Kryetari i LSI-së Ilir Meta tregon në televizionin “News24” detaje të vendimit të LSI-së për tu larguar nga qeveria dhe bashkimin e së majtës shqiptare. Në emisionin “360 Gradë” të moderatorit Artur Zheji, lideri i LSI-së theksoi se bashkimi i së majtës shqiptare është në favor të interesit publik për të vendosur një ekuilibër të ri politik në vend.
Z. Meta, mund t’i shpjegoni edhe një herë teleshikuesit tonë se pse vendosët t’i thoshit po ftesës së PS-së për koalicion?
Janë një kompleks argumentesh, arsyesh dhe faktorësh që kanë ndikuar në këtë vendim, pra nuk ka një të vetme. Në radhë të parë është interesi publik për të vendosur një ekuilibër të ri politik, një balancë të re midis pushteteve për shkak të përqendrimit gjithnjë në rritje të shumë pushteteve në duart e një partie të vetme, në rastin konkret PD, me të cilën në ishim në koalicion këto 4 vite.
Ç’mund të kuptojmë me këtë?
Kjo lidhet me vendosjen e ekuilibrave të cilët janë të domosdoshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për të pasur një demokraci sa më të shëndetshme dhe funksionale. Njëkohësisht për të realizuar një tejkalim të këtij ngërçi për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe për shkak të rritjes së shumë pushteteve në duart e një force të vetme duke krijuar edhe një ekuilibër të ri, një ndarje të re të pushteteve dhe në këtë mënyrë edhe bazën objektive të një bashkëpunimi të paevitueshëm. Më konkretisht kombinimi i Presidentit aktual që ishte propozim i mazhorancës aktuale që mori edhe votat tona me qeverinë e ardhshme.
Jeni penduar që i keni dhënë këto vota z. Nishani?
Nuk është çështje pendimi sepse ka qenë një vendim i marrë në kohën dhe në rrethana që mund t’i rikthehemi por besoj se është kohë e humbur. Ka qenë më i mundshmi. Nuk ka qenë më i miri. Ju besoj i mbani mend përpjekjet e mëdha për një President me konsensus. Presidenti, Parlamenti dhe mazhoranca e ardhshme do të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të tjera apo për kompletimin, funksionimin e tyre, përfshirë këtu institucionet e pavarura si Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe të tjera që janë kyç për të pasur një pushtet gjyqësor sa më solid, të pavarur dhe funksional. Në qoftë se gjithçka do të funksionojë në një qark të shkurtër dhe në linjën e në interesi të caktuar partiak apo të ngushtë partiak atëherë kjo do të thotë që në një qendër të vetme drejtohen të gjitha institucionet.
Duket sikur e konsideroni z. Nishani jo si President të të gjithëve por si ministër të z. Berisha apo jo?
Këtë e thatë ju. Unë gjykoj që pa hyrë në vlerësime të caktuara pezhorative për cilindo, nuk është ky qëllimi, pa asnjë diskutim. Unë mendoj se është një moment për një ekuilibër të ri politik në vend.
Ju jeni shprehur gjatë kësaj kohe shumë ashpër për z. Rama, të cilin e keni akuzuar për shumë gjëra. Çfarë ka ndryshuar aktualisht, z. Rama, apo keni ndryshuar ju në raport me të?
Faktori më i rëndësishëm në politik dhe më i fortë nga të gjithë politikanët mendoj se është koha, është një faktor madhor. Dhe gjithçka duhet vlerësuar në raport me kohën, me kohën që ka kaluar por edhe me kohën që po vjen. Kështu që mendoj se koha që po vjen e ka imponuar si një domosdoshmëri këtë bashkëpunim që do të thotë njëkohësisht se edhe koha që ka kaluar ka ndihmuar edhe për një reflektim dhe pjesë e këtij reflektimi mendoj se jemi të gjithë.
Ju gjykoni se koha që ka kaluar i ka fshirë të gjitha ato dilema, ato fjalë, ato që kanë ndodhur?
Unë mendoj se koha ka ndihmuar për reflektim dhe mendoj se politikanët që besojnë tek e ardhmja duhet të kenë patjetër aftësi reflektuese.
A mendoni se do të jetë i qëndrueshëm në kohë edhe ky reflektim i juaji dhe i z. Rama për një bashkëpunim serioz dhe afatgjatë?
Besoj se po, janë të gjitha arsyet, të gjithë faktorët. Nuk kanë qenë të paktë ata, kur unë bëra një koalicion të panatyrshëm me z. Berisha dhe LSI-ja me PD-në, që menduan se kjo nuk do të zgjaste as një javë, as një muaj, që do të kishte konflikte, debate. Por, funksionoi, ashtu sikurse funksionoi pra në mënyrë të qëndrueshme për katër vite dhe të funksiononte më tej do të ishte e panatyrshme. Arsyet që përmenda më parë kanë imponuar një pozicionim të ri të LSI-së dhe mendoj se është një detyrim i madh i imi, i z. Rama dhe i shumë të tjerëve për të sjellë një mundësi të së majtës së bashkuar për të ndryshuar shumë gjëra në këtë vend. Edhe për një arsye tjetër, sepse e majta ka qenë dhe është shumicë në Shqipëri, pavarësisht nga mungesa e bashkëpunimit tyre në 2009-ën që solli edhe atë situatë. Nuk kemi pasur asnjëherë ftesë për bashkëpunim, as në 2005-ën, as në 2009-ën. Tani kemi një ftesë. Ne kemi bërë ftesa.
Po në koalicionin që patët në 2007-ën në luftën për kryetar bashkie, votat dhe mbështetja juaj për z, Rama ishte determinuese, apo jo?
Po, pati një bashkëpunim i cili natyrisht që nuk u ndërpre nga ne.
Po në vitin 2008, me ndryshimet kushtetuese të Kodit Zgjedhor që kishin për qellim asgjësimin tuaj politik, marrëveshjen Rama – Berisha, a mendoni se koha e shleu edhe këtë?
Jo vetëm që koha e shleu në një farë mënyre këtë por ka edhe një reflektim edhe nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese. Dhe PS-ja edhe në rastin aktual të kodit u tregua më e predispozuar për të bërë ndryshime apo përmirësime.
Bojkotoheni këtë politikan të pisllekut!Natyrisht pislleku me i madh eshte Berisha,por dhe ky nuk duhet te jete me ne parlament!…Vecanrisht,personalisht ky!Duhet bere braktisje votimi atje ku mund te jetë Meta kandidat!Duhet te paguaj rendë…Asnje socialist nuk duhet ta votojë!….Duhet patjeter,patjeter jasht parlamentit!Duhet mirkuptim te majtesh qe fitojne fuqishëm,por jo me Metën!Ta largojmë me abandonim!Ka shprese demokratike ende!…PS fiton fuqishëm!