Letër e nënshkruar,
Luto Lamçe, Vlorë
Jam një lexues i rregullt i gazetës Dita. Në numrin e datës 22 mars më tërhoqi vëmendjen shkrimi i lexueses Ada dërguar z.Thano. Shprehte një realitet të hidhur kur shkruante: “Vitet e fundit, mësuesve po t’u dhurosh lule, të varin turinjtë”. Kam punuar mbi dyzet vjet në arsim e kam ndjerë prej kohësh revoltë. E kam shprehur në një vjershë në një libër që kam botuar para dy-tre vjetësh. Po ua dërgoj.
Atë vit shkollor, një klasë e shtatë
Mësues kujdestar kish një femër
Ndërsa, unë, isha thjesht një dublant
Sa dhe në “regjistër” s’kisha fare emër.
Nxënësit kishin bërë një palë çorape
Për ditën tonë të shënuar si dhuratë
Dhe shtangën kur “dublanti” hyri te dera
Se mësuesja u mungonte atë datë.
Ankthi përshkonte heshtjen përpëlitëse
Dhurata ndër ta ishte më i madhi hall
Në sytë e tyre shihja vetëm pikë çuditëse
A thua se flisnin me gjuhën e një libri të rrallë!
Nuk di, ai 7 mars një brengë më la në shpirt
Ngado rëndonte plumb ngarkesë e madhe
Nxënësit që tek mësuesi për dije i mbajnë sytë
Ndodh që të vriten nga “bota tregtare”!