Sulmuesi i Barcelonës shpreson në thyerjen e rekordit të Gerd Mylerit
“Jam mirë, por nuk e di nëse do të jem në fushë ndaj Real Betisit. Të shohim deri të dielën”. Kështu u shpreh Leo Mesi mesditën e së enjtes, ndërsa tregoi për frikën që ndjeu pas dëmtimit në ndeshjen ndaj Benfikës, takimi i fundit i fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve. “Ndjeva dhimbje pasi kalova portierin, por godita topin sepse mendova se ai top do të ishte i fundit për një kohë shumë të gjatë. Isha i bindur se dëmtimi ishte shumë i rëndë nga dhimbja që ndjeja”, theksoi Mesi. Ndërkohë, lidhur me rekordin e Gerd Mylerit, sulmuesi i Barcelonës u shpreh: “Nuk jam i fiksuar pas atij rekordi. Shokët më thonë që do më ndihmojnë që ta arrij, por të gjithë golat që kam shënuar, janë falë ndihmës së tyre. Do të ishte diçka e bukur, sepse është një statistikë që mbetet. Nëse e arrij, shpresoj që rekordi im të zgjasë aq shumë sa zgjati ai i Mylerit.” Mësohet se Mesi do të stërvitet këto dy ditë në palestër dhe jo me grupin. Klubi katalanas bëri të ditur se ai ka pësuar një goditje në gju, por argjentinasi nuk ka treguar shenja dëmtimi paraditen e së enjtes.