Gjermani përgëzon argjentinasin për 86 golat e shënuar
Ylli argjentinas i Barcelonës, Leo Mesi, pas 40 vjetësh ka “rrëzuar nga froni” dhe ka thyer rekordin e legjendës gjermane, Gerd Myler. Me dygolëshin e së dielës mbrëma, në fitoren e arritur nga katalanasit në fushën e Betisit, me rezultatin 2-1, tri herë radhazi fituesi i “Topit të Artë” ka arritur në kuotën e 86 golave të realizuar brenda një viti kalendarik. Pra, ka një gol më shumë se Myler, i cili në vitin 1972 kishte shënuar 85 gola. Duke folur për mediat gjermane, mbajtësi i këtij rekordi deri të dielën mbrëma, Gerd Myler, ka thënë se ndjehet i lumtur që pikërisht një lojtar i nivelit të lartë, si Messi, e ka thyer rekordin e tij. Legjenda gjermane e futbollit e ka konsideruar sulmuesin argjentinas si lojtarin më të mirë në botë. “Jam shumë i lumtur që një futbollist si Leo Mesi arriti ta thyejë rekordin tim. Sigurisht, ai e ka merituar këtë, pasi është lojtari më i mirë në botë. Mesi, sigurisht që do të shënojë edhe më shumë gola deri në fund të vitit, ndaj me plot gojën e them: ai është më i miri”, ka pohuar Gerd Myler.