Vlerësimi i nxënësve për periudhën e të mësuarit në shtëpi do të nisë në javën e tretë. Udhëzimi i hartuar tashmë nga ekspertët e arsimit për vlerësimin e nxënësve në kushtet e emergjencës së shkaktuara nga përhapja e koronavirusit, ka përcaktuar hapat që do të ndjekin mësuesit e lëndës në vlerësimin e nxënësve në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar.
Sipas skemës së përcaktuar, mësuesi vendos notat e vlerësimit të vazhduar, notat e vlerësimit të portofolit dhe notat për testin ose detyrën përmbledhëse sipas formatit të përcaktuar.
“Nga fillimi i javës së tretë të mësimit në kushtet e shtëpisë, mësuesit duhet të vlerësojnë pjesëmarrjen dhe gatishmërinë e nxënësve për të përgatitur rregullisht detyrat e dhëna, si dhe arritjet e tyre në nxënien e njohurive të fituara”, saktësohet në udhëzimin e hartuar nga MASR.
Për periudhën përgatitore të përgatitjes së nxënësve në shtëpi, mësuesve u është kërkuar që të bëjnë kujdes dhe të mos mbingarkojnë nxënësit me detyra dhe, aq më tepër, me detyra që nuk mund të kryhen në kushtet e shtëpisë. Secili mësues e përcakton vetë afërsisht se sa minuta mund të zgjasë mësimi online.
Notat për nxënësit nga klasa I-III
Vlerësimi i nxënësve në klasat 1-3 do të bëhet mbi bazën e shënimeve që mësuesi ka mbajtur në fletoren personale gjatë periudhës kur mësimi është zhvilluar në shkollë, si dhe në vlerësimet që mësuesi mund të ketë kryer gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në mësimin online dhe vlerësimet e detyrave të shtëpisë.
Për këtë kategori klasash, saktësohet më tej se testimi për lëndën e gjuhës shqipe dhe të matematikës do të zhvillohet online me nxënësit në komunikim të drejtpërdrejtë, ose me teste të thjeshta të dërguara në grupet e krijuara. Ndërkohë që janë dhënë edhe disa shembuj konkretë të llojeve të pyetjeve që mund të përdorin mësuesit për testin përmbledhës në arsimin fillor.
Notat për nxënësit nga klasa IV-XII
Për këtë kategori klasash, nota do të përcaktohet nga vlerësimi i vazhduar, vlerësimi i portofolit të detyrave dhe projekteve, si dhe testi përmbledhës.
Vlerësimi i vazhduar do të bëhet mbi bazën e shënimeve që mësuesi ka mbajtur në fletoren personale gjatë periudhës kur nxënësit kanë qenë në shkollë, si dhe në vlerësimet që mësuesi ka kryer gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë, përfshirë vlerësimin e detyrave të shtëpisë, si dhe gatishmërinë e nxënësve për të komunikuar me mësuesen dhe vlerësimin e detyrave të kryera prej tij. Orientimi i nxënësve në lidhje me detyrat e shtëpisë të jetë sipas modeli të një pune të diferencuar dhe individuale.
Vlerësimi i portofolit do të bëhet mbi bazën e detyrave që nxënësi ka dorëzuar gjatë periudhës kur ishte në shkollë, si dhe të detyrave krijuese që nxënësi mund të ketë kryer gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë. Nëse ka raste që një detyrë krijuese ose një pjesë e projektit nuk është realizuar për shkak të ndërprerjes së procesit mësimor, ose nuk mund të kryhet në kushtet e mësimit në shtëpi, mësuesi e zëvendëson atë, ose bën vlerësimin e portofolit të nxënësit duke u bazuar vetëm në detyrat që janë realizuar. Sugjerohet që projekti kurrikular të zëvendësohet me një detyrë krijuese individuale, e cila mund të zhvillohet në kushtet e shtëpisë.
Vlerësimi me test ose i detyrës përmbledhëse do të kryhet në kushtet e shtëpisë. Ky vlerësim do të përmbajë vetëm çështjet kryesore të zhvilluara për të gjithë periudhën përkatëse (nëse mësuesit nuk e kanë zhvilluar akoma) që përfshijnë njohuritë që nxënësi ka fituar kur ka zhvilluar mësimin në shkollë dhe njohuritë më kryesore që nxënësi ka marrë gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë. Në këtë rast, mësuesi përcakton: datën e zhvillimit të testit, orarin e zhvillimit të testit, kohën sa do të zgjasë testi, mënyrën e organizimit të tij.
Mësuesit e lëndëve të fushave “Gjuhët dhe komunikimi”, “Matematika” dhe “Shkencat e natyrës” do të vendosin nëse zhvillojnë me nxënësit teste ose detyra përmbledhëse (sipas specifikave të lëndës).
Mësuesit e lëndëve të fushave “Shoqëria dhe mjedisi”, “Arte”, “Teknologji dhe TIK”, “Edukim fizik, sporte dhe shëndeti” etj, NUK do të zhvillojnë teste, por detyra përmbledhëse, në mënyrë që nxënësit të mos ngarkohen me teste për të gjitha lëndët.
Për të zhvilluar testin ose detyrën përmbledhëse në kushtet e shtëpisë:
- Mësuesi liston çështjet për të cilat nxënësit duhet të përgatiten duke u fokusuar në konceptet më kryesore.
- Njofton nxënësit për çështjet kryesore të përzgjedhura për periudhën përkatëse.
- Nxënësi, në komunikim të drejtpërdrejtë në rrjete sociale, i përgjigjet mësuesit brenda 3-5 minutave për koncepte kryesore të njërës nga çështjet që mësuesi i përzgjedh aty për aty.
- Mësuesi vlerëson nxënësin dhe ia komunikon atij këtë vlerësim.
- Kjo metodë i mundëson mësuesit të vlerësojë të gjithë nxënësit për një periudhë kohore relativisht të shkurtër dhe mbështetet nga komunikimi online që po zhvillohet në këtë fazë.
Vlerësimi në klasat kolektive
Mësuesit që punojnë me klasat kolektive, mund të krijojnë grup vetëm me nxënësit e së njëjtës klasë, ose do të punojnë individualisht me nxënësit. Përshembull . nëse në një klasë kolektive ka 2 nxënës klasa e parë, 3 nxënës klasa e tretë dhe 1 nxënës klasa e pestë, mësuesi do të krijojë grup të veçantë për klasën e parë, grup të veçantë për klasën e tretë dhe do të punojë individualisht me nxënësin e klasës së pestë.
Mësuesit që punojnë me klasa kolektive, do të zbatojnë të gjitha udhëzimet e mësipërme në lidhje me vijueshmërinë e mësimit në kushtet e shtëpisë, me realizimin e programit mësimor dhe me procedurat e vlerësimit të nxënësve.
Në varësi të numrit të nxënësve, si dhe të specifikave të klasës dhe të zonës, mësuesi mund të zgjedhë formën, mënyrën dhe mjetet e komunikimit me nxënësit/prindërit. Është e rëndësishme që nxënësit në zonat rurale të vijojnë procesin e mësimit në kushtet e shtëpisë dhe të udhëzohen në vazhdimësi nga mësuesit.
Rubrikat\Skeda për zhvillimin e mësimit në kushtet e shtëpisë
- Prezantohet lënda, tema e mësimit dhe rezultatet e të nxënit.
- Zgjidhen ushtrimet që janë dhënë detyrë shtëpie, në mënyrë që nxënësi të vetëvlerësohet, nëse i ka kryer ato në rregull.
- Si lidhet kjo temë me një situatë nga jeta reale. Pse do ta mësojmë këtë temë, për çfarë na shërben në jetën reale në varësi të specifikës së lëndës?
- Kujtohen njohuritë paraprake që ka nxënësi dhe që lidhen me këtë temë mësimi.
- Përmblidhen konceptet kryesore të temës së re dhe udhëzohen nxënësit se ku do të përqendrohen më së shumti.
- Vijohet me dy-tri zbatime nga tema e re, të cilat mund të jenë: ushtrime (për ushtrimet jepet një shembull i zgjidhur nga mësuesi), situata nga jeta reale në të cilat zbatohen njohuritë e reja, një detyrë ose koment (nxënësit orientohen se si do të punojnë dhe çfarë pritet prej tyre, si dhe jepet një shembull nga mësuesi), një temë diskutimi (jepen udhëzime nga mësuesi), pyetje që ndodhen në aparatin pedagogjik të tekstit ose që hartohen nga vetë.
- Mësuesi orienton nxënësit si të punojnë me kërkesat që ndodhen në aparatin pedagogjik të tekstit, duke dhënë një shembull vetë ai.
- Bëhet një përmbledhje e temës së mësimit, duke u përqendruar në njohuritë dhe konceptet kryesore.
- Jepen detyrat që do të zhvillohen në kushtet e shtëpisë, për të cilat mësuesi udhëzon nxënësit se si do t’i kryejnë ato.
- Secili mësues e përcakton vetë afërsisht se sa minuta mund të zgjasë mësimi online.
p.k/DITA
