Messi: Kampionatin e dua për Tito Vilanovën

anazapta

Fundjava do të jetë e pasur me finale në Europë, por padyshim që finalja më e nxehtë pritet ajo në Primera, ku Barcelona dhe Atletiko e Madridit do të ndajnë titullin kampion në ndeshjen e fundit të sezonit. Dy skuadrat ndahen nga dy pikë, ku shifrat flasin në favor të Atletikos së Madridit, të cilës i mjafton dhe një barazim për të fituar kampionatin në Spanjë. Por Atletiko duhet të bëjë llogaritë me Barcelonën dhe me Lionel Mesin. Sulmuesi argjentinas shpreson të jetë dhe një tjetër herë vendimtar në një ndeshje të madhe që pritet të luhet të shtunën, në orën 18:00, në Barcelonë.

Për Titon – Duke folur nga Zvicra, ku ka qenë i pranishëm në një fushatë publicitare, Lionel Messi ka bërë me dije se e do më shumë se asgjë tjetër këtë titull kampion në Barcelonë, pasi ka vendosur që gjithçka t’ia dedikojë trajnerit Tito Vilanova i ndarë nga jeta vetëm disa javë më parë. “E dua shumë këtë kampionat dhe nëse e fitojmë, titulli do të jetë për Titon. Ai e dashuronte këtë klub dhe ne duam t’ia dhurojmë këtë trofe atij. Ky është një nga titujt më të rëndësishëm, sepse është kurorëzim i një pune njëvjeçare. Po flasim për kampionatin spanjoll, një nga më të fortët në botë dhe për ne nuk ka qenë aspak e lehtë. Gjithsesi jemi me fat, pasi gjithçka është në dorën tonë tashmë. Vijmë në ndeshjen e fundit të sezonit me 2 pikë më pak se Atletiko që do të thotë se një fitore do të na jepte titullin. Dhe nuk duam ta humbasim këtë shans që na ka ardhur në dorë”, ka thënë Leo Messi.

Maradona – Titulli me Barcelonën është një gjë, por titulli me Argjentinën në Kampionatin Botëror në Brazil është diçka tjetër. Dhe duket se Botërori i Brazilit është ai që motivon më shumë Leo Messin. Ky titull është ëndrra e madhe e tij dhe një mundësi për ta ngjitur në rangun e të mëdhenjve të historisë së botës si Pele apo Maradona. Kjo është arsyeja përse argjentinasi e do shumë titullin në Brazil. “E kam thënë dhe më parë se titulli në Brazil do të jetë diçka e veçantë. Krahasimi me Maradonën më duket jo fort i gjetur. Më mungon një Kupë Bote, por unë dua të bëhem kampion bote me Argjentinën sepse kjo është ëndërr e kujtdo dhe jo për të vënë veten në të njëjtin status me emra si Pele apo Maradona”, ka thënë “Pleshti” për gazetën amerikane “Washington Post”.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *