Mësuesi i dritës edhe kur ikën, ndriçon

Ornela

Albert HABAZAJ

Dr. Niazi Xhaferaj rron, se la gjurmë në edukimin qytetar

Kur iku qytetari shembullor dhe pedagogu i përkushtuar Njazi Xhaferaj, djemtë e tij më kërkuan të mbaja fjalëlamtumirën. Përcjella nuk do të bëhej në varrezat e qytetit të Vlorës, por në vendorigjinën e Mësuesit, sipër në Gumenicë të Labërisë, në kraharor të malit, pranë prindërve të tij. E kishte lënë amanet. Kur mora vesh lajmin e hidhur, që iku një njeri që s’ulej kurrë, që s’lodhej asnjëherë, që e kishte hequr nga përdorimi praktikimin e fjalës pushim, sa u trishtova aq u hutova. Po para pesë ditësh kishte ardhur në Bibliotekën shkencore të Universitetit ku unë punoj, dhe, pasi kishte studiuar e shkruar 3 orë mbi një punim mbi figurat stilistike, më kërkoi dy botime akademike të prof. Xhevat Lloshi dhe prof. Emil Lafe. Edhe pse kishte pak kohë në moshë pensionimi, ai nuk u nda nga arsimi, nga puna kërkimore-shkencore, nga biblioteka, nga ekspeditat në terren. Tek ne ishte si i shtëpisë. Ishte mik i Bibliotekës. Kishte këndin e tij ku punonte dhe linte literaturën studimore, krahasimtare, që nuk ia preknin as studentët, as pedagogët e tjerë. Ai ishte një mësues model, drejtues korrekt, studiues për t’u marrë shembull, sepse qe i papërtueshëm në punët që ndërmerrte dhe i patërheqshëm në synimet e tij. Familja e  tij nuk qe thjesht një familje me arsim të lartë, por radhitet ndër familjet intelektuale të qytetit, sepse kur vetë vazhdonte doktoraturën, edhe djemtë e vazhdonin atë, ndërsa bashkëshortja, krahas detyrave të shtëpisë si amvisë duarflori, vijonte plotësimin universitar.

Ai theu kështu konceptet e vogla dhe shkeli mbi mentalitetet e lodhura e parazitare të dominoistëve dembelë, duke u bërë shembull i emancipimit të mëtejshëm qytetar, se dija nuk ka kufizim moshe dhe ai e vijoi udhëtimin e ndritshëm të diturisë, sa qe me frymë e në këmbë, duke lënë gjurmë gjurmë të krenarisë së dinjitetshme jo vetëm për familjen, bashkëshorten, zonjën Pranvera, mësuese, Artanin pedagog dhe Saimirin…

Doktori i Shkencave Niazi Xhaferaj qe një dritan i dijes, që kishte shumë miq në Vlorë e në Lumin e Vlorës, në Fier e Mallakastër, në Tiranë e Shkodër. Gjithashtu ai kishte miq edhe pishtarët e dijes, personalitet të shquara të gjuhësisë shqiptare dhe letërsisë si askush. Ethem Lika e Gjovalin Shkurtaj apo si prof. dr. Enver Hysa, Xhevat Lloshi e Rami Memushaj.

***

Niazi Xhaferaj lindi në Vlorë më 24.01.1949 dhe e la frymën më 22 shkurt 2021 në Tiranë dhe prehet pranë të parëve të tij në ballë të fushës së bekuar të Gumenicës. Tek ai njeri kam parë misionarin e pakthyeshëm të kërkimit të udhëve të dritës, të dashurisë për vendlindjen, për gjuhën e nënës, të nderimit të historisë dhe etnokulturës shqiptare, duke filluar nga lokaliteti, më ngushtë akoma nga qeliza e shoqërisë dhe bërthama e dritës, nga familja e bekuar prej mirësisë së tij humane. Çdo ikje njeriu dhemb, se ka hidhërim për familjarët, miqtë e dashamirësit. Kjo ikje e Niaziut për mua është një shkulje me drithërimë e një rrënje ndriçimtare…

Ju dhe ne të gjithë e duam arsimin, edukatën, mirëqenien. Niaziu ishte i veçantë në këmbënguljen e tij të patërheqshme për realizimin e synimit të madh. Pa u dukur, pa u mburrur ai punoi si mëma bleta për vete, për gruan, për djemtë. Ka mësues e mësues. Ka dhe me tituj shkencorë jo pak. Niazi Xhaferi, për mendimin tim është një Fan Nol në miniaturë, në trajtën e tij origjinale, duke shkelur edhe mentalitetet e vockla regresive e paraziteske, duke sakrifikuar shumë edhe financiarisht vetëm e vetëm për të realizuar synimet e larta të edukimit akademik për vete dhe familjen, për t’i shërbyer sa më mirë brezave në arsimimimin e tyre sipas programeve të studimit. Niaziu nuk mund të kuptohej pa librin, pa bibliotekën, pa dritën në dorë. Ai në moshë të “kaluar” fitoi si pak kush me meritë gradën shkencore “Doktor i shkencave” dhe e vuri në dobi të punës akademike dhe kërkimore-shkencore në institucionin e lartë arsimor ku punonte. Ai do të mbahet mend si komisar i dritës përherë në udhëtim për t’u dhënë dritë të tjerëve. Unë e kisha shumë mik. Shpesh herë Niaziu me modesti kujtonte: “Me rastin e 7 marsit 2014 mora nga DAR, Vlorë “Çertifikatë mirënjohjeje” për përkushtim në fushën e arsimit, në edukimin shkencor e qytetar të brezave, duke lënë pas modelin e çmuar të mësuesit. Ky vlerësim më ka motivuar më shumë për një përkushtim maksimal në detyrën e mësuesit”.

Pa qenë e nevojshme të përmendim jetëshkrimin e tij, kujtoj se pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier në vitet 1962-1966, kreu Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër, Dega Gjuhë -Letërsi dhe fitoi titullin “Mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë për shkollat 8-vjeçare”. Filloi punë në pozicionin Mësues në shkollën 8-vjeçare “Sabri Refiti,” Ngjeqar, Fier. Ndërkohë, plotësoi studimet universitare në Universitetin e Tiranës, Dega, Gjuhë shqipe dhe Letërsi në vitet 1968-1972 dhe fitoi titullin “Mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë për shkollat e mesme”. U afrua në Vlorë, por në malësi të Labërisë në pozicionin e punës Mësues në shkollën 8-vjeçare “Karafil Aliaj”, Ploçë, Vlorë. Për 35 vjet, nga viti 1973-2008,  Niaziu kreu detyrën fisnike të Mësuesit në shkollën 8-vjeçare “Alush Gjika”, Petë, Vlorë dhe gati për një çerek shekulli, nga viti 1973-1992, dhe 2004-2008 Niaziu kreu detyrën e rëndësishme të Drejtorit po në atë shkollë që punonte si mësues dhe i dha fytyrën e përparimit në edukimin arsimor dhe atdhetar të nxënësve, në shkollën 8-vjeçare “Alush Gjika”, Petë, Vlorë. Ka fituar titullin “Mësues mjeshtër” nga Drejtoria Arsimore Vlorë në vitin 2008 dhe po këtë vit “Çertifikatë vlerësimi për planin vjetor të shkollës” dhe Çertifikatë vlerësimi për planifikimin e orëve të lira në shkollë” nga Instituti i Kurrikulave dhe i Trajnimit në Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë në vitet 2004-2006 po kryente shkollën pasuniversitare (Master shkencor në gjuhësi) pranë Universitetit të Tiranës, Dega Gjuhë shqipe, ndërsa në vitet 2011-2014 fiton gradën shkencore “Doktor i shkencave në Gjuhësi” po në Universitetin e Tiranës, Shkolla Doktorale. Për  një vit punoi drejtor në shkollën 9-vjeçare “Qazim Sina” (2008-2009), Kocul, Vlorë, ndërsa nga vitet 2009-2014 Mësues në shkollën e mesme “Mynyr Xhindi”, Vllahinë, Vlorë. Punën gjysmë shekullore si mësues në fshat e mbylli si mësues në shkollën 9-vjeçare “Ismail Caushi”, Rexhepaj, Vlorë, në vitin 2015 dhe në këtë periudhë nis detyrën në pozicionin e punës Përgjegjës i Qendrës Kërkimore – Shkencore në Akademinë e Studimeve të Aplikuara “Reald”, Vlorë (efektiv). Ka qenë dhe pedagog i jashtëm në Universitetin “Kristal” dhe “Albanian University”, Berat në fundjavë Attachments area. Niaziu kishte aftësi shoqërore dhe organizative, ku dallohej për komunikim të mirë dhe bashkëpunim korrekt në grup duke marrë përgjegjësi e dhënë detyra në veprimtari të ndryshme të organizuara. Ai kishte aftësi të merrte përsipër organizimin e debateve duke drejtuar pyetje logjike. Kishte aftësi në organizimin e aktiviteteve dhe ngjarjeve të ndryshme, aftësi bashkëpunimi dhe për të zgjidhur situata konfliktuale. Kishte vullnet e dëshirë për të mësuar në punë e sipër e për të përfituar nga përvoja e të tjerëve, nga dinamizmi dhe efektiviteti në shfrytëzimin e kohës. Merrte iniciativa e kishte aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur, për të përdorur në mënyrë efikase kohën për të përmbushur detyrat, duke  kuptuar subjektin, standardet dhe procedurat e zbatueshme. Kishte aftësi gjykuese për të marrë vendimet e duhura në lidhje me punën e përshtatej shpejt sidomos me ndryshimet, mendonte në mënyrë aktive, kritike dhe krijuese. Kishte aftësi shumë të mira komunikuese, pranonte kritikat konstruktive dhe ishte i motivuar për punë mësimore e shkencore. Ndër interesat e veçanta që kishte, vlen të kujtojmë se Niaziu njihte kultura të reja dhe angazhohej në zhvillimet e fundit të shkencës. Kishte dëshirë të ishte në kontakt të vazhdueshëm me njerëz të fushave të ndryshme. Komunikimi dhe mprehtësia ishin dy elementë që i zotëronte mirë.

Ndër pjesëmarrjet në konferencat shkencore, mund të përmendim:

2011, referim në simpozium shkencor në Universitetin “Albanian University”, Berat për probleme të mësimdhënies bashkëkohore;

2012, referim në konferencën shkencore ndërkombëtare për Fan Nolin me temë: “Figurat stilistike dhe elementet e vjershërimit poezinë e Fan Nolit”;

2012, referim në konferencën shkencore ndërkombëtare në Elbasan për Kostaq Cipon me temë: “Figurshmëria e shqipes në veprat e Kostaq Cipos”;

2012, Referim në konferencën shkencore në Vlorë: “E para është fjala” me temë: “Lëvrimi i stilistikës së gjuhës shqipe në 100 vitet e pavarësisë”;

2012, Referim në konferencën shkencore ndërkombëtare në Vlorë për 100-vjetorin e Pavarësisë me temë: “Vështrim mbi figurat stilistike në këngët popullore për liri e pavarësi”;

2013, Referim në konferencën shkencore ndërkombëtare në Shkodër me temë: “Figurat stilistike dhe mesazhet e këngëve popullore himarjote”;

2017 e në vijim Botime të ndryshme në “Buletinin Shkencor REALD”.

Botime tekstesh dhe artikujsh shkencorë

2004, bashkautor i librit “Ligjërimi poetik” për shkollat e mesme dhe të larta;

2009, bashkautor i librit “Figurat stilistike” për shkollat e mesme dhe të larta, botuar nga “Europrint”, Vlorë;

2010, bashkautor i librit për mësuesin “Gjuha shqipe, 9” (Albas);

2011, botim në “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë i një artikulli shkencor me titull: “Personifikimi, simboli dhe grotesku në traditën shqiptare dhe në trajtimet bashkëkohore”;

2013, botim në Buletinin Shkencor të Universitetit të Korçës artikullin shkencor “Figura stilistike dhe elementet e vjershërimit në poezinë e Fan Nolit”;

2013, botim në Buletinin Shkencor të Universitetit “Kristal”nr. 4 artikullin shkencor “Metafora dhe krahasimi në traditën shqiptare dhe në trajtimet bashkëkohore”;

2013, botim si bashkautor një artikull shkencor në “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë me temë “Figurat stilistike dhe elementet e vjershërimit në krijimtarinë poetike të Fatos Arapit”;

2013, botim në Buletinin shkencor të Universitetit të Elbasanit artikullin shkencor me teme: “Figurshmëria e shqipes në veprat e Kostaq Cipos”, etj.

Share This Article
4 Comments
  • Modestia e te ndierit Niazi Xhaferaj si njjeri se pari,fituar specialitetin e mesuesei eshte per t’u admkruar sjelle me mjeshteri te PENES tij inderuaro Albert Habazaj,ne shkrimin e me siper TITULLUAR:
    * MESUESI i DRITES eshe kur *iken* -NDRICON!*
    Titulli i thote te gjitha per ate Mesues e DREJTUES shkolle nje jete, kryesisht ne fshat,paraprires studiues, deri mare gaden e larte shkencore-*Doktor i shkencave gjuhesore*,sa botime te shumta me vlera shkencore ne fushen e arresimit.
    Per t’u shenuar eshte;PLOTESIMI i AMANETIT te te ndierit *Dr shkencave*-Niazi Xhaferaj:
    -*Te prehem prane TE PAREVE te Tij,ne GUMENICE* ku prehet nga 22 shkurti 2021 mes VORREZAV te fshatit me tradita atdhetare te Vlores..
    Faleminderi i nderuari Alber Habazaj,ndricuar kete figure te shquar te ARRESOMIT ne rrethin e Vlores!

    I perjetshem Kujtimi Niazi Xhafera dhe vepres tij lene!

    *Pasuesi veteran*Mesuei 85 vjecar-
    Dhimiter M.Xhoga.(Guri Naimit D.)

    Toronto 28-07-2021

  • Nje ze ky shkrim,qe te jep ndiesin e nje oazi ne shkretetiren e mentalitetit oriental mesjetar arnaut.
    Kete e tregon dhe ajo,qe shkrimet per keta njerez te vertete dhe cilesore,te kultures dhe atdhetarise,percillen ne heshtje.
    Lloji jone i turmes ndihet i plotesuar,kur i hedhin ndonje kocke politike,apo vrasje te ndryshme,qe ta kthejne nga te gjitha anet ne gojet e tyre,ne mizerine e kafeneve.
    Pamje si shekuj me pare.

  • Kam patur fatin qe isha studente e tij. Sa njeri i mire e pedagog model. I gjithe grupi mezi priste te vinte ora e profesor Njaziut. Ishte i papertuar e na pergjigjej per cdo problem qe kishim dhe nuk e ngriti njehere zerin. Ai na e mesoi gjuhen shqipe.
    Ngushellime te perzemete familjes e miqve.
    Shpirti i tij befte dreite!

  • Ishte nje humbje e madhe dhe e parakohsheme qe pikelloi te gjithe ata qe njohen dhe punuan me Njaziun. Njazi Xhaferi ishte njeri shembullor, perhere i rrethuar nga miq te mire, bente pune te mira me qetesi e durim te papare.
    I ndrite shpirti e mendja e tij.
    Respekt edhe per ju zoti A. Habazaj per shkrimin. Vlersimi per Njazun te rrit vleren edhe ty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *