Mësime kryeministrore nga Roma e Londra

Ornela

 

Fiona Kopali

Duhet të jetë e vështirë të jesh kryeministër. Ndoshta, edhe Noli, kështu mendonte gati një shekull më parë gjatë përvojës së tij kryeministrore: përfytyroni njohësin më të mirë të Shekspirit tek sillte ndërmend thënien e Mbretit Henriku IV, “nuk ka prehje për kokën që mban kurorën.”

Detyra e kryeministrit për disa qëllon të jetë më e vështirë se për të tjerë. Dy prej tyre, ndoshta më të përfolurit në Evropë për luftën ndaj COVID-19, ishin në qendër të kritikave mediatike.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, mbajti barrën më të rëndë profesionale dhe njerëzore, kur u detyrua të administrojë situatën e krijuar kur qindra të infektuar me virusin korona humbnin jetën çdo ditë, dhe shumë të tjerë humbnin punën. Ai ka dhënë shpjegime të hollësishme për strategjinë e mundjes së sëmundjes, por media nuk e ka kursyer kërkesën e llogarisë ndaj kryeministrit të ardhur nga bota juridike, i vendosur në pozicionin e zgjidhësit të krizës politike.

Në një konferencë shtypi, gazetarët pyetën kryeministrin në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse duhej të tërhiqej kreu i emergjencave, Domenico Arcuri, sepse nuk i ka bërë mirë detyrat gjatë përballimit të krizës. Kryeministri u përgjigj duke thënë se para se ta gjykojnë, do t’i ftonte të gjithë të viheshin në vend të tij për të parë punën e bërë, kur në të gjithë botën shpërtheu pandemia. “Ju kujtohet, besoj, që ishte e pamundur të gjeje gjëkundi aparate respiratore dhe maska. Çfarë ka bërë Arcuri? Shifrat flasin vetë, dhe janë transparente, të publikuara në internet.”

Profesor Conte, juristi i diplomuar shkëlqyeshëm në Universitetin Sapienza, shfaq nëntone “kryeneçësie” që disa akademikë mund të përcjellin ndonjëherë, të bindur se gjërat janë vetëm ashtu si thonë ata, kur shton: “Nëse mendoni se ju mund ta bëni më mirë këtë punë, do t’Ju kem parasysh, duke shpresuar që kjo të mos ndodhë.” Kjo sjellje e atij që ka “çelësin e dijes” u komentua nga media si e përsëritur, sepse edhe më parë, kryeministrit iu kërkua llogari për përgjegjësinë e qeverisë për shpalljen e zonës së kuqe, por ai i preu fjalën në mes gazetares, duke i thënë se nëse një ditë do të fitonte zgjedhjet, mund t’i bënte ajo ligjet e të merrte vendimet.

Gazetarët e pranishëm tërhoqën vëmendjen mbi vështirësitë ekonomike  dhe nuk u la pa vënë në dukje prej tyre se mungonin përfaqësuesit e disa rrjeteve mediatike, gjë që sipas tyre, është shenjë e krizës së menjëhershme financiare që ka përfshirë edhe botuesit. Kryeministri Conte e komentoi gjendjen e medias si të gjitha aktivitetet sipërmarrëse, që janë në vështirësi ekonomike prej shtrëngimit të pandemisë, por tha se janë paraqitur masa lehtësuese, që tregon se jemi seriozë në këtë që po bëjmë, veçanërisht për lirinë e shtypit.

Sistemi mesdhetar është i mbushur me shembuj të tillë komunikimi, ku gazetarët sulmohen edhe personalisht për pyetjet që drejtojnë. Nuk duhet të harrojmë se media e vendeve të tilla, në këtë rast, italiane, është e drejtuar grupe interesi: shikoni, së fundmi, blerjen nga grupi financiar i familjes Agnelli të 43,78% të grupit editorial Espresso nga familja De Benedetti duke marrë kështu kontrollin, ndër të tjera edhe të La Repubblica, dhe të disa radiove, çka ndikon në lirinë e veprimit dhe vetëcensurës së gazetarëve të këtyre mediave përballë njerëzve në pushtet. Në rastin e La Repubblica, pronarët e rinj ndryshuan menjëherë drejtorin e gazetës, por kundër këtij vendimi, gazetarët bënë një grevë 24 orëshe.

 

***

Kur u duk se lajmi i vitit do të ishte Brexit, dhe Britania do të përballej me vështirësinë e rehabilitimit në një realitet të ri jashtë Bashkimit Evropian, vendin kryesor në media e zuri COVID-19, që shënoi vdekjet e para atje në fillim të marsit. Kryeministri Boris Johnson nuk e mori shumë seriozisht, duke zgjedhur të ishte shembull i gabuar i distancës fizike.

Fati, me humorin e tij anglez, e deshi që vetë kryeministri të shtrohej në spital, nga ku do të niste vështirësia e tij e shumanshme në këtë luftë, gjatë së cilës u kritikua për reagimin e vonuar, madje, për sjelljen e shkujdesur e krahasuan me papërgjegjshmërinë që karakterizon Presidentin Trump.

Kryeministri Johnson sqaroi gazetarët rreth raportimit mbi këshilltarin e tij, Dominic Cummings, që pavarësisht simptomave virale të gruas së tij, udhëtoi familjarisht në drejtim të Skocisë në kohën kur qytetarëve të thjeshtë u ndalohej të dilnin nga shtëpia, dhe as nuk përshëndeteshin dot për herë të fundit me të afërmit e sëmurë rëndë. Kjo shkaktoi zemëratë për abuzimin me pozitën, madje u kërkua edhe dorëheqja e tij.

Kryeministri iu bë krah, duke argumentuar se këshilltari i tij nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër dhe po i bindej instinktit për mirë. Gazetarët i drejtuan një zinxhir pyetjesh vetëm për këtë qendrim, e pyetën çfarë instinkti ishte ky, e pyetën a kishin ndryshuar udhëzimet qeveritare, duke i rikujtuar se ndërsa Cummings po i bindej instinktit, qytetarët po u bindeshin rregullave. Ata vijuan më tej, pyetën nëse dikush tjetër me të njëjtin hall mund të vepronte instinktivisht si ai.

Pyetjet e shkollës së gazetarisë britanike kanë stil të përmbledhur, dhe shpesh kërkojnë përgjigje vetëm me po ose jo, por kryeministri iu përgjigj se këshilla mbetet e njëjtë dhe e qartë, njerëzit duhet të vetizolohen për 14 ditë, siç edhe këshillari i tij bëri, dhe në asnjë mënyrë nuk e ndryshon këshillën e qeverisë për kujdes. Gjithashtu, vihet re se kryeministri Johnson shfaqet i shoqëruar me ekspert të fushës që shpjegon hollësi profesionale, përballë gazetarëve që “ndihmojnë” njëri-tjetrin, ndonjëherë, duke përsëritur pyetjen e kolegut kur gjykojnë se përgjigja nuk është bindëse.

Kryeministri i pazakontë britanik, me pamje të shpupuritur dhe zë belbëzues, i përshkruar nga media si i prirur për gafa dhe diplomati më jodiplomatik, vjen vetë nga përvojë gazetareske, dhe kjo ndoshta ndikon që të ruajë respektin ndaj djemve të Fleet Street. Megjithatë, historia ka treguar se sistemi anglosakson drejtohet nga parimi i respektit të dyanshëm dhe pyetjeve të drejtpërdrejta në komunikim. Debatet parlamentare britanike janë të ashpra, por me respekt të plotë për kundërshtarin. Presidenti Trump duket të jetë përjashtimi nga rregulli për mënyrën si u drejtohet gazetarëve, të cilët e ruajnë etikën edhe përballë deklaratave të tij, shpeshherë, fyese.

Për britanikët, BBC-ja është institucioni publik i pavarur që përfaqëson interesin e popullit, aq sa ka ndodhur që edhe serialet humoristike[1] të merren seriozisht si burim informacioni. Kjo i jep sistemit mediatik mundësi frymëmarrjeje më lirisht sesa vende si Italia, gjer edhe ato të Lindjes, ku gazetarët punojnë për media të zotëruara nga oligarkë të kamur, familje mbretërore, e dinasti industriale, që le pak hapësirë për lirinë e tyre profesionale dhe llogaridhënien e përgjithshme të politikanëve.

Këto rreshta, më shumë se analizë krejt sipërfaqësore, synojnë të ngrenë pyetje dhe të sjellin shembuj të etikës së komunikimit me median, të cilat, duke cituar këtu kryeministrin italian, i njohin dhe do t’i studionin më mirë ata që merren me këtë zanat.

[1] Serialet satirike Yes, Minister dhe Yes, Prime Minister të viteve ’80 patën ndikim të fortë në debatin politik britanik, sepse “zbuluan” me humor analet e politikës dhe publiku mezi priste të shihte në BBC si sillen ofiqarët. Edhe kryeministrja britanike e kohës, Margaret Thatcher, ishte ndër ndjekëset më të rregullta të serialit, dhe bashkëpunoi me produksionin duke u dhënë materiale të ndryshme nga korridoret e burokracisë për skeçet humoristike. Meqë po flasim për politika shëndetësore, Sir Humphrey, personazhi i nëpunësit të kabinetit që i mori zemrat shikuesve me sarkazmë, ëndërronte një sistem publik me spitale të pajisura me mjetet e duhura, me stafin e duhur, por pa të sëmurë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *