Messi i rilindur: Kalova një vit tepër të vështirë

redaktor

Te Barcelona gjithçka shkon ashtu siç duhet. Blaugranat kanë gjetur marshin e fitoreve duke bindur në lojë. Protagonist si gjithmonë në kampin katalanas është Lionel Messi që e ka nisur 2015 me ritëm golash. Argjentinasi i gëzohet  momentit, ndërsa rrëfehet se vitin e kaluar performanca e tij është ndikuar edhe nga problemet që nuk kanë të bëjnë me futbollin.

“E vërteta është se këtë vit synoja që të filloja gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. E dija që nuk vija nga një vit i mirë, gjatë të cilit kalova shumë probleme si brenda ashtu edhe jashtë fushës. .

Ylli argjentinas zbulon se ndryshimi i ka rrënjët edhe të dëshira e tij e madhe për tu treguar të gjithëve se Messi mbetet Messi. “Ishte një sfidë për mua që të ndryshoja gjithë imazhin që ishte krijuar në sezonin e kaluar dhe që të rikthehesha ai që kisha qenë më parë. Ky ishte objektivi im dhe me këtë synim e nisa vitin”.

Për sa i përket aktualitetit te Barcelona, Messi nuk mund të mos jetë i kënaqur. “E vërteta është se jemi jashtëzakonisht mirë, Për fat pas ndeshjes me Real Societad ku nuk e filluam mirë vitin, gjithçka ndryshoi. Tani jemi në një tjetër dinamikë. Ekipi ka shumë besim, ka ndryshuar sjelljen në fushë dhe ka më tepër dëshirë, dhe të gjitha këto kanë bërë që të jemi këtu ku jemi”.

Objektivat e Barcelonës nuk mund të ndryshojnë, janë gjithmonë maksimalë, por Messi paralajmëron shokët e skuadrës për të qëndruar me këmbë në tokë. “Deri tani nuk kemi fituar asgjë. Mbetet edhe disa muaj kompeticion si në La Liga ashtu dhe në Champions dhe na duhet të hedhim hapin përfundimtar në finalen e Kupës. Duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë për të arritur objektivat që i kemi vënë vetes”.

Në fund edhe një koment për 1/8 e Champions League, ku Barcelona gjen përballë një kundërshtar të njohur. “Na takoi Manchester City, si vitin e kaluar, dhe është një ekip i formuar me lojtarë të mëdhenj,  kështu që do të jetë një përballje e dyfishtë shumë e vështirë. Do të jetë një duel i ekuilibruar dhe detajet do të bëjnë diferencën, por do të jetë edhe një përballje e bukur pasi Manchester City është përforcuar shumë”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *