Mesha e parë e Françeskut I, 300 mijë besimtarë në sheshin “Shën Pjetër”

anazapta

Të paktën 300 mijë besimtarë kanë ndjekur sot papa Françeskun I në meshën e tij të parë, pas zgjedhjes në krye të Vatikanit. “Dhembshuria ndryshon botën, e bën më pak të ftohtë dhe më të drejtë”, është shprehur papa. Ai ka thënë se ka zgjedhur emrin e shenjtit mbrojtës të Italisë, Françesko d’Asizi, si një lidhje shpirtërore me tokën ku familja e tij ka origjinën.

“Ky shesh ka dimensionin e botës”, ka thënë papa duke iu drejtuar besimtarëve të shumtë nga e gjithë bota në sheshin “Shën Pjetër”. Ai ka dalë jashtë mureve të Vatikanit, duke takuar besimtarët e duke u shtrënguar dorën shumë prej tyre. Takimi me papën është shoqëruar me entuziazëm të madh tek turma e besimtarëve katolikë, shumë prej të cilëve thërrisnin emrin e tij.

Mes besimtarëve të cilëve papa u shtrëngoi dorën ra në sy edhe Pietro Orlandi, vëllai i Emanuelës, vajza e një prej vartësve të Vatikanit, e zhdukur 30 vjet më parë. Papa dhe Orlandi kanë pasur një bisedë të shkurtër.

Ndërkohë, pasditja e së dielës mbledh në Itali disa personalitete botërore që pritet ta urojnë papën nga afër. E para në radhë është presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, ndërsa në darkë pritet të mbërrijë zv.presidenti amerikan, Joe Biden. Por vizitat në Vatikan nuk do të jenë ekskluzivitet i krerëve dhe zyrtarëve të lartë të shteteve të botës. Pritet që pos sot në Vatikan të mbërrijë edhe patriarku armen, Bedros XIX Tarmouni dhe patriarku katolik grek, Gregor III Loham.  / Përgatiti: Gazmira Sokoli

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *