Maradona: Mbetem më i mirë se Mesi, Pele luante me kundërshtarë që nuk lëviznin në fushë. Me Juven luhet për titull
Diego Armando Maradona ka shkelur në tokën ku e adhurojnë më shumë se kudo tjetër në planet dhe përqafon pas shumë vitesh popullin e kaltër. Qindra tifozë e pritën idhullin e tyre në dalje të hotelit Royal ku ai u shoqërua mes brohorimave dhe banderolave. Duke folur për herë të parë nga vendi ku ngriti mitin e një njeriu që nuk do të shuhet asnjëherë, ashtu si legjendat shekullore të këtij qyteti, Maradona shprehu një dëshirë të veçantë. “Ëndrra ime është të ulem një ditë në stolin e Napolit. Gjithsesi, duhet ta lëmë të qetë Mazzarrin në punën e tij. Më kanë thënë se Roma dhe Interi e kërkojnë Mazzarrin, ndoshta do të vijë koha ime kur ai të largohet…”. “El Pibe de Oro” nuk ka vetëm fjalë mjalti për Italinë dhe Napolin, sepse ai shprehu hapur pakënaqësinë kur u pyet nëse do të dëshironte të jetonte në këtë qytet. “Më hynë në dhomën e gjumit kur e fejuara po bënte dush. Prandaj do të kthehem kur çështja e problemeve fiskale të mbyllet përfundimisht”. Mesi dhe Kavani janë dy lojtarë që e intrigojnë jo pak ish-sulmuesin argjentinas.
“Shpresoj që Mesi t’i dhurojë Argjentinës një botëror, por nuk do të jetë e lehtë sepse e njoh. Me Milanin e rrethuan në kafaz. Sipas mendimit tim ai është një djalë i zoti por unë vazhdoj të besoj se mbetem më i miri. Pele? Luante ndaj kundërshtarëve që nuk lëviznin në fushë. Më pëlqen të luaj pas krahëve të Kavanit për ta ndihmuar ashtu siç bëja me Karekën. Ai nuk duhet të mendojë për Maradonën, ai duhet të mendojë për Juven dhe t’i shënojë gol”. Diego nuk harron të karikojë Napolin në prag të ndeshjes që mund të vlejë një sezon i tërë për skuadrën e De Laurentiis. “Nuk besoj se Juventusi e ka fituar kampionatin, sepse ka edhe 12 jave për t’u luajtur në të cilat mund të ndodhë gjithçka. Pse duhet t’ua dhurojmë titullin? Napoli duhet të ruajë kontaktet me Juven sepse ata nuk kanë asgjë më shumë. Nuk duhet të dorëzohemi, pasi e dimë shumë mirë që bardhezinjtë kanë ulje rendimenti jashtë Torinos. Kampionati mbetet i hapur”.