Ndërsa në Shtetet e Bashkuara vijon debati mbi kontrollin e armëve, një shkollë në një qytezë të vogël të Misurit ka trajnuar një pjesë të personelit në mbajtjen e armëve brenda territorit të saj. Nisma është nxitur nga tragjedia e Njutaunit dhe një pjesë e banorëve e kanë mirëpritur duke thënë se ata janë rritur me “kulturën e armëve”
Ka pak ditë që gazeta e lokale e qytetit Ozark, “The West Plains Daily Quill”, publikoi një komunikatë të shkollës ‘Fairview’ e cila titullohej “Tani në shkollën tonë punonjës të trajnuar mbajnë armë”. Kjo ishte mënyra sesi pjesa më e madhe e prindërve të nxënësve që studiojnë këtu mësuan se një pjesë e stafit pedagogjik ishte trajnuar për të përdorur armë. Reagimi i tyre ishte pozitiv. “Jemi shumë të kënaqur që shkolla ka ndërmarrë një nismë të tillë”, u shpreh një grua, nipërit e së cilës postuan në faqet e tyre në “Facebook” pjesë të komunikatës, duke shtuar se “të gjitha shkollat në Amerikë duhet të ndjekin të njëjtin shembull”.
Ndërkohë, ligjvënësit federalë dhe shtetërorë në SHBA vijojnë debatin mbi kontrollin e armëve dhe mbi masat e sigurisë nëpër shkolla disa muaj pas masakrës në shkollën e Njutaunit. Një projektligj që i lejon punonjësit e shkollave të mbajnë armë u prezantua në rreth 24 shtete amerikane këtë vit, por mbështetja e autoriteteve arsimore ka qenë përgjithësisht e vakët.
Disa shkolla kanë punësuar roje të armatosura, të tjera kanë instaluar sisteme alarmi në portat hyrëse. Por një numër fare i vogël shkollash kanë arritur deri në stërvitjen e mësuesve në mbajtjen e armëve, siç ka ndodhur në komunitetin e shkolllës “Fairview”, ku studiojnë afro 600 nxënës të ciklit parashkollor deri në klasën e tetë dhe këtu ideja e armëmbajtjes nëpër klasa nuk shihet domosdoshmërisht si kërcënuese.
Në Ozark, qytet në jug të Misurit, njerëzit janë rritur me “kulturën e armëve”. Gjuetia e drerëve dhe zogjve mbush kohën e lirë të banorëve që jetojnë në një terren të thepisur dhe të pyllëzuar, njësoj siç ndodh me aktivitete të tjera argëtuese si bejsbolli apo konsumimi i birrave në SHBA.
Gjashtë të rinj, djem dhe vajza, kanë mësuar se si të përdorin në mënyrë të sigurt armët. Disa jetojnë në shtëpi ku ato nuk mbahen me kyç, të tjerë dalin bashkë me prindërit për gjueti. Sheri Roi, nëna e katër fëmijëve të cilët studiojnë në “Fairvew”, thotë se ndihet shumë më e qetë tani që disa punonjës të shkollës janë trajnuar. “Nëse nuk do të dija asgjë mbi armët dhe të mos isha rritur me to, jam e bindur se ankthi për sigurinë e fëmijëve të mi do të vazhdonte, por në këtë zonë armët janë pjesë e zakonshme e përditshmërisë sonë”, thotë gruaja.
“Fairview” është një nga pesë shkollat në periferi të qytetit, por ndryshe nga ajo, administratorët e shkollave të tjera nuk kanë pranuar që të pajisin personelin e tyre me armë. Megjithëse departamentit të sherifit do t’i duheshin të paktën 15 minuta për të reaguar në rast të ndonjë sulmi, Karen Mofis, drejtoreshë në shkollën “Glenwood”, mendon se është më shumë e rrezikshme sesa e dobishme lënia e armëve në duart e punonjësve të shkollave. “Në këtë vend, shkollat kanë qenë tradicionalisht të sigurta dhe komuniteti ynë mikpritës. Askush deri më sot nuk ka menduar për nevojën e objekteve të rrezikshme në shkollë”, thotë Mofis. Përgatiti: Dorina Gjuzi