Mësuesi i gjuhës dhe dashuria

redaktor

Në vitin 1964, një nga shokët tanë të klasës, në politeknikumin “7 Nëntori” (sot “Harri Fullc”), Hasan Qarri nga Puka, në orën e “gjuhës”, në dërrasë të zezë, me germa të mëdha shkruajti këtë strofë:

“Të desha dikur dhe të dua pa fund

Sikur bota të bëhet thërrime,

Mbi gërmadhat e saj do të ngrihen gjithkund,

Flakët e dashurisë sime… Hajne!”

Ne u sulëm ta fshinim, por Hasani me forcë na kundërshtoi.

…Profesori Dragush Çabej sapo hyri si duket e vuri re, por nuk ra në sy. I qetë hapi regjistrin dhe filloi apelin. Të gjithë ne sapo dëgjonim emrin çoheshim ne këmbë dhe si me komandë përgjigjeshim: “Këtu”. Kur u përmend emri i Hasanit dikush kukurisi, por trokitja e lapsit mbi tavolinë e bllokoi. Mbasi mbaroi me apelin na u drejtua:- Tani më thoni… Kush e ka shkruar këtë?

Ne të gjithë si të zënë në faj heshtëm. Befas Hasani u çua në këmbë:- Unë…- tha.

Profesor Dragushi buzëqeshi lehtë:- Ashtu… Po mirë… Hajde… Dil tani këtu në sheshin e mejdanit dhe na zbërthe mësimin e ditës tek kjo që ke shkruar… Na gjej tani kryefjalën, kallëzuesin, kundrinat… Të gjitha pjesët e fjalisë.

Mbasi Hasani u përgjigj, i vuri 4 (ishin notat e vjetra nga 1 tek 5) dhe vazhdoi:

– Tani mbyllni fletoret e shënimeve. Sot do të bisedojmë së bashku për dashurinë. Ju tani jeni në atë moshë të mrekullueshme ku çdo shenjë e dashurisë ju gicilon (ishim të gjithë djem në klasë), dhe mirë ju bën, por…

…Dhe vazhdoi e vazhdoi të na flasë për përmasat gjigante të dashurisë, të asaj dashurie që përfshin gjithçka… Që nga aroma e nënës e deri tek flladi i atdheut… Për atë dashuri të bukur dhe krenare por, që duhet të buronte e të rritej në zemër dhe jo në kokë. Për atë dashuri që krijon barazinë midis shpirtrave njerëzor… Për atë dashuri që jetën e ngjiz tek pavdekësia… Dy orë as miza nuk pipëtinte… Dhe ndër vite më ka mbetur në mendje ajo frazë e fundit që m’u duk sikur më shumë ishte lutje sesa këshillë:

– Sikur bota të bëhet thërrime, vërtet mbi gërmadhat e saj do të ngrihen gjithkund, flakët e dashurisë sublime, sepse dashuria i ka të gjitha përmasat të mrekullueshme, sepse, është e vetmja ndjenjë që edhe djep edhe qivur ka shpirtin…

 

Letër e nënshkruar,

Astrit Çerma

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *