Mësuesi shpallet i “paaftë” nëse nuk kalon edhe provimin e dytë

redaktor

Marrja e shkallës kualifikuese do shërbejë si kusht edhe për ruajtjen e profesionit të mësuesit Reforma e nisur në arsimin parauniversitar parashikon vendosjen e kritereve më të rrepta mbi kualifikimin që duhet të kenë arsimtarët për të vijuar ushtrimin e profesionit në një nga shkollat e arsimit të detyruar dhe atij të mesëm. Raporti paraprak i reformës ka nxjerrë në pah mangësi të shumta sa i takon kualifikimit të mësuesve, çka ka ndikuar në cilësinë e dobët që prodhojnë shkollat shqiptare. Kundrejt kësaj problematike komisioni i ekspertëve të raportit ka përcaktuar se ndjekja e studimeve të larta në profilin përkatës, si dhe marrja e shkallës së kualifikimit do të jenë dy kushtet bazë që do mbajnë mësuesit në punë. Ndërkohë që studimet e larta do të jenë të nevojshme për të fituar një kontratë pune edhe në arsimin parashkollor, kriter ky që ka filluar tashmë të aplikohet. Me propozimet e bëra, provimi i kualifikimit që zhvillohet çdo vit, nuk do të shërbejë vetëm si një provim nëpërmjet të cilit mësuesi do të fitojë rritjen mbi pagë sipas kategorisë ku bën pjesë, por edhe si kusht për të ruajtur të drejtën e ushtrimit të profesionit. Autoritetet e arsimit sqarojnë se nëse mësuesi do të dështojë në provimin e parë të kualifikimit, do t’i jepet edhe një shans tjetër për të rihyrë në këtë provim. Por, nëse edhe herën e dytë nuk e kalon provimin, atëherë mësuesi shpallet i paaftë për të vijuar ushtrimin e profesionit, për rrjedhojë do humbasë edhe vendin e punës. “Punonjësi arsimor që nuk e fiton kategorinë e kualifikimit në provim dhe riprovim, do të konsiderohet i paaftë për të ushtruar profesionin”, citohet në raportin paraprak të reformës për arsimin parauniversitar. Zbatimi i këtyre kritereve pritet të nisë nga viti i ardhshëm shkollor. Aktualisht një grup ekspertësh të arsimit janë shpërndarë në të gjitha shkollat e vendit për të identifikuar edhe mësuesit që janë të punësuar pa arsimin përkatës, si dhe ata që japin mësim jashtë profilit të tyre. Sipas raportit, edhe kjo është një tjetër problematikë më vete, e cila ndeshet në masë në pjesën dërrmuese të shkollave të arsimit parauniversitar. Në raport më tej përcaktohet se për të siguruar një kontratë të re pune, çdo mësues i ri duhet të ketë mbaruar studimet e larta në profilin përkatës, të ketë shlyer detyrimet me provimin e shtetit. Për punonjësit që janë tashmë pjesë e sistemit arsimor do të rishitet shpërndarja e tyre në varësi të kualifikimit që kanë. Sipas përcaktimeve të bëra në raport, pas vitit 2018 të gjithë punonjësit arsimor që janë nën moshën 55 vjeç duhet të kenë përfunduar arsimin e lartë dhe të kenë marrë licencën për ushtrimin e profesionit. Ndërsa punonjësit arsimorë mbi këtë moshë, duhet të dëshmojnë përmes provimit përkatës zotërimin e kompetencave profesionale të kërkuara.

Provimi i shkallës kualifikuese

Sipas legjislacionit në fuqi, kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist”, “Mësues mjeshtër”. Ngritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pas marrjes së provimit për kategorinë përkatëse të kualifikimit, çka shoqërohet me shtesë në pagë. Këtij procesi i nënshtrohen vetëm punonjësit e arsimit parauniversitar të cilët, deri më datë 21 dhjetor të çdo viti, plotësojnë 5, 10 dhe 20 vjet në punë dhe kanë kryer 2 ditë trajnimi në vit (duhet të kenë fituar 1 kredit për çdo vit të kualifikimit). Pas vlerësimit të portofolit profesional mësuesit duhet t’i nënshtrohen një provimi me test të hartuar nga grupe specialistësh. Testi përmban elemente të dokumentacionit shkollor, elemente të programeve lëndore, aspekte të metodologjisë së mësimdhënie-nxënies, aspekte të komunikimit dhe etikës, aspekte të drejtshkrimit si dhe përmbajtjen shkencore të

lëndës. Gjithsej, zhvillohen 44 teste të ndryshme të bazuara në profilet e mësuesve sipas cikleve të arsimit parauniversitar. Një mësues e fiton shkallën e kualifikimit dhe rritjen e pagës, nëse ka grumbulluar një sasi minimale pikësh të portofolit, pjesës së parë të testit dhe pjesës së dytë të testit. Përveç shtesës në pagë, ky provim do të jetë kusht edhe për ruajtjen e profesionit. Nëse mësuesi dështon edhe herën e dytë në këtë provim duhet të harrojë profesionin.

 

Studimet e larta për ciklin e mësuesisë

Studimet e ciklit “Bachelor” janë të organizuara në programet e studimeve që realizohen me 180 kredite ECTS dhe zgjatja normale e tyre është tre vite. Studimet e ciklit të dytë janë të organizuara në programe “Master Profesional” me 90 kredite me zgjatje normale 1,5 vite dhe “Master Shkencor” me 120 kredite me zgjatje normale dy vite. Në përfundim të programeve të studimeve të këtij cikli, lëshohet diplomë në “Mësuesi”, sipas profilit përkatës, e cila i lejon kandidatët të vazhdojë procedurat për licencën e mësuesit. Mësuesit e arsimit profesional dhe të shkollave speciale formohen nëpërmjet programeve “Bachelor” në profesionin e caktuar dhe nëpërmjet programeve master në fushën e edukimit. Kurrikula e ofruar në fakultetet e edukimit përveç formimit profesional, fokusohet edhe në aspekte pedagogjike, metodologjike, aftësitë bazë, aftësitë në gjuhën angleze, si dhe në praktikën pedagogjike në shkollë.

Me shlyerjen e detyrimeve për praktikën profesionale mësuesit e rinj do të duhet të kalojnë edhe në provimin e shtetit, e më pas të konkurrojnë për vendet e lira të punës.

 

Si do trajnohen mësuesit

Trajnimi i punonjësve arsimorë është nevojë dhe domosdoshmëri për mësuesit, drejtuesit dhe punonjësit e tjerë arsimorë. Qëllimi i tij është përditësimi i njohurive dhe zhvillimi i kompetencave profesionale, që punonjësit t’u sigurojnë nxënësve arsim cilësor. Procesi realizohet duke shfrytëzuar periudhat e vitit që nuk zhvillohet mësim. Sipas legjislacionit në fuqi, format e trajnimit të mësuesve janë trajnimi në shkolla, rrjetet profesionale, këshillimet, kurset afatshkurtra dhe ato afatgjata. Në legjislacion theksohet se mësuesit dhe drejtuesit trajnohen të paktën 3 ditë në vit dhe se trajnimet

zhvillohen sipas sistemit “kërkesë – ofertë”, në bazë të kërkesave nga institucionet arsimore dhe të ofertave nga agjencitë trajnuese që mund të jenë publike ose private.

 

Problemet me përgatitjen e mësuesve

Në raport specifikohet se përgatitja e mësuesve të rinj nuk po ecën me ritmet e duhura, dhe se sfidat për përmirësimin e programeve të reja janë të mëdha dhe nevoja për mësues të rinj të përgatitur mirë është e padiskutueshme. Konstatohet se programet për përgatitjen e mësuesve ndryshojnë shumë. Edhe përmbajtja dhe renditja e kurseve ndryshon, madje dhe brenda të njëjtit institucion. Elementet më kritike kanë të bëjnë me përmbajtjet disiplinore, me teoritë e të nxënit, me pedagogjinë, me menaxhimin e klasës, të cilat nuk janë në nivelin e duhur. Kjo vjen për shkaqe të ndryshme. Sipas ekspertëve që kanë hartuar raportin, në Shqipëri, programet “Bachelor” për mësuesi i ndjekin studentët që nuk kanë shumë zgjedhje. Këtë e tregon numri i pikëve që lejon të regjistrohesh në universitet. E njëjta gjë mund të thuhet për programet e “Masterit” të mësuesisë në Universitetin e Tiranës që përgatit mësues për shkollën e mesme. Numri i kuotave është gjithnjë më i lartë se ai i kërkesat, duke i dhënë mundësi të regjistrohet kujtdo që ka mbaruar nivelin “Bachelor”, pavarësisht nivelit të përgatitjes shkencore të arritur në këtë nivel.

Mësues jashtë profilit

Shumë shkolla të arsimit bazë publik janë pajisur me PC, laptopë, vide-projektorë, por një pjesë e madhe e tyre nuk funksionon. Lënda e informatikës, në shumë raste, zhvillohet nga mësues të matematikës, fizikës apo të ndonjë lënde tjetër. Gjatë viteve, janë trajnuar për të fituar kompetencat bazë të kompjuterit të gjithë mësuesit që zhvillojnë lëndën e Informatikës, por me gjithë trajnimet e zhvilluara, niveli i kompetencave të mësueseve nuk vlerësohet i mjaftueshëm.

Propozimet për ndryshimin e cikleve të studimit

Sipas propozimeve të bëra, programet e formimit të mësuesve duhet të përfshijnë metodologjitë e kërkimit dhe të hulumtimit, që mësuesit e rinj të jenë në gjendje të zbatojnë kërkimin në praktikën

shkollore. Njohja e tyre me shkollën dhe me nxënësit të nisë që me fillimin e studimeve. Programet e reja, për të gjitha kategoritë e mësuesve, duhet të reflektojnë risitë e kurrikulës së arsimit parauniversitar, të pasurohen me lëndën e TIK-ut, dhe me teknikat e hartimit të testeve për vlerësimin e nivelit të zhvillimit të kompetencave. “Të gjitha këto, duhet të sigurojnë që studentët të vijnë në auditorë për të diskutuar dhe jo për të riprodhuar ato që u janë dhënë në leksion, në libra dhe në materiale të tjera, të shtypura apo në formë elektronike”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *