Mediat e ndryshme botërore vijojnë t’i bëjnë jehonë fitimit për herë të pestë të “Topit të Artë” nga Lionel Messi.
Sekuenca të ndryshme nga mbrëmja Gala e së hënës në Zyrih, por edhe krahasime të momenteve se si i kanë përjetuar dy rivalet e ethshëm në futbollin e sotëm, Messi dhe Ronaldo, fitimin e këtij trofeu prestigjioz, po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale. Kështu, duke krahasuar marrjen e “Topit të Artë” nga Cristiano Ronaldo vjet, portugezi shfaqet shpërthyes, triumfator, kur përmendet emri i tij nga Tierry Henry.
Krejt ndryshe e përcjell ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, kur braziliani Kaka e nominon atë si fituesin e këtij trofeu në vitin e 60-të të ekzistencës së tij.
“Aty kishte një ndryshim të madh në reagimet e Messit kur dëgjon emrin e tij nga Ricardo Kakà (mbrëmë) dhe kur Thierry Henry (vitin e kaluar) prezantonte Cristiano Ronaldon si fitues të “FIFA Ballon D’Or”, – shkruan “101 Great Goals.com”, duke e treguar këtë me foto përkatëse, të vendosura ballë për ballë, raporton Telesport.
Ndërkohë, media të tjera janë fokusuar te momenti kur Cristiano Ronaldo përshëndeti bashkëshorten e Messit, Roccuzzo. Fotot kanë shkaktuar një “virus” në rrjetet sociale, në mbarë botën.
Sulmuesi i Real Madridit i jep dorën bashkëshortes së Messit dhe “çmendet” webi. “CR7” ishte i vetëm në Zyrih, sepse në vitin 2015 u nda nga ish-e dashura, Irina Shayk. I ulur në rreshtin e parë, ngjitur me Messin, portugezi përshëndeti kolegun sulmues të Barcelonës, pastaj bashkëshorten e tij, Antonella Roccuzzo, duke e tundur dorën e saj.

