Meta: Dinamika e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet të ishte më e fortë

Dita

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Forumin “Shqipëria dhe Serbia drejt një së ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare së bashku me Forumin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane për Serbinë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Hellmut Hoffman, Albert Rakipi-Drejtor i  Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, Jelica Minic, Presidente e Forumit Qendra për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane për Serbinë, ekspertë për çështjet ndërkombëtare, analistë dhe drejtues të pushtetit vendor.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se që nga rënia e regjimit të Milosheviçit, në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, ka nisur një fazë e re. Meta theksoi se dinamika e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet të ishte shumë më e fortë.

“Që nga momenti ku Milosheviçi u largua dhe Serbia nisi një fazë të re, kur po bëhen gati 16 vite, nuk jemi aty ku duhet të ishim sepse jemi ende peng të viteve të së kaluarës, të sjelljeve tipike që janë pasojë e luftës së ftohtë. Dhe mendoj që për dy vendet që e kanë realisht sot objektiv integrimin evropian, dinamika e kësaj marrëdhënie duhet të ishte shumë më e forte, shumë më e qëndrueshme. Ka një ngadalësi në gjithë krijimin e kuadrit ligjor në marrëdhëniet mes dy vendeve, nuk janë nënshkruar ende, nuk janë miratuan apo ratifikuar as gjysma e marrëveshjeve që janë propozuar nga Shqipëria në vitin 2002, që është krejtësisht jo normale, kur interesi është i përbashkët dhe kur nuk ka një arsye pse të vononin”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit tha se vendet mund të faktorizohen jo duke e demonizuar njëri-tjetrin, por përkundrazi, vetëm duke bashkëpunuar. “Dhe në këtë drejtim marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbisë marrin një rol shumë të madh sepse nuk janë thjeshtë marrëdhënie midis Shqipërisë dhe Serbisë, por janë marrëdhënie më të gjerë që reflektojmë midis shqiptarëve dhe serbëve kudo në rajon, por edhe më gjerë, shqiptarëve dhe sllavëve”, tha z. Meta duke shtuar se  tashmë ndërgjegjësimi është arritur, por shpejtësia e absorbimit të kësaj filozofie dhe angazhimi për rezultate praktike konkrete, duhet të jetë shumë më i madh dhe shumë më i gjerë.

“Prandaj është shumë e rëndësishme këto të mos mbeten thjeshtë marrëdhënie midis qeverive, midis institucioneve, por të jenë marrëdhënie shumë më të gjera. Duhet t’i shumëfishojmë këto kontakte, duhet t’i shumëfishojmë këto marrëdhënie sepse jemi viktima të miteve të trashëguara, të legjendave. Unë besoj se në ketë drejtim ne duhet të çlirohemi nga shumë mite. Mendoj që duhet të bëjmë shumë më tepër  sepse 16 vite nuk janë pak. Nuk duhet të presim edhe 16 vite të tjera sepse dinamika ecën shumë më shpejt . Interesat janë shumë më të mëdha, shumë më konkrete, shumë më të mprehta. Duhet ta bëjmë sot dhe jo nesër”, tha Meta.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *