptua që mes kreut të CIA-s dhe Broduellit kishte një marrëdhënie jashtëmartesore.
David Petraus, gjenerali me katër yje që shpuri në rrugën e duhur operacionet e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe Irak, në shtator të 2011-s la mënjanë uniformën, për të kaluar në krye të CIA-s. i martuar dhe me dy fëmijë, karriera e shkëlqyer e 60-vjeçarit u ndërpre papritmas për shkak të marrëdhënies jashtëmartesore. Politika amerikane thuhet se ka mbetur e ‘shokuar’, sepse një skandal i tillë mund të ishte pritur ndoshta nga disa zyrtarë në Uashington, por jo nga gjenerali me katër yje, David Petraus. Shefi i CIA-s nderohet nga shumë si hero, udhërrëfyes ushtarak dhe ka marrë dekoratat më të larta për shërbimet e tij në luftën në Irak dhe Afganistan.
Petraus, si ministri i ardhshëm i mbrojtjes
Si ish-presidenti Bush, ashtu edhe presidenti Obama, i besuan Petrausit luftërat e tyre më të rëndësishme. Shumë në Uashington besonin se drejtimi i CIA-s nuk do të ishte fundi i karrierës për gjeneralin, që respektohej nga të gjitha partitë. Kur të mërkurën në mbrëmje u dëgjuan fjalët e para se Petraus dëshironte të jepte dorëheqjen, të gjithë menduan se po përgatitej për kandidaturën për president në 2016-n. Por përgjigjja e hamendësimeve ishte diçka krejt tjetër nga sa mendohej. Gjenerali ishte përfshirë në një lidhje jashtëmartesore me gruan që kohët e fundit shkroi një biografi shumë lavdëruese për të. Paula Broduell, ashtu si Petraus, e diplomuar në akademinë ushtarake elitare, kishte akses të gjithanshëm tek ai. Ajo zhvilloi shumë intervista me gjeneralin gjatë kohës që ai komandonte trupat amerikane në Afganistan. Me sa duket, ishte shërbimi i brendshëm sekret i FBI-së zbuloi aferën e shefit të CIA, e cila është një shkelje e qartë e të gjitha rregullave të sigurisë, sepse çështja thelbësore është dyshimi nëse ajo ka pasur akses në e-mailet e Petrausit dhe kompjuterin e tij.
Petraus bëri të ditur se ka qenë dëshmitar i mungesës së gjykimit të duhur ndaj tij.
“Një sjellje e tillë nuk është e pranueshme, as si bashkëshort dhe as si shef i një organi të rëndësishëm siç është CIA, prandaj i jam lutur presidentit Obama që të pranojë dorëheqjen time”, mësohet të jetë shprehur Petraus. Nga ana e tij Obama, pasi u mendua një ditë, e pranoi kërkesën dhe në deklaratën e tij me shkrim lavdëroi punën që Petrausi ka bërë disa dekada për SHBA-në.
“David Petraus e ka bërë vendin më të sigurt dhe më të fortë”, shkruante presidenti. Sipas të dhënave të saj, Shtëpia e Bardhë njoftoi se vetëm ditën e mërkurë ka mësuar për marrëdhënien jashtëmartesore e Petraeus me Paula Broaduellin. “Kur FBI-ja nis një hetim të rëndësishëm, Shtëpia e Bardhë gjithmonë informohet shpejt në lidhje me të”, thotë për “CNN” ekspertja e sigurisë së shtetit, Fren Taunsend. “Dyshimet janë se qeveria mund të ketë pasur informacion kohë më parë në lidhje me këtë çështje dhe supozohet se e kishte mbajtur të fshehur qëllimisht informacionin deri pas zgjedhjeve në SHBA”, shprehet për “CNN”.
Ndryshime të mëdha në qeveri
Megjithatë dorëheqja e Petraeusit vjen në një moment të papërshtatshëm, pasi presidenti i saporizgjedhur, Obama, me largimin e disa prej zyrtarëve të rëndësishëm të qeverisë duhet t’i vihet punës për të kërkuar më shumë personel të ri. Në internet qarkullojnë fjalë se dorëheqja e Petrausit mund të ketë të bëjë me sulmin terrorist ndaj konsullatës amerikane në Bengasi të Libisë në shtator. Por analistët politikë në Uashington e mohojnë këtë supozim. Javën e ardhshme në kongres do të ketë një seancë dëgjimore për Bengasin. Në vend të Petrausit do të dëshmojë tani zëvendësi i tij i deritanishëm dhe shefi i ri i përkohshëm i CIA-s, Majkëll Morelli.
Përgatiti: Dorina Gjuzi