Me të përfunduar praktikën profesionale të zhvilluar në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare, mësuesit do të zhvillojnë provimin e shtetit. Mirëpo, ndryshe nga testet e zhvilluara nga të diplomuarit në 10 profesionet e tjera të rregulluara me ligj, duket se ky i mësuesve nuk do të realizohet sipas parashikimeve. Kjo, për shkak se mësuesit kanë nisur një shkresë në Ministrinë e Arsimit, duke i shpjeguar se ndihen të fyer që do të testohen për lëndën e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, shkruan sot e përditshmja “Shqip”.
Mësuesit janë dakord me testimin në 15 profile, por kundërshtojnë drejtshkrimin e gjuhës shqipe, me pretendimin se i zotërojnë të gjitha njohuritë e nevojshme. Në kërkesën drejtuar Ministrisë së Arsimit, ata thonë se nëse nuk respektohet propozimi prej tyre, do të sabotojnë zhvillimin e provimit të shtetit.
Ministria e Arsimit nuk ka dhënë ende sqarim lidhur me kërkesën e mësuesve. Në bazë të udhëzimit të MASH, nga e cila varet drejtoria që zhvillon provimin e shtetit, 15 profilet apo testimet përfshijnë të gjitha lëndët që mësohen në programet mësimore, si fizikë, matematikë, kimi, biologji, letërsi apo gjuhë.