Pak më shumë se para një viti, Republika Popullore e Kinës shpalli haptazi ambicien e saj për një epokë të re marrëdhëniesh ekonomike me Europën Lindore. Samiti dypalësh i Bukureshtit që hapet këtë të martë në nivelin më të lartë me lidera nga e gjithë Europa Lindore nën flamurin kinez, tregon se gjërat po marrin një kthesë më serioze.
Strategjia e re kineze
Nga Estonia në veri të Europës Lindore, deri tek Shqipëria në jug, kinezët janë gati të investojnë ose të japin kredi me proceduara të thjeshtuara. Kina kërkon me urgjencë të verë në lëvizje miliardat e dollarëve që “flejnë” në fondet e saja sovrane. Kina s’ka hidrokarbure, por ka fuqi punëtore të lirë. Përgjatë më shumë se një dekade, prodhimi i lirë kinez që është derdhur lum dyqaneve dhe supermerkatave të vendeve perëndimore, i ka sjellë tregtisë së jashtme kineze teprica të jashtezakonshme në valutë. Këto likuiditete marramendëse që bëjnë xhelozë dhe kombet më të pasura në naftë e gaz duhen riinvestuar pasi paraja që nuk lëviz humbet në vlerë. Të investosh, po ku? Strategë të hollë, kinezët e kanë nuhatur se vendet perëndimore nuk do të vazhdojnë më gjatë “si budallenj” të blejnë mallra kaq larg, dhe me probleme cilësore apo ekologjike aq të përfolura, qofshin fare të lira. Bile, a janë mallrat kineze po aq të lira sa më parë, tani që rrogat në Kinë po përmirësohen me rritjen e nivelit të jetës? Janë të gjithë këto elemente që kanë farkëtuar strategjinë e re tregtare kineze dhe që konsiston në ngulitjen e investimeve kineze brenda ose afër tregjeve të tyre të natyrshme. E meqënëse Bashkimi Europian përbën një treg të tillë strategjik për Kinën, a ka më të natyrshme se të investosh në vendet e Europës Lindore që janë anëtare të BE-së, ose janë në kufi apo kandidatë për në BE, siç është rasti për fasadën perëndimore të Ballkanit ku bën pjesë dhe Shqipëria. Ishte bile në Ballkan që Kina shpalli para disa kohësh investimin e saj më të bujshëm në Europë duke blerë porte greke. Asokohe kinezët mendonin ende të na sillnin mallra. Por a nuk është më e thjeshtë të prodhojnë në Europë për europianët, ose të marrin pjesë në tendera europianë me “ndërmarrje europiane”, në fakt kinezët pas investimit domethënë aksioneri dhe përfitim, mbeten kinezë? Në Europën Lindore është dhe më mirë akoma se në atë perëndimore pasi legjislacioni i punës dhe vizat janë gjëra shumë më të thjeshta për kinezët. Europiano-lindorët po ashtu nuk njihen për një shtyp agresiv karshi Kinës. Hyrja në BE për ta nuk u shoqërua me ndonjë bum të jashtëzakonshëm në nivelin e jetesës së popullatave. Atëherë pse të humbasësh kohë me pyetje metafizike se çfarë duan realisht kinezët? Çdo investim, qoftë kinez, arab, rus apo amerikan, krijon vende pune dhe fuqi blerëse, kushti kryesor për një politikan për t’u rizgjedhur… Kinë dhe Europë lindore, duket pra sikur e kanë rigjetur sërish gjuhën e përbashkët si në kohët revolucionare, por kësaj here falë magjisë së “dorës së butë të tregtisë”…
16 vende, pak projekte
Një samit i bujshëm u zhvillua fillimisht më 25 prill 2012 në Varshavë me pjesëmarrjen e liderëve nga Europa Lindore. Kina premtoi aty mbi 10 miliardë dollarë investime që mund të preknin të gjitha vendet nga pjesa lindore e ish-murit të Berlinit. Me samitin e Bukureshtit këtë javë, projekti i Kinës për Europën Lindore, kalon në etapën e dytë. Të 16 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të kësaj pjese të Europës do të takohen aty me kryeministrin e ri kinez Li Keqiang, “star”-i këtij samiti. Ky i fundit është shqetësuar se fondi kinez për Europën lindore me të famshmet 10 miliardë dollarë në arkën e tij, fare pak është përdorur. Gjatë kësaj kohe kinezët janë mjaftuar vetëm me institucionalizimin e partnershipit të ri duke ngritur enkas një sekretariat qendror në Pekin. Sipas kinezëve, janë europiano-lindorët që nuk kanë paraqitur sa ç’duhet projekte për financim nga fondi kinez që pret me interes propozime në pesë fusha: energji, bujqësi, turizëm, teknologji të reja të komunikacionit dhe infrastruktura. Të 16 shtetet e përfshira në këtë program janë të mirëpritura pra t’i bëjnë të ditur palës kineze nevojat e tyre. Bëhet fjalë për Rumaninë, Bullgarinë, Poloninë, Hungarinë, Slovakinë, Republikën Çeke, Slloveninë, Serbinë, Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Të gjithë këto shtete janë të përfaqesuar në këtë samit të Bukureshtit në nivelin e tyre më të lartë. Shumë nga udhëheqësit e tyre kanë marrë “bagazhe” dhe një qerre me ndërmarrje private në mënyrë që biznesmenët të bëjnë pazare drejtpërdrejt. Vetë kryeministri kinez ka çuar 200 padronë të mëdhenj kinezë të sektorit privat dhe publik.
Shqipëria ndihet pak
Për Shqipërinë pak informacion ka përsa i përket nivelit të përfaqësimit në këtë samit dhe “nevojat” e saja. Deri tani, vendi ynë ka bërë figurë liliputi në partnershipin global Kinë-Europë Lindore, gjë që duket sikur i shkon territorit dhe popullsisë së vogël të Shqipërisë. Për të ardhur keq, pasi Shqipërisë nuk i mungojnë argumente, duke përfshirë dhe ata “historikë”, për të milituar kah një marrëdhënie të privilegjuar me kinezët ku interesat reciproke të ishin reale. Për më tepër që përtej “tregut” të papërfillshëm shqiptar ajo që mund t’i interesojë Kinës, është situata gjeografike e Shqipërisë, si urë për t’u hedhur në tregjet europiane. Vende të tjera të Europës Lindore kanë ditur të jenë më pragmatike me kinezët. Partneri i tyre i parë në Europë Lindore është Hungaria ku vetëm në dy vitet e fundit kinezët kanë investuar rreth 2 miliard euro në telekomunikacione dhe industri kimike. Vjen pastaj Polonia pa harruar Bullgarinë ku Kina sapo ka instaluar vitin e kaluar uzinën më të madhe të prodhimit të automobilëve kinezë në Europë. Në vendet jo anëtare të BE-së, vlen të përmendet investimi kinez në Serbi, në negociatë e sipër, për një urë të madhe mbi Danub, në Beograd, investimi më i madh në infrastrukturë që kinezët po kryejnë në Europë. Gjetiu, në vende të Europës perëndimore projekte të tilla shpesh janë refuzuar pasi kinezët synojnë që bashkë me investimin të sjellin dhe fuqi punëtore nga Kina… Në Europën Lindore, handikapi më serioz që po hasin kinezët është refuzimi i shumë qeverive që të paraqesin garanci shtetërore për investimet kineze. Po ashtu këto qeveri nuk shohin me sy të mirë që kinezët të kenë kontrollin absolut mbi projektet që këta mund të financojnë.
Për atë që na intereson neve si shqiptarë, për momentin mund të pohohet se është mister se çfarë projektesh ka përgatitur qeveria e re shqiptare për t’u paraqitur kinezëve për financim në samitin e Bukureshtit. A janë ato një vazhdimësi e reflektimeve të bëra nga ish-qeveria Berisha, apo një strategji krejtësisht e re e qeverisë Rama ndaj oreksit të kinezëve për investime? Një debat publik do të kishte qenë i dobishëm, të paktën me shoqatat e biznesmenëve në Shqipëri apo me përfaqësues të bashkësive vendore. Në mënyrë që gjërat mos të mësohen vetëm nga shtypi, siç po e bëjmë në këtë shkrim, apo siç ndodhi në rastin e dosjes që sapo u mbyll dhe që e la të gozhduar për ditë të tëra opinionin publik, të etur për informacion…

vendet e europes lindore ashtu si ato perendimore jane nen thundren e FMN prandaj dhe rine ftohte nje maredhenieje me kinen.duke qene te komanduara nga lider masone presin vetem urdhera nga lart nderkohe qe kina ofron vertet nje mundesi te mire per bashkepunum
Nuk duhet marre borxh tek asnje vend, sepse nuk kemi rritje ekonomike per te shlyer principal+interesa. Borxhi i pashlyer te kthen ne skllav te kreditorit, historia ka shembuj plot. Ose do te humbasim sovranitetin per shkak te borxheve, ose do te hyjme ne konflikt me vendet te cilave ju kemi borxh.