Roja bregdetare italiane informoi dje se brenda 24 orëve të fundit janë shpëtuar në total 4100 emigrantë në ujërat e Mesdheut. Edhe pse nuk është një shifër rekord, mbetet shqetësuese për faktin që bëhet fjalë për një ditë të vetme.
Anijet italiane të patrullimit shpëtuan më 12 prill 3791 emigrantë, dhe një ditë më pas 2850. Operacionet për të kontrolluar fluksin e emigrantëve që përpiqen të arrijnë në bregdetin jugor të Evropës vazhduan gjatë ditës së djeshme.
Ndër operacionet e kryera dje, patrulla franceze “Commandant Birton” shpëtoi rreth bregut të Libisë 217 emigrantë që udhëtonin në tri anije. Anija franceze, që është pjesë e operacionit Triton një nismë e Bashkimit Europian në ujërat e Mesdheut, mbërriti për të shpëtuar personat që ishin në varkë me kërkesë të Qendrës së Koordinimit të Operacioneve të Shpëtimit të Frontex, agjencia e kontrollit të kufijve europianë me seli në Romë. “Commandant Birton” transferoi emigrantët deri në brigjet italiane dhe dorëzoi para autoriteteve dy burra që ishin në timonin e barkave.
Të premten, anijet italiane të patrullimit shpëtuan dy barka të tjera në brigjet italiane me 220 emigrantë në bord. Të gjithë personat, u dërguan në ishullin italian Lampedusa. Më në jug, në afërsi të bregut egjiptian, tre emigrantë vdiqën pasi barka e tyre u fundos ndërkohë që ata përpiqeshin të mbërrin në Europë dhe 31 të tjerë u arrestuan nga autoritetet egjiptiane. Në mesin e udhëtarëve ndodheshin 13 sirianë dhe 15 sudanezë. /DITA
