Bedri Islami
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese,përmes shumicës së saj, që lejonte vazhdimin e mandatit presidencial të Ilir Metës, një gjë është e sigurtë: cilido që do të jetë në të ardhmen në këtë post, do të mund të shkelë me të dy këmbët Kushtetutën e Shqipërisë, të mbi vendoset mbi nenet, germën dhe frymën e saj, të dalë mbi postin e caktuar dhe të marrë mbi vete atribute të rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Gjykata Kushtetuese, ndoshta përmes vendimit të saj më skandaloz, solli në politikën e lartë shqiptare precedentin e Mosndëshkimit të aktit të së keqes, në fakt, të një shumësie aktesh të së keqes në krye të shtetit, hapi rrugën për të pasur në të ardhmen në godinën presidenciale cilindo figurë politike, që mbart me vete urrejtje, deri patalogjike ndaj qeverisjes– që në këtë rast e ka deleguar aty, që bën thirrje antikushtetuese për përmbysjen e saj përmes forcës dhe rrugës; ndez dritën e gjelbër për kalimin në kreun e shtetit të njeriut që synon të ndezë përplasje të ashpra mes njerëzve dhe, në të njëjtën kohë merr në mbrojtje hapur, pikërisht të keqen, dhunën e deri edhe vrasjen.
Ilir Meta nuk do të duhej të ishte asnjë ditë presidenti i këtij vendi. Në të gjitha figurat e mundshme të para pesë viteve, pa asnjë dyshim, ai mbetej njeriu me damkë për aferat që kishin ndodhur kur ai ishte pjesë e qeverisjes, nën secilën parti apo bashkësi forcash politike. Si askush tjetër, haptas, me zë dhe me figurë, ai mbetej njeriu numër 2 i një qeverie që synon të përvetësojë 700 mijë euro përmes një firme dhe grykësinë e tij mund ta kalonin vetëm fëmijët e ish kryeministrit që kërkonin po ashtu, për një firmë të babait miliona euro. Ai ishte dhe vazhdon të jetë në lëvizjen politike shqiptare, njeriu që derdhi kupën e zvetnimit të politikës dhe shkaktoi revoltën e 21 janarit, të cilën, më pas, e cilësoi si një lëvizje të kokëpalarëve, dhe brutalisht e në mënyrën më cinike të mundshme, nënshtroi edhe një herë sistemin e drejtësisë, duke u shpallur i pafajshëm, pasi “akrepat e orës përgjuese nuk kishin lëvizur në të njëjtën kohë me akrepa të tjerë”.
Sidoqoftë, dërgimi i tij në presidencë ishte nga ato veprat e ngutshme të Edi Ramës, që si e kishte llogaritur, dërgoi në margjinat e politikës LSI-në, e ktheu atë nga faktori i tretë i domosdoshëm në politikë dhe në qeverisje, në një forcë politike që nuk krijoi dot as grupin e saj parlamentar, por, po Edi Rama, krijoi përmes zvarritjes së gjërave, presidentin lubi, të skajshëm, të çoroditur, mendërisht të pasaktë, me fobi halucionante, shpërthyes dhe të gatshëm të krijoi vorbullën ku mund të mbyteshin shumë vetë.
Që familja Meta është njëra nga më të pasurat në Shqipëri, kjo është një gjë që dihet. Që është bërë e pasur përmes politikës, edhe kjo dihet. Që vazhdon të thithë pasuri nga oligarkët, edhe në këtë post, edhe kjo është e njohur. Mjafton vetëm festimi i ditëlindjes së tij, kur brenda pak ditësh do të ngrihej një restorant i përkohshëm në det, për më se 600 të ftuar, jo të paktë nga ata që ishin të mbushur me mëkate të mëdha, dhuratat e të cilëve ishin të çmuara, për të ditur “gjeografinë politike“ të Ilir Metës dhe të familjes Meta.
Përse Gjykata Kushtetuese, vendimin e të cilës nuk e trajtoi fare shefi qeveritar, krijoi një precedent të rëndë politik dhe hapi udhë për krijimin e një hibridi presidencial, si ishte dhe do të vazhdojë të jetë deri në fundin e muajit korrik presidenti aktual?
Të zgjidhej apo jo Ilir Meta president nuk është në dorën e Gjykatës Kushtetuese. Të shkarkohej, pas vendimit të Kuvendit, ishte në dorën e saj. Gjykata zgjodhi rrugën për të shkurtër, duke iu shmangur “sherrit” dhe duke lënë pas vetes vragat e të keqes.
Cilido vendim i ardhshëm i kësaj gjykate do të jetë tashmë e tutje nën këtë gjykim: veproi, sepse ashtu ishte në të drejtën e saj, apo kërkoi rrugën më të lehtë për t’iu shmangur sherrit politik dhe për të qëndruar qetësisht në pozicionin e saj komod, edhe pse, të shëmtuar.
Sherri i sotëm, pra, përplasja mes saj dhe Ilir Metës, çka ky i fundit e kishte paralajmëruar dhunshëm, u shmang, por rruga u hap në të njëjtën kohë për shumë sherre të ardhshme.
Ky është dëmi i parë i madh që solli vendimi i saj. Mendimin, në këtë rast, të saktë, të nënshtrimit të Gjykatës Kushtetuese nga forca e dhuna e politikës, për të lënë gjërat të rrjedhin në një luginë të qetë, edhe pse të përkohshme dhe të dëmshme.
Gjykata Kushtuese vërejti se, në qëndrimet dhe veprimet e presidentit kishte shkelje, por ata nuk ishin të rënda.
Ky është precedenti i dytë i dëmshëm. Ajo nuk ka tagër të gjykojë se cilat shkeljet antikushtetuese janë të rënda, cilat janë të lehta. Çdo shkelje në Kushtetutë është e tillë dhe është rënduese për një figurë të tillë.
Pas këtij vendimi ajo, Gjykata Kushtetuese, merr mbi vete të drejtën të përcaktojë se cila shkelje është e rëndë dhe cila jo, megjithëse, në fakt, qoftë edhe njëra prej tyre është në papërputhshmëri me ligjin, detyrat dhe të drejtat e institucionit të presidentit.
Nesër, në një ditë të ardhshme, Shqipëria do mund të ketë rishtas një president, që, pa asnjë ndrojtje, të bëjë protestë antiqeveritare me “popullin e opozitës”, që presidenti aktual e cilëson si populli i dy marsit, kur ai, si përcaktohet qartë, është president i të gjithëve, duhet të simbolizojë unitetin e popullit dhe të flasë në emrin e tij. Jo, kurrë në emër të popullit “ të dy marsit”.
Opozita është në të drejtën e saj të protestojë sa herë që mendon se duhet të jetë në krye të protestave, ky është edhe një nga misionet e saj, por nuk është e drejtë presidenciale dhe kjo nuk përbën shkeljen “e vogël”, ku një ditë të ardhshme mund të mbështetet secili i deleguar në atë post.
Duke qenë kushtetuetshmërisht mbi palët, asnjë presidenti nuk i lejohet të jetë palë. Gjykata Kushtetuese, përmes vendimit të saj tani e tutje ia lejon presidentit të jetë palë, sidomos në zgjedhjet politike, të marrë flamurin e opozitarizmit dhe këtë, pa asnjë brerje ndërgjegje ta shpallë hapur dhe të përcaktojë rrugën e nesërme.
Ky precedent i tretë njëjtë antikushtetues si shkeljet e tjera, na kthen presidentin thelbësisht politik, skajshëm politik, që e vendos rolin e tij aty ku ka interesat e tij politike, ose më tej, të asaj force politike ku ka bërë pjesë.
Tani e tutje, pa i hyrë asnjë ferrë në këmbë, duke u mbështetur në këtë vendim presidenti është i lirë të jetë pjesë e fushatës, të kërcënojë, të bëjë shantazh mbi votuesit, të delirojë me thirrje rrugaçërore me kmesa dhe sopata, të kërkojë linçim politik e jo vetëm politik. Gjykata Kushtetuese ia lejoi këtë, pa menduar se kjo përbën rrugën më të rrezikshme për të ardhmen.
Në mandatin e tij, sidomos gjatë dy viteve të fundit, ne kishim një president që dukej si i dalë nga fiqiri dhe mund të kemi edhe të tjerë pas tij. Përmes thirrjeve për të vdekur si Vojo Kushi apo vetëvrasje si ajo e Alendes, ai e ktheu institucionin një butafori politike, por në të njëjtën kohë humbi besueshmërinë e një motivi serioz për të drejtuar, për të qenë tempulli i përbashkët. Këtë e bëri përmes veprimeve të çmeritura, por që ia ligjëroi Gjykata Kushtetuese. Tani e tutje do të na lejohet të kemi një president të tillë, dhe ky është precedenti i katërt. Gjykata hapi rrugën e krijimit të një presidenti hibrid, i cili shpall luftën ndaj qeverisë me këngën e Hajredin Pashës, i shpall luftë Shteteve të Bashkuara, ku cakton edhe vendin e mënyrën se si do e vrasin, dhe në të njëjtën kohë ringjall një epokë ku secili drejtues i lartë mund të jetë mbi ligjin themeltar të shtetit.
Shembulli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila, pa asnjë droje, ndërpreu mandatin e ish presidentit Sejdiu, që zgjodhi të ishte de fakto e de jure lideri i LDK-së, apo mandatin e shkurtër të Paçollit, për mos përputhje kushtetuese, është larg vendimit të Gjykatës sonë që krijoi precedentin e mbrojtur nga vendimi i posaçëm, përmes të cilit, ai presidenti, mund të bëjë shkelje kushtetuese, por nuk ndëshkohet për to, nëse kjo strukturë mendon se shkeljet janë të vogla.
Kambanat bien për t’u dëgjuar.
Zhurmën e tyre ndaj këtij vendimi, do e dëgjojmë në vitet e ardhshme, pasi edhe disa muaj shqiptarët mund të durojnë një president kësisoj.
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
